8-vjeçari që u godit nga vetura në Pejë vazhdon të trajtohet në Mjekimin Intensiv

8-vjeçari që u godit nga vetura në Pejë vazhdon të trajtohet në Mjekimin Intensiv

Aktuale April 09, 2024 - 08:32
Kjo është gjendja e tij shëndetësore

Tetëvjeçari nga Peja, i cili u godit nga një veturë të dielën, po vazhdon të trajtohet në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

I njëjti nga goditja e veturës ka pësuar lëndime serioze, megjithatë gjendja e tij vazhdon të jetë stabile.

Drejtori i Klinikës Intensive, Shaqir Uka, bëri të ditur se gjendja e përgjithshme e pacientit paraqitet stabile.

Uka shtoi se i njëjti po mbahet në gjumë me medikamente.

“Gjendja e përgjithshme nuk ka lëvizë, ka qenë relativisht stabile sa u përket parametrave vitalë. Ne kemi vazhduar ta mbajmë në gjumë, ashtu do të vazhdoj edhe gjatë ditës së sotme dhe pastaj të shohim në ditët në vazhdim si do të shkoj gjendja. Për momentin gjendja e përgjithshme paraqitet stabile. Është duke e marrë terapinë dhe vazhdon të qëndrojë në gjumë me barna”, tha Uka për Telegrafin.

Gjatë ditës së djeshme Uka bëri të ditur se tetëvjeçari kishte pësuar lëndime në kokë, mukshëri dhe në ekstremitete të tjera.

“Lëndimet janë të rënda, ka gjakderdhje në regjionin e kokës, ndrydhje në mushkëri dhe lëndime në ekstremitetet e tjera”, kishte deklaruar Uka.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë dje ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shoferit K.M.

Sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar Telegrafi, i njëjti në momentin kur ka goditur dy fëmijët dhe pastaj edhe dy persona të tjerë kishte qenë nën ndikimin e alkoolit.

I pandehuri K.M. gjithashtu është recidivist i disa veprave të tjera penale.