Serbia po e “lufton” në mënyrë agresive anëtarësimin e Kosovës në KiE

Serbia po e “lufton” në mënyrë agresive anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale April 09, 2024 - 08:18
Beteja diplomatike e Kosovës me Serbinë

Serbia po lufton ne çdo formë që ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke e shkelur kështu marrëveshjen bazë të Brukselit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po shpreson që përveç Hungarisë, edhe shtete të tjera do ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia po lufton në mënyrë agresive që ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Madje shteti serb ka ngritur një ekip special në krye me Ivica Daçiqin për të bërë fushatë kundër shtetit më të ri në Evropë.

E me këto veprimebSerbia e ka shkelur sërish Marrëveshjen bazë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve.

Në nenin katër të Marrëveshjes, Serbia zotohet se nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Nga blloku evropian kanë qëndruar të heshtur në lidhje me këtë qasje agresive të palës serbe.

Ndërkaq, analisti politik Alejandro Esteso Perez thotë se Serbia nuk i përfill fare marrëveshjet e Brukselit, andaj sipas tij politikat e Beogradit nuk kanë ndryshuar në raport me Kosovën.

“Sigurisht, kjo është në interes të Serbisë, i kujtojmë marrëveshjet, ose tekstet që thuhet që ishin marrë vesh, sepse nëse pyetni Serbinë, as nuk është lexuar, as nuk është nënshkruar. Ne jemi dëshmitarë të dy llojeve të ndryshme të fakteve. Dy versione paralele që i shërbejnë dy qëllimeve të ndryshme, njëri i shërben Kosovës, tjetri i shërben Serbisë. Çfarë po bën Serbia, është në vijë me politikën që ka ndjekur deri sot, pavarësisht çfarëdo teksti apo marrëveshje të cilat mund të thoni që ka pranuar”, u shpreh analisti politik Alejandro Esteso Perez për Teve1.

Perezi, konsideron se rruga e Kosovës për t'u bërë anëtare në Këshill mund të jetë shumë më e komplikuar.

“Për fillim, mendoj që Kosova ka shanse, por jam njëri nga shumë që preferojnë të jemi të kujdesshëm, sepse kurrë nuk dihet. Ne kemi përpara 4-5 javë që janë kryesore për procedurën, dhe më mirë është të qëndrojmë të kujdesshëm dhe, për momentin, mos të marrim asgjë si të garantuar. Ende mbetet të shihet çfarë do të jetë roli i vendeve anëtare, nuk po flas vetëm për vendet mos-njohëse por edhe për vendet që e njohin Kosovën por që janë më pak përkrahëse, të cilat nuk mund të kenë rol kryesor, dhe pastaj sigurisht do të shohim se çfarë loje do të luajë Serbia, dhe krejt ajo kampanjë që ata bëjnë për të bllokuar këtë anëtarësim potencial”, deklaroi ai.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar javën e kaluar se disa vende që e njohën pavarësinë e Kosovës mund të mos e mbështesin atë në Asamblenë Parlamentare dhe se nuk do të jetë vetëm Hungaria.

Në anën tjetër, krerët shtetërorë të Kosovës janë shprehur optimistë se vendi do të anëtarësohet në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.