Bislimi e Gorçeviqi mohojnë se Mali i Zi ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE

Bislimi e Gorçeviqi mohojnë se Mali i Zi ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE

Aktuale March 29, 2024 - 15:13

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, deklaruan se Mali i Zi nuk ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Gjatë një konference për medie para gazetarëve, Bislimi tha se vota ishte e një përfaqësueseje të një partie politike në Mal të Zi dhe jo qëndrim i shtetit të Malit të Zi.

“Nuk ka votuar Mali i Zi kundër Kosovës por një deputete që përfaqëson një subjekt politik në mbledhjen e komitetit për politikë të jashtme në Këshill e që e përfaqëson një subjekt politik ka shprehur qëndrimin e subjektit politik. Përfaqësimi është i tillë që duhet të reflektoj edhe përbërjen politike të subjekteve nacionale dhe ajo përfaqëson një parti politike e cila shkon kundër qëndrimeve të shtetit të Malit të zi. Kjo nuk është risi, edhe ne kemi parti politike siç është Lista Serbe që shkon kundër qëndrimit të Kosovës. Kjo nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Malit të Zi”, tha Bislimi.

Të njëjtën gjë e tha edhe vetë ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq.

“Kjo nuk të thotë qëndrimin e qeverisë, ajo ka nxjerrë qëndrimin e partisë politike të saj. Mali i Zi do të tregojë përkrahjen e tij në maj për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës”, u shpreh ajo. /EO