Kurti viziton familjen e mësueses së tij të parë: Dha kontribut të pamatshëm në formimin tim

Kurti viziton familjen e mësueses së tij të parë: Dha kontribut të pamatshëm në formimin tim

Aktuale March 07, 2024 - 13:36

Sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, si shenjë respekti për kontributin e të gjithë mësimdhënësve që kanë dhënë gjithçka nga vetja për edukimin e gjeneratave të reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka shkuar në shtëpinë e familjes Dobruna në Gjakovë, pra në vendin ku ishte lindur e rritur mësuesja e tij e parë, Nafije Dobruna Deva, shkruan Zeri.info.

Kurti u shpreh se mësuesja Nafije ishte person me shumë vlera dhe se ka dhënë një kontribut të pamatshëm për arsimin, edukimin e formimin e tij.

“Jeta e saj ka qenë e vështirë. Babai, Ismaili, i internuar për dy vjet në burg në Vjenë si NDSH-ist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës bie në varfëri meqë pushteti i atëhershëm ia rrëmben pasurinë. Ai vdes pak vjet më pas. Nëna, Qazimja i rrit pesë fëmijë jetim. Më e madhja, Nafija, e mbaron Shkollën Normale dhe bëhet mësuese.

Përveçse një buqetë me lule, Afërditës ia dhurova fotografinë e klasës I/4 me mësuesen Nafije, nga qershori i vitit 1982. Mandej nga klasa e dytë fotografitë zënë e bëhen me ngjyra.

Falënderoj familjen Dobruna për mikpritjen e përzemërt në Ditën e Mësueses.

Urime të gjithë mësimdhënësve 7 Marsi!”, shkroi ai krahas videos së publikuar në Facebook. /Zëri