FSK-ja blen katër dronë nga SHBA-ja, jo dyzet

FSK-ja blen katër dronë nga SHBA-ja, jo dyzet

Aktuale January 26, 2022 - 08:47

Shefi për Komunikim Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Sefer Isufi, ka thënë se nuk janë 40 flutarake (dronë) që janë blerë nga SHBA-ja, por janë katër të tilla.

“Sot u befasuam me informacionin që është shpërndarë në disa prej mediave tona, pavarësisht, është informacion jo i saktë në numrin e dronëve të cekur prej 40 copë. Fjala është për projektin e blerjes së katër dronë të propozuar nga ministri Mehaj dhe miratuar nga ana e qeverisë qysh para shtatë muajve”, ka thënë Isufi.

Tutje, Isufi theksoi se ky është vetëm njëri prej projekteve të shumta që kanë kontraktuar me Shtetet e Bashkuara.

“Nuk janë shumë, ky është vetëm njëri prej projekteve të shumta që kemi kontraktuar me Shtetet të Bashkuara sipas programit shtetëror të shitjeve ushtarake të jashtme që është program i Departamentit të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara te Amerikës, që lehtëson shitjen e armëve, pajisjeve të mbrojtjeje, edhe ne si qeveri e Republikës e Kosovës jemi partner blerës i produkteve që prodhon industria e mbrojtjes”, shtoi Isufi në Klan Kosova.

“Sistemi i avionëve pa pilotë, ‘Puma’, është një sistem i avionëve pa pilotë, bën mbikëqyrjen e zbulimit. Janë funksionale edhe në kushtet dite dhe nate”, deklaroi ai.

Isufi shtoi se ky është kapaciteti i parë që kanë kontraktuar, krahas shumë projekteve.