Ahmeti s'po gjen mbështetje te homologët për taksën prej 10 eurove

Ahmeti s'po gjen mbështetje te homologët për taksën prej 10 eurove

Aktuale October 19, 2020 - 22:56
Image

Komunikacioni i dendur e ndotja e ajrit në Prishtinë, ishin arsyetimet që i pari i kësaj komune, Shpend Ahmeti të bënte një propozim i cili parasheh që të gjithë qytetarët të paguajnë taksë për hyrjen në qendër të kryeqytetit.

Pos taksës për hyrje në pjesë të caktuara në kryeqytet, si zgjidhje për largimin e tollovisë në komunikacion, Ahmeti e sheh edhe ndërtimin e unazës rrugore.

“Meqenëse rrugët janë të ngushta dhe nuk mund të zgjerohen në qendër, atëherë zgjidhja e vetme mbeten ndërtimi i rrugëve alternative (unaza) dhe pagesa e taksës për lëvizje me makinë në pjesë të populluara të qytetit ku ka tollovi dhe që mund të shkaktojnë ndotje. Pra përveç parkingut me pagesë, ne kemi shqyrtuar edhe mundësinë e taksës për lëvizje me makinë në qendër. Në gjuhën angleze njihet si “Congestion Charge” (taksë e tollovisë në njëfarë mënyre). Londra është kryeqyteti që e ka rregullu më së miri këtë sistem. Nuk ka rampa (laura), nuk ka diskriminime, kur të vendoset kjo politikë vlen për të gjithë dhe implementohet me kamera. Thjesht në një qytet të vogël ku mundesh me ec në këmbë prej njërës anë në tjetrën për 30 minuta dhe me ndotje serioze gjatë dimrit, prioritet duhet ta kemi luftimin e përdorimit të panevojshëm të veturave”, ka deklaruar sot Ahmeti, shkruan gazeta “Zëri”.

Detaje të këtij propozimi dha nënkryetari i kësaj komune, Selim Pacolli, i i cili deklaroi se tarifa për hyrjen në kryeqytet do të jetë 10 euro.

“Tarifa është paraparë që minimumi do të jetë 10 euro”, deklaroi ai.

Në këtë debat u përfshinë homologët kosovarë të Ahmetit, të cilët me sa duket nuk ishin mjaftueshëm të informuar mbi këtë ide.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në një përgjigje për “Zërin”, e ka cilësuar këtë propozim si të gabuar, por tha se pret më shumë detaje nga ajo se çfarë ka në mend kjo komunë.

“Po duket se është ide e gabuar por duhet parë më saktë se si po mendon komuna e Prishtinës. Sidoqoftë, gjithçka e ka një çmim. Zhvillimi ekonomik i Prishtinës vjen nga gjithë Kosova dhe çmimi është pak më shumë tollovi. Nëse ndalen ardhjet nga e gjithë Kosova ndalet edhe zhvillimi. Prishtina ka nevojë për lëvizje ndërsa problemet në trafik duhet t’i zgjidhë me avancim të infrastrukturës. Ka qytete në botë që vendosin taksë ekologjike për lëvizje nëpër qendra të tyre, por ato nuk i vendosin në mënyrë diskriminuese për veturat që vinë nga qytetet tjera por për të gjitha veturat, edhe për ato të vetat”, tha ai.

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili tha se 10 euro janë shumë për një qytetar që vazhdimisht qarkullon brenda dhe jashtë kryeqytetit dhe e cilësoi këtë propozim si të kundërligjshëm.

“Një taksë e tillë është kundër ligjit. Taksa prej 10 eurosh është shumë e lartë, por edhe nëse do të ishte 1 euro prapë nuk është e drejtë, është në kundërshtim me ligjin”, tha Haskuka.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka parë të panevojshëm këtë projekt duke theksuar se kjo tarifë nuk është zgjidhje.

“Problemi me lëvizjen, parkingun dhe qasjen e qytetarëve në qendër e kemi edhe ne në Drenas e jo Prishtina. Të gjithë jemi dëshmitarë se një orë në mëngjes e dy pasdite, qarkullimi është i tmerrshëm në Prishtinë, prandaj do rregulluar dhe do marrë vendime të guximshme por jo pagesa për qytetarin”, theksoi ai.

E në një postim të tijin në Facebook, Lladrovci tregoi se është takuar sonte me Ahmetin, ku tha ta kenë diskutuar çështjen e shumëpërfolur së fundmi.

Madje ai pati edhe një propozim për një taksë për rajonin e Drenasit.

"Sonte e takova Kryetarin e Prishtinës, Shpendin, mikun tim, dhe ishte rast ta trajtojmë në shpejtësi çështjen e taksës për parking. Pagesa për autostradën që i takon Drenasit, do të mund të bëhej në Golesh, do të vlente edhe për një lojë guxhas ose pitpitak, si dhe për parkim dyorësh te Stadiumi nacional. Për pengesa, ia kemi marrë dorën moti", shkroi Lladrovci.

Ndryshe nga këta, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e kundërshtoi edhe më ashpër këtë propozim.

Ai tha se hyrja në Prishtinë edhe mund të bëhet me pagesë, por meqë Gjilani i ka tri dalje në kufi, kjo prishtinasve do t’u kthehet dhjetëfish.

“Prishtina është e prishtinasve. Munden edhe me pagesë me e bë, por për dalje në kufi të Kosovës Gjilani i ka tre sosh, kanë me pagua dhjetëfishin e hyrjes së gjilanasve në Prishtinë”, deklaroi Haziri.

E për këtë deklaratë të Hazirit u kundërpërgjigj Shpend Ahmeti i cili i tha se kjo taksë është për të gjithë qytetarët e Kosovës, madje edhe për vetë prishtinasit.

“Luta, kolegu im ka thënë se Prishtina ka me pagu dhjetëfishin e taksës së Prishtinës. Nale dorën Lutë. Sigurisht ja kanë keqinterpretu diçka që shumë mirë e shpjeguam. Nuk është taksë për qytete tjera por pagesë shtesë për një pjesë të qendrës ku ka tollovi shumë me vetura. Kjo vlen për krejt dhe jo veç për regjione të tjera”, tha ai.

Reagim të menjëhershëm kishte pasur edhe nga ish-asamblisti i Vetëvendosjes, në Prishtinë, Eman Rrahmani, i cili deklaroi se një vendim i tillë është i jashtëligjshëm. Ai ka thënë se ideja që parkingu në hyrje të Prishtinës të bëhej me pagesë, ka qenë e subjektit të tij politik.

“Gjatë kësaj deklarate, kryetari ka mund të ketë qenë i dehur në ndonjë prej nejave që i mban me PDK-në gjatë natës. Mirëpo një gjë e tillë është e pamundur të realizohet dhe nuk do të lejojmë të realizohet. Besoj që fjala është për ndërtimin e parkingjeve në hyrje të Prishtinës, i cili ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe aty do ta realizojmë qysh në fillim të mandatit të ri ku kryetari i Prishtinës do të jetë nga LVV.”, ka thënë Rrahmani.

Edhe për këtë nuk hezitoi të reagonte Ahmeti i cili e quajti këtë deklaratë si propagandë.

“Po ashtu lexova se dikush nga Vetëvendosje na paska kritikuar. Së pari duke shpërnda premisa të gabueshme e mandej mbi to duke ndërtu propagandë. Këtij personi që ka qenë përgjegjës për zhvillim të propagandës në Lëvizje i them se ja dërgoj emrat e krejt kryetarëve socialdemokratë e socialistë të cilët mund ti takojnë në Aleancen Progresive e le ti pyesim çka mendojnë ata për congestion zharge”, përfundoi ai.

Ndërkaq, ideja është kundërshtuar edhe nga qytetarë të shumtë nëpër rrjete sociale.

Mirëpo, pati edhe të atillë që e përkrahën idenë, duke thënë se shumica e kundërshtuesve nuk është se janë kundër taksës, por përtojnë të zbresin nga makina e të udhëtojnë me autobus. /Zëri