Osmani: “Vizitat e Gjelbra” rikthejnë vëmendjen tek problemet mjedisore

Osmani: “Vizitat e Gjelbra” rikthejnë vëmendjen tek problemet mjedisore

Aktuale June 25, 2020 - 16:25
Image

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka nisur një iniciativë të vetëdijesimit të popullatës për problemet mjedisore me të cilat përballet vendi ynë.

“Vizitat e Gjelbra”, Osmani synon t’i realizojë nëpër komunat e vendit me qëllim të rikthimit të vëmendjes tek problemet mjedisore dhe sfidat mjedisore me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për “Zërin”, ka thënë ky mision i saj është nisur pas pandemisë dhe përballjes së vendit me këtë sëmundje vdekjeprurëse, gjë e cila e ka konfirmuar rëndësinë e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Sipas saj, vetëm në një mjedis të shëndoshë, qytetarët e vendit mund të shijojnë shëndet të plotë, e kjo pastaj përfundimisht reflektohet edhe në rritjen e produktivitetit ekonomik në vendin tonë.

Sa i përket arritjes së suksesit nga këto vizita, që kryeparlamentarja i ka nisur bashkë me ekipin e saj nga komisionet parlamentare, Osmani thotë se përveç që ndihmojnë në kuptimin e gjendjes në terren, këto vizita ofrojnë mundësinë për të parë nga afër zbatueshmërinë e ligjeve të aprovuara në Kuvend, shkruan “Zëri”.

“Këto vizita po realizohen në frymën e funksionit mbikëqyrës por edhe monitorues të Kuvendit të Kosovës. Së bashku me kolegët e mi nga komisionet parlamentare që mbulojnë fushat përkatëse, respektivisht mjedisin dhe shëndetin, në rolin e përfaqësuesve të popullit, e kemi obligim institucional, e mbi të gjitha moral, të sigurohemi për mirëqenien e qytetarëve si dhe për zbatimin e ligjeve në vend. Konsideroj që këto vizita na ndihmojnë të kuptojmë qartë gjendjen në terren dhe të kuptojmë nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve që i kemi aprovuar si Kuvend, e në të njëjtën kohë do të na ndihmojnë të garantojmë kornizë ligjore konform nevoja të identifikuara në terren”, u shpreh kryeparlamentarja Osmani për “Zërin”.

Vizitën e parë të kësaj iniciative, Vjosa Osmani e ka zhvilluar në komunën e Obiliqit, komunë kjo e cila siç edhe e potencon Osmani është më e prekura nga problemet mjedisore.

Përveç kësaj, në këtë komuna gjinden edhe dy termocentralet që konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj, jo vetëm në Kosovë, por dhe në nivel evropian.

Osmani e ka përmendur aprovimin e Ligjit për Obiliqin në vitin 2016, ligj i cili thotë se nuk është zbatuar, ndërsa zbatueshmëria e tij ishte fokus i diskutimit në mes Osmanit dhe kryetarit të komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

“Në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016 e kemi aprovuar Ligjin për Obiliqin që ende nuk gjen zbatueshmëri të plotë dhe fokusi i diskutimeve tona me kryetarin e komunës [së Obiliqit] ishte pikërisht rreth asaj se si mund të sigurojmë që ligji të zbatohet në plotni”, ka thënë Osmani për “Zërin”.

Gjatë ditës së hënë, të datës 22 qershor, në vizitën e parë “të gjelbër” të kryetares së Kuvendit, u vizitua edhe Korporata Energjetike e Kosovës, vizitë në të cilën Osmani mori zotimet e para për veprime konkrete.

“Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje, pas kërkesës tonë, ka marrë zotimin për shenjëzimin e hapësirës rreth të ashtuquajturit ‘Liqe i kaltër’, hapësirës ujore me rrezikshmëri të lartë të krijuar nga ujërat që rrjedhin nga mbetjet e hirit të djegies së qymyrit që deponohet përmes sistemit hidraulik të termocentraleve”, deklaroi Osmani.

Në anën tjetër, rreth zhvillimit të kësaj vizite që për qëllim ka rikthimin e vëmendjes tek problemet mjedisore, për “Zërin” është deklaruar edhe i pari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Iniciativën e Osmanit, Gashi e sheh si të drejtë dhe të qëlluar, gjë për të cilën thotë se ka qenë e nevojshme të shihen për së afërmi sfidat mjedisore dhe ndikimi i tyre në shëndetin e qytetarëve të Obiliqit.

Gashi për “Zërin” ka zbuluar detaje nga takimi me kryeparlamentaren, ku thekson implementimin e ligjit për Obiliqin, me ç’rast ka bërë edhe kërkesa para saj dhe deputetëve që ishin prezentë.

“Kryetaren znj.Osmani, e njoftova lidhur me fillimin e implementimit të Ligjit për Obiliqin, i cili siç dihet nuk është i implementuar në mënyrë të tërësishme, andaj kërkesa ime si kryetar i komunës së Obiliqit drejtuar kryetares së Kuvendit, znj.Osmani dhe deputetëve prezentë, ishte që të bëhet plotësimi i këtij ligji me aktet nënligjore, siç është çështja e ambientit të plotësohet me aktet nënligjore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, aspekti shëndetësor dhe specifikat e saj të plotësohen me aktet nga Ministria e Shëndetësisë, çështja e punësimit e cila ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e këtyre qytetarëve që dhurojnë dritë për gjithë Kosovën, ndërsa dëmet mjedisore e ndikimet në shëndet i mbesin Obiliqit, të plotësohen me aktet nënligjore nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Gashi për “Zërin”.

Në fund, kreu i komunës së Obiliqit e ritheksoi se ka marrë zotimin nga ana e kryeparlamentares dhe deputetëve pjesëmarrës në takim, se do të iniciohen tema ambientale dhe aspekte të tjera që ndërlidhen me Obiliqin si shkak i operimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, në seancat e ardhshme të Kuvendit. /Zëri