Miftaraj: Thaçi e Veseli mund të iniciojnë procedura disiplinore ndaj Prokurorisë Speciale për publikim të emrave
Foto: Laura Hasani

Miftaraj: Thaçi e Veseli mund të iniciojnë procedura disiplinore ndaj Prokurorisë Speciale për publikim të emrave

Aktuale June 25, 2020 - 15:19
Image

E shtuna e datës 27 qershor, nga shumë u mendua se do të ishte dita kur ngërçi i dialogut me Serbinë do të tejkalohej më në fund pas më shumë se 2 vjetësh bllokadë.

Derisa vendi po përgatitej për një dialog me qëllim njohjen nga ana e Serbisë si dhe për zgjidhjen e problemeve tjera të cilat qëndrojnë mes dy shteteve, Prokuroria Speciale goditi vendin duke publikuar aktakuzën kundër presidentit Hashim Thaçi.

Përveç presidentit, në aktakuzë, me emër dhe mbiemër si i dyshuar për 100 vrasje, akuzohet edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Për këtë çështje, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për “Zërin”, ka thënë se aktakuza ndaj presidentit dhe kreut të PDK-së, me emër dhe mbiemër, është selektive pasi që emri i të akuzuarve të tjerë nuk është përmendur në aktakuzë.

“Është një praktikë e re e Prokurorisë në lidhje me publikimin e emrave të personave të akuzuar, nuk duhet harruar faktin se e njëjta prokurori kishte ngritur aktakuza edhe më herët, dhe asnjëherë deri më tani nuk i kishte publikuar emrat e personave të akuzuar në të njëjtën kohë edhe kjo prokurori ka qasje selektive pasi i ka publiku emrat e vetëm të dy të akuzuarve në këtë rast, të Thaçit dhe Veselit, dhe jo edhe të personave të tjerë”, tha për “Zërin” Miftaraj.

Sipas tij, avokatët e presidentit dhe kreut të PDK-së kanë të drejtë të hulumtojnë nëse është bërë shkelje, e në rast se del një gjë e tillë, kanë të drejtë për të iniciuar procedura disiplinore ndaj Prokurorisë Speciale.

“Përderisa në njërën anë mund të themi që në bazë të ligjit, prokurori i rastit e ka për obligim që me qellim të ruajtjes së integritetit, pavarësisë e paanshmërisë së rastit të ndërmarrë masat të cilat në njëfarë forme e garantojnë një gjë të tillë, i njëjti prokuror për publikimin e emrave sigurisht që duhet të jetë llogaridhënës para ligjit por edhe para gjyqtareve të procedurës. I njëjti duhet të ketë arsye të forta dhe prova të forta për ta bërë një gjë të tillë. Avokatët e Thaçit dhe Veselit duhet të rishikojnë dhe nëse gjejnë se prokurori ka bërë ndonjë shkelje, duhet të iniciojnë edhe procedura disiplinore”, u shpreh më tutje ai.

Njëjtë si për vendin tonë edhe për shtetet tjera është dëmtim i imazhit që përfaqësuesit politikë të akuzohen për krime lufte, ndaj siç thotë Miftaraj, Kosova do të përballet për pak kohë me tituj gazetash e edhe do të jetë temë në të gjithë botë, gjë e cila sipas Miftarajt, nuk është aspak e mirë

“Asnjë shtet në botë nuk dëshiron dhe nuk duhet të jetë në titujt kryesor të gazetave botërore se “presidenti apo përfaqësuesit janë të akuzuar për krime lufte”, imazhi i Kosovës për disa ditë do të jetë temë në të gjithë botën, dhe kjo nuk është aspak e mire”

Presidenti duhet të japë dorëheqje, të tregojë se Kosova dhe populli është më i madh se ai

Edhe pse në bazë të Kushtetutës, presidenti Hashim Thaçi nuk është i obliguar të japë dorëheqje nga pozita e tij pas publikimit të aktakuzës, sipas Miftarajt, hapja e rrugës nga ana e tij do të tregonte që presidenti ruan integritetin e zyrës dhe me dorëheqje, Thaçi tregon se e sheh vendin dhe popullin e tij më të madh se sa vetë ai.

“Është fakt që në bazë të Kushtetutës, presidenti nuk është i obliguar të japë dorëheqje, as nuk mund të shkarkohet derisa të kemi një dënim të formës së prerë për një vepër të rëndë penale. Në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me një aktakuzë e cila nuk është konfirmuar. Besoj që presidenti me qellim të ruajtjes së integritetit të zyrës dhe Republikës së Kosovë, dhe me qellim të përçojë mesazh se Republika e Kosovës, populli i saj, është më i madh se ai vet, unë besoj se i njëjti do të duhej të hapte rrugë”, u shpreh më tej Miftaraj.

Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë ushtruese e detyrës së postit të presidentit do të jetë kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Sipas Miftarajt, për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm, e në veçanti për përfshirjen në dialog, Vjosa Osmani duhet të jetë shumë e përgatitur dhe të ketë platformë për të dialoguar.

“Unë besoj që në radhë të parë, çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë duhet të ketë legjitimitet, gjë që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Unë besoj që në rast të pozitës vakante të presidentit, automatikisht kryetarja e Kuvendit e zëvendëson për një periudhë kohore më së shumti deri në gjashtë muaj. Përsëri këtu kemi të bëjmë me faktin se varet nga partitë politike nëse do të mund të gjejnë një konsensus për të emëruar një president të ri. Qoftë zonja Osmani, qoftë çdo pozitë tjetër institucionale, por edhe partitë politike, në këtë fazë nuk mund të shkojnë të papërgatitur në dialog dhe në këtë fazë unë besoj që Kosova, pas aktakuzave, duhet të gjejë vullnetin, guximin, të unifikohen, bashkohen për dialog me Serbinë”, tha Ehat Miftaraj.

Për reflektimin e opozitës që të bashkëpunojë me qeverinë në raport me dialogun Kosovë-Serbi pas zhvillimeve të fundit, Miftaraj mendon se të gjitha partitë politike duhet të sakrifikohen për të pasur një zgjidhje përfundimtare.

Ai thotë se interesat personale e ato partiake duhet lënë anash nëse interes i tyre është Kosova dhe populli i saj, dhe se vetëm në këtë mënyrë zgjidhja përfundimtare do të jetë më e mirë, shkruan “Zeri”.

“Partitë politike, pozitë-opozitë, duhet t’i lënë anash interesat partiake, politike, në raport me Serbinë. Nuk duhet të jetë në agjendën e tyre të fitojnë disa vota shtesë. Unë besoj që nëse partitë e kanë interes Kosovën, popullin e saj, duhet të sakrifikojnë në mënyrë që zgjidhja përfundimtare Kosovë-Serbi të jetë më e mirë, dhe secila parti duhet të japë kontribut në këtë drejtim. Të gjitha partitë, gjithë fuqinë që e kanë, sot duhet ta fokusojnë drejt një qëndrimi unik në raport me Serbinë për zgjedhjen përfundimtare”, potencoi Miftaraj.

Por pavarësisht kësaj Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, mendon se partitë duhet të bëjnë një pauzë sa i përket dialogut, pauzë kjo për disa muaj, në mënyrë që sipas tij të koordinohen, bashkohen dhe të jenë një zë në raport me dialogun.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, e ka njoftuar publikun të mërkurën (24 qershor) se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila e ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe të tjerë me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Pas këtij njoftimi, Thaçi tha se e ka informuar Grenellin se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, ndërsa mëngjesin e sotëm, të njëjtën e tha edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti./Zëri