Hoti e Thaçi në garë për ta udhëhequr dialogun – opozita kushtëzon bashkëpunimin
Foto: Zeri

Hoti e Thaçi në garë për ta udhëhequr dialogun – opozita kushtëzon bashkëpunimin

Aktuale June 11, 2020 - 09:54
Image

Po bëhen gati 10 vjet prejse ka nisur procesi i dialogut Kosovë-Serbi, por spektri politik në vend po vazhdon të mos bjerë në ujdi sa u përket bisedimeve me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para akademikëve e mysafirëve të tjerë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka prezantuar kornizën e planit të Qeverisë së tij për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndonëse gjatë fazës së fundit procesin e ka drejtuar presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Hoti ka thënë se negociatat tash e tutje do t’i kryesojë ai si shef i ekzekutivit.

Me këtë rast ai ka paraqitur tri parime, me të cilat Qeveria parasheh t’i qaset dialogut.

“Kompetencat e mia janë betonizuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Tri parime janë kryesore, të cilat do t’i përmbajë dialogu: I pari është se integriteti territorial është i panegociueshëm. E dyta, një marrëveshje që duhet të arrihet për njohje reciproke. Organizimi kushtetues dhe shtetëror është i panegociueshëm. E treta është se marrëveshja që arrihet duhet të jetë në frymën e Kushtetueses”, ka deklaruar Hoti.

Përkundër deklaratës së kryeministrit Hoti, presidenti i vendit Hashim Thaçi, në përvjetorin e 21-të të përfundimit të bombardimeve të NATO-s, para medieve ka deklaruar se roli i tij në dialogun me Serbinë do të vazhdojë të jetë i njëjtë.

Kjo, siç thotë ai, bëhet për shkakun se presidenti përfaqëson vendin si brenda, ashtu edhe jashtë e një gjë të tillë bëhet e çartë edhe në Kushtetutën e vendit.

“Roli i presidentit në dialogun me Serbinë është ai që ka qenë gjithmonë, presidenti i vendit përfaqëson vendin brenda dhe jashtë dhe ai që e lexon Kushtetutën dhe e njeh atë e di këtë rol shumë qartë. Ne si spektër politik ose institucional duhet të zhvillojmë një proces të ecjes përpara sa më gjithëpërfshirës. Kemi një qeveri të pakicës shqiptare që duhet të punojmë edhe me opozitën dhe në këtë drejtim duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në fund të fundit çështja i takon parlamentit që çdo marrëveshje e arritur gjithmonë duhet të kalojë përmes tij”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, “Zëri” gjatë ditës së djeshme ka dërguar pyetje në Presidencë për të marrë sqarime shtesë për këtë çështje, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar për “Zërin” se është pro arritjes së një uniteti politik rreth dialogut, por kundër çfarëdo lëvizjeje të kufijve aktualë të Kosovës.

“Uniteti i faktorit politik duhet të ndërtohet mbi bazën e parimit të paprekshmërisë së kufijve aktualë të Kosovës, paprekshmërisë së sovranitetit të vendit, si dhe të rendit kushtetues”, është shprehur Osmani.

Ndërkohë, edhe partitë politike kanë qëndrime të ndryshme sa i përket këtij procesi. Derisa zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje konsiderojnë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje për t’u rikonfirmuar vullneti i qytetarëve për përfaqësim politik, ata të PDK-së kanë tri parakushte për t’i përkrahur negociatat me Serbinë.

Abazi: S’ka unifikim derisa është i hapur kapitulli i ndarjes

Për çështjen e njëjtë ish-zëvendëskryeministri i qeverisë “Kurti”, Haki Abazi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se i gjithë orkestrimi i rrëzimit të qeverisë “Kurti” ka ardhur si rezultat i mbajtjes dhe tentimit të udhëheqjes së dialogut nga ana e presidentit, agjendë së cilës, siç shprehet ai, i është subordinuar LDK-ja për arsyet që ata i dinë.

Më tutje Abazi ka thënë se nuk ka unifikim për ndarje të territorit të vendit.

“Por nuk mund të ketë unifikim në një agjendë e cila është sekrete dhe e cila në të gjitha parametrat e atyre që dihen e janë deklaruar sidomos nga vetë Thaçi shkon drejt ndarjes së vendit. Nuk ka unifikim për ta ndarë territorin e vendit për ta shkelur Kushtetutën e vendit edhe për ta sjellë Kosovën në situatën e paranjohjeve, sepse kemi parasysh se të gjitha njohjet kanë ardhur si rezultat i shpalljes së pavarësisë në gjithë territorin e vendit”, theksoi Abazi për “Zërin”.

Ai më tutje thotë se nuk ka unifikim derisa presidenti i vendit po tenton të krijojë tensione në vend duke përdorur gjuhen e urrejtjes ndaj zyrtarëve të LVV-së, Kurtit, e tash në fund edhe për shpifjet, sipas tij, që po i bën ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani.

“Në vend se të bëhet konsolidimi i shtetësisë, tani këta kanë hapur kapitullin e ndarjes, ndryshimit të kufijve me Serbinë vetëm për të qëndruar përbrenda agjendave dhe kalkulimeve të cilat i kanë bërë, kryesisht janë ato që janë karakterizuar si kthim i dhuratës së Rankoviqit një marrëveshje e dhimbshme, të cilën e kanë quajtur ata dhe në fund idenë që duhet dhënë Serbisë diçka që ajo ta njohë Kosovën. Të gjitha këto e bëjnë të pamundur një lloj unifikimi, sidomos kur kemi gjuhën e urrejtjes, të cilën presidenti është duke përdorur në të gjitha anët, akuzat e rrejshme ndaj zyrtareve të LVV-së, sidomos Kurtit dhe tani edhe akuzat e ulëta ndaj Osmanit, të cilat po tentojnë me çdo kusht të krijojnë tensione në vend”, shtoi më tutje Abazi.

Ish-zëvendëskryeministri rithekson se as skena politike e as populli nuk pranojnë ndarjen e territorit, as një marrëveshje me të cilën vendi humb subjektivitetin ndërkombëtar për qëllimet që ka presidenti.

“As populli, as skena politike që ka marrë votat e qytetarëve, nuk e pranojnë ndarjen e as marrëveshjen ku Kosova humb subjektivitetin e saj ndërkombëtar për shkak të qëllimeve që ka presidenti në marrëveshjen me Serbinë”, tha ai.

Në fund, Abazi thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje për t’u rikonfirmuar vullneti i qytetarëve për përfaqësim politik.

“ Në këtë kompozicion politik është e pamundur të kryen detyrat e shtëpisë e lëre më të hyhet në dialog me një shtet armik, i cili ka pasur për qëllim ta shfarosë popullin dhe tani ka për qëllim që ta zhdukë e të mos e njohë shtetësinë e vendit. Çdo rrugë dërgon drejt zgjedhjeve, sepse duhet rikonfirmuar vullneti i qytetarëve për përfaqësimin politik”, ka thënë Abazi për “Zërin”.

Tri parakushtet e PDK-së për t’i përkrahur negociatat me Serbinë

Në anën tjetër, ish-zëvendëskryeministri gjatë qeverisë “Haradinaj”, njëherësh nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe qasjen e Partisë Demokratike të Kosovës thotë se varet nga serioziteti që ka Qeveria në raport me procesin e që ky proces, sipas tij, matet fillimisht nga platforma që mund të hartohet për dialog.

Hoxhaj me këtë rast ka bërë të ditur se PDK-ja i ka tri parakushte për t’i mbështetur negociatat me Serbinë.

Rëndësi për këtë çështje Hoxhaj thotë se ka edhe qasja politike dhe krejt varet se a i besojnë ose jo partnerët e koalicionit dialogut si proces.

Për “Zërin” Hoxhaj thotë se PDK-ja si parti nuk mund ta parashohë sjelljen në këtë raport, derisa Qeveria nuk i hyn këtij procesi me vullnet dhe vetëbesim.

“Varet nga qasja politike se a i besojnë partnerët e koalicionit ose jo dialogut si proces! PDK-ja çdoherë u ka besuar qëllimeve dhe pritjeve të një procesi të tillë, përderisa LDK-ja dhe AAK-ja e kanë bërë të kundërtën. Nëse Qeveria nuk hyn në diçka si dialogu me vullnet të plotë dhe vetëbesim, nuk mund të them asgjë se si mund të sillemi ne. Këtu çështja është se a do dërgojnë në arkiv të historisë populizim në raport me dialogun”, u shpreh më tutje Hoxhaj.

Sipas tij, dialogu nuk do ta ketë mbështetjen e PDK-së nëse e tërë politika e jashtme reduktohet në të.

“Do të varet se do ta ndërtojnë një politikë të jashtme koherente, ku dialogu është pjesë e saj dhe jo politika e jashtme si pjesë e dialogut. Nëse e tërë politika e jashtme reduktohet në dialog, kjo nuk do e ketë mbështetjen e PDK-së”, përfundoi Hoxhaj.

Në anën tjetër, derisa ka folur rreth zhvillimeve të dialogut, njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri ka vlerësuar se arritja e unitetit politik lidhur me këtë proces është në interes të shtetit të Kosovës. Kjo ide, siç është shprehur Tahiri, ishte proklamuar edhe nga ish-kryeministri Albin Kurti.

“Ai [Kurti] kishte paraparë që Qeveria të udhëheqë dialogun dhe në krye të ekipit shtetëror të Kosovës të jetë kryeministri, si dhe ishte paraparë vend për opozitën, Parlamentin, presidentin. Mendoj që Kurti ishte parimor, ideja ishte në interes kombëtar dhe shtetëror dhe besoj se Kurti si lider i opozitës dhe i Vetëvendosjes do të marrë pjesë, ashtu siç edhe e kishte paraparë kur ishte në pushtet. Pra kjo është një formë e arritjes së konsensusit dhe unitetit të Kosovës karshi Serbisë”, tha për “Zërin” Tahiri.

.