Badoci në gjendjen më të rëndë prej 2007-s, priten reduktime të ujit nga korriku

Badoci në gjendjen më të rëndë prej 2007-s, priten reduktime të ujit nga korriku

Aktuale June 01, 2020 - 15:07
Image

Gjatë javës së kaluar në vendin tonë ka mbretëruar mot i vranët dhe me të reshura të vazhdueshme të shiut, por këto reshje nuk kanë qenë të mjaftueshme për mbushjen e liqeneve akumuluese nën menaxhim të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”.

Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësja e këtij institucioni, Arjeta Mjeku, e cila theksoi se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur ngritje të nivelit të ujit as në Batllavë e as në Badoc.

Ndonëse tani për tani furnizimi me ujë të pijshëm po bëhet pa reduktime, ajo thotë se KRU “Prishtina” ka planifikuar që nga muaji korrik të fillojnë reduktimet.

“Reshjet kanë qenë të mirëseardhura, por jo të mjaftueshme sa për të mbushur liqenet akumuluese, prej nga furnizohen pjesa dërrmuese e konsumatorëve tanë. Tash për tash furnizimi është stabil, por planifikojmë që nga muaji korrik 2020 të fillojmë me aplikimin e reduktimeve të ujit, me theks të veçantë të atyre zonave që furnizohen nga sistemi i Badocit dhe se planifikimi i reduktimeve do të jetë i fokusuar gjatë orëve të natës, kur ka edhe rënie të konsumit, gjë që konsumatorët të mos e vërejnë shumë mungesën e ujit gjatë ditës, atëherë kur u nevojitet më së shumti”, u shpreh Mjeku.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina” tha se gjatë pandemisë, duke filluar nga muaji mars, konsumi i ujit ka qenë në rritje dhe se njëjtë po vazhdon edhe më tutje.

Ajo ka potencuar se gjendje më e keqe mbretëron në liqenin e Badocit, ku niveli i ujit është më i ulët, i krahasuar me atë të Batllavës. Madje, sipas saj, një gjendje e tillë e liqenit të Badocit nuk ka qenë që nga viti 2007.

“Niveli i ujit në liqenin e Badocit është 639.40 metra mbi nivelin e detit, ose 10.45 m nën nivelin e kapërderdhjes, derisa liqeni i Batllavës është 627.15 metra mbi nivelin e detit, ose 7.85 metra nën nivelin maksimal të kapërderdhjes. Badoci nuk ka qenë me keq që nga viti 2007, sipas statistikave që kemi”, tha Mjeku.

Zyrtarja për informim e KRU “Prishtina” ka bërë kërkesë te konsumatorët që të mos e përdorin ujin e pijshëm në raste të panevojshme.

“Apelojmë te të gjithë konsumatorët që ujin e pijshëm ta përdorin në mënyrë sa më të drejtë, për higjienë dhe për nevoja shtëpiake, por assesi ta lëmë ujin të rrjedhë kot nga rubinetet e banimeve tona”, ka thënë ajo.

Krejt në fund, Mjeku ka bërë thirrje drejt konsumatorëve që të kryejnë rregullisht pagesat e faturave të ujit, ngase operimi i ndërmarrjes ndërlidhet me pagesat e konsumatorëve për shërbimet e ofruara. /Zëri