Studentët: Ministrja ka dy alternativa - të tërheqë vendimin për emërimet në KD të UP-së ose të dorëhiqet
Foto: Laura Hasani

Studentët: Ministrja ka dy alternativa - të tërheqë vendimin për emërimet në KD të UP-së ose të dorëhiqet

Aktuale May 19, 2020 - 11:29

Një grup prej rreth 20 studentëve dhe përfaqësues të disa organizatave studentore kanë protestuar sot para objektit të Ministrisë së Arsimit për të kundërshtuar vendimin e ministres Hykmete Bajrami për emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të UP-së.

Ata i kanë kërkuar ministres Bajrami të tërhiqet nga vendimi për emërimin e anëtarëve të rinj, pasi sipas tyre janë njerëz të kolegjeve private dhe nuk janë të besueshëm për pozitat, duke kërkuar të zëvendësohen, raporton “Zeri.info”.

“Autonomia e UP-së po vihet në rrezik dhe ne këtë nuk do ta lejojmë. Interferimi i bizneseve në UP, të cilat do të ndikojnë në standardin e UP-së, ne nuk do t’i lejojmë e as nuk do t’i pranojmë. Universiteti i Prishtinës është institucion publik dhe si i tillë nuk duhet të lihet të ushqejë apetitet e biznesmenëve”, ka thënë Falmur Pireva, nga organizata “Studim, kritikë, veprim”.

Ai ka thënë se ministrja Bajrami ka dy alternativa pas këtij vendimi, e ato janë: tërheqja nga vendimi ose dorëheqja e saj.

“Ministrja do të duhet ta kishte të qartë se UP-ja është burim i rezistencës. Pas disa ditësh ne e kemi bërë të qartë se nuk presim gjatë. Thirrja jonë ka qenë tërheqje ndaj vendimit të emërimit të anëtarëve të rinj në Këshillin Drejtues, të cilët janë shërbyes të kolegjeve private. Ministrja ka dy alternativa: ose të tërhiqet, ose të dorëhiqet. Fati i kësaj ministre të mos lidhet me anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues”, ka thënë Pireva.

Protesta është shpërndarë e qetë, ndërsa kanë paralajmëruar protesta e tjera në rast se vendimi nuk tërhiqet deri në fund të javës. /Zëri