Tahiri: Mandati për formimin e qeverisë t’i jepet LDK-së

Tahiri: Mandati për formimin e qeverisë t’i jepet LDK-së

Aktuale April 22, 2020 - 13:03
Image

Ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po pret thirrjen e presidentit për të marrë të drejtën për formimin e qeverisë, një gjë e tillë nuk dihet nëse do të ndodhë, kjo pasi, sipas njohësve të çështjeve juridike, nuk ka një afat të caktuar se kur Lëvizja Vetëvendosje duhet të dërgojë emrin e mandatarit të ri. Si pasojë e këtij vakuumi juridik, sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje mund ta zvarrisë çështjen e dërgimit të emrit.

Politologu Ramush Tahiri për “Zërin” ka thënë se për të mos u humbur kohë dhe vendi të mos udhëhiqet nga një qeveri e shkarkuar presidenti mundet që të kërkojë sqarim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me çështjen e afatit për përgjigjen e mandatarit.

Tahiri, teksa ka folur për “Zërin”, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po kërkon zgjedhje të reja, meqë nuk po gjen partner koalicioni për të shfrytëzuar të drejtën e të parit për ta formuar qeverinë. Sipas tij, synimi i LVV-së është që përmes shkuarjes në zgjedhje të reja ta marrë pushtetin e vetme, duke siguruar kështu më shumë se 50% të votave.

“Zgjedhjet e tjera normalisht që do të prodhojnë një legjitimitet tjetër të delegimit dhe të përfaqësimit. Duket se Lëvizja Vetëvendosje nuk po mundet të gjejë partner koalicioni, që duke e shfrytëzuar të drejtën e të parit ta bëjë një qeveri të re, tashmë jo me kryeministër liderin e saj Albin Kurtin. Në mungesë të kësaj zgjidhjeje, atëherë Vetëvendosja me faktin se i ka 29 deputetë po kërkon zgjedhje të reja parlamentare, me arsyetimin se mandati pas rrëzimit të qeverisë duhet t’i kthehet sovranit e me shpresën e pritur se LVV-ja me shkallën e rritjes që e ka do të dyfishohet, duke marrë më shumë se pesëdhjetë për qind të votave e duke e bërë e vetme qeverinë , ndërsa duke i marrë në qeveri partitë e minoriteteve vetëm për aq sa e ka për obligim kushtetues”.

Tahiri shtoi se juridikisht nuk është e përcaktuar se kur Lëvizja Vetëvendosje duhet ta dërgojë emrin e mandatarit te presidenti i vendit. Ndërkohë, sipas tij, LVV-ja po e shfrytëzon këtë vakuum juridik që të mbetet në funksion si qeveri në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme.

“Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës nuk e parashohin një afat konkret kohor se kur Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i dërgojë emrin e mandatarit presidentit të Kosovës për dekretim. Në mungesë të një qartësimi të tillë Vetëvendosja nuk e ka ndërmend të përgjigjet, pra as të refuzojë mandatin dhe as të dërgojë emrin e tij, duke e lënë situatën e pazgjidhshme, duke e sfiduar presidentin të marrë vendim njëanshëm dhe në situatë juridikisht të padefinuar. Ndërsa Qeveria e udhëhequr nga lideri i Vetëvendosjes të jetë në detyrë me tendencë të mbesë edhe në funksion të plotë deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha tutje ai.

Për të mos u humbur kohë dhe vendi të mos udhëhiqet nga një qeveri e shkarkuar Tahiri mendon se presidenti ka mundur të kërkojë sqarim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me çështjen e afatit për përgjigjen e mandatarit. Megjithatë, Tahiri konsideron se për formimin e qeverisë në këtë rast duhet t’i jepet e drejta LDK-së, e cila ka vetëm një deputet më pak se LVV-ja. “Konsiderohet e drejtë që ky mandat t’i jepet Lidhjes Demokratike të Kosovës që i ka 28 deputetë, pra një më pak se Lëvizja Vetëvendosje, e cila me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe partitë e minoriteteve do t’i bënte 66, nga 61 të nevojshme dhe do të zgjidhej në Kuvendin e Kosovës”, tha Tahiri për “Zërin”.

Ndërkaq për paralajmërimin e protestave nga një grup në rrjetin social “Facebook” për të dalë me një manifestim të ashtuquajtur “Për mbrojtjen e Republikës”, ku kërkohet që çështja e qeverisë së vendit të zgjidhet përmes zgjedhjeve, Tahiri thotë se përmes protestave LVV-ja po synon që të provokojë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku do të dilte fituese.

“Vetëvendosja ka paralajmëruar protesta masive të qytetarëve dhe kjo është një e drejtë, një metodë e saj politike tashmë e sprovuar sa e sa herë me rezultate të njëmendta dhe të dyshimta, me pasoja dhe pa pasoja për njerëzit, për pasurinë dhe për institucionet. Vetëvendosja, edhe pse po aq e barabartë sa edhe LDK-ja, konsideron se tash në popull është krijuar një legjitimitet i ri i ndryshëm nga 6 tetori i vitit të kaluar dhe nëpërmjet demonstratave synon të provokojë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku do të dilte fituese”, u shpreh ai.

Ndërkohë ka theksuar se protestat nuk janë zgjidhje për të ardhur në pushtet.

“Ekziston gjithmonë rreziku që protestat të dalin jashtë dore dhe jashtë parashikimit e kontrollit. Gjithsesi angazhimi për dalje në rrugë nuk është gjithherë ndërmarrje demokratike dhe masë e qëlluar, por Vetëvendosja, ashtu siç edhe në të kaluarën, sigurisht i analizon dhe i vlerëson me dobitë e dëmin për partinë, për institucionet, për shtetin dhe për popullin. Por është e ditur se rruga nuk të sjellë në pushtet, edhe atëherë kur të sjellë kjo është për shkurt dhe zakonisht si vjen, ashtu edhe shkon”, përfundoi Tahiri. /ZËRI

Image