Tetë rastet pozitive me COVID-19 në Pejë janë anëtarë të një familjeje

Tetë rastet pozitive me COVID-19 në Pejë janë anëtarë të një familjeje

Aktuale April 21, 2020 - 10:49

Tetë anëtarë të një familjeje në Pejë mbrëmë kanë dalë pozitivë për COVID-19. Personi më i ri në moshë i infektuar është një 28-vjeçar. Detaje rreth këtyre rasteve dhe gjendjes së të infektuarve ka dhënë drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.

Në një prononcim për gazetën “Express” Loci ka thënë se sot nuk kanë dërguar për testim asnjë rast.

Ai ka treguar se të gjitha rastet që u konfirmuan mbrëmë janë të një familjeje, që jeton në lagjen “Kristal” të Pejës. Sipas tij, gjendja e të gjithë të infektuarve është stabile.

Deri tash nga kjo komunë janë shëruar katër persona, derisa pacientja e parë e infektuar ka ndërruar jetë.

“Janë 8 raste pozitive nga lagjja ‘Kristal’ e Pejës, të një familjeje të gjithë. Moshat:28, 23, 47, 65, 19, 60 dhe 40. Sot nuk kemi raste që kemi dërguar per testim. Gjendja shëndetësore e tetë të infektuarve është stabile dhe pa simptoma. Numri total i të prekurve në Pejë është 15, prej të cilëve një i vdekur, 4 të shëruar dhe të tjerët në trajtim”, ka thënë Loci.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mbrëmë ka konfirmuar 37 raste të reja me COVID-19. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Lipjani, Peja, Prishtina, Prizreni, Podujeva, Zubin Potoku, Shtimja, Vitia dhe Zveçani.

“Sot, më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2 janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e shtatë (37) raste”, ka njoftuar Instituti.

Me këto raste numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 598. Në mesin e tyre 123 pacientë janë shëruar, ndërsa 16 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Duke u bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30 dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.