Infektologu kosovar thotë se situata me COVID-19 është duke u menaxhuar mirë
foto: Laura Hasani

Infektologu kosovar thotë se situata me COVID-19 është duke u menaxhuar mirë

Aktuale April 09, 2020 - 14:06

Epidemiologu kosovar Isuf Dedushaj ka thënë për “Zërin” se situata me virusin COVID-19 është duke u menaxhuar mirë në Kosovë.

Ai është shprehur se nevojat për pajisje janë të shumta, por edhe mjetet e ndara nga Qeveria janë për t’u përshëndetur.

“Tani për tani situata është duke u menaxhuar mirë dhe është një fat i mirë që mjekët dhe infermieret janë të paprekur nga sëmundja (pos 5 infermierëve dhe një mjeku), ndërsa në botë situata është ndryshe, ku edhe mjekë dhe infermierë kanë përfunduar fatalisht. Besoj se kapacitetet tani për tani janë të mjaftueshme e në rast keqësimi do të shfrytëzohet edhe Klinika e Pulmologjisë, e Dermatologjisë, por edhe klinikat tjera”, ka thënë ai.

Duke e parë numrin e madh të punëtorëve shëndetësorë të infektuar në shtetet tjera, Dedushaj ka thënë se përvoja e madhe me sëmundjet ngjitëse shumë të rënda në Kosovë ka bërë që infektologët e Kosovës të krijojnë përvojë të madhe se si të mbrohen. “Përvoja e madhe më sëmundjet ngjitëse shumë të rënda në Kosovë ka bërë që infektologët dhe epidemiologët e Kosovës të krijojnë një përvojë të madhe se si të mbrohen në këto kushte të jashtëzakonshme. Është për t’u përshëndetur edhe angazhimi i disa grave humaniste në qepjen e maskave, por edhe atyre pedagogëve dhe studentëve që po përgatisin maska dhe aparatet për oksigjenim”, ka shtuar ai./Zëri/ A.B.