Qendra e Mjekësisë Familjare në Gjilan ofron shërbime falas për qytetarët

Qendra e Mjekësisë Familjare në Gjilan ofron shërbime falas për qytetarët

Aktuale April 07, 2020 - 14:17

Njëra nga qendrat e mjekësisë familjare në Gjilan ka vendosur të ofrojë shërbime pa pagesë për qytetarët, raporton “Zëri.info”.

Nga kjo qendër kanë treguar për “Zërin” se kontrollet për të cilat qytetarët është dashur të paguajnë nga një e dy euro, tani të gjitha do të jenë falas.

Mirëpo një praktikë e tillë nuk po përcillet edhe nga qendrat e mjekësisë familjare në komunat tjera.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj, ka thënë për portalin se shërbimet shëndetësore në këtë komunë po ofrohen në bazë të udhëzimeve dhe çmimores së lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas saj, nuk kanë marrë ndonjë vendim për të ofruar shërbime falas. “Shërbimet shëndetësore ofrohen në bazë të udhëzimeve dhe çmimores, e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, meqenëse nuk kemi vendim për lirimin nga bashkë pagesat për shërbimet e ofruara”, ka thënë ajo.

Përndryshe, sa u përket personave të infektuar me koronavirus dhe shërbimeve që u ofrohen atyre, Hasanaj është shprehur se për momentin nuk kanë ndonjë rast të konfirmuar, por që pacientëve të dyshuar u ofrohen të gjitha shërbimet. “Për momentin deri më tani nuk kemi raste të konfirmuara me koronavirus në KPSH Mitrovicë. Pacientëve të dyshuar u ofrohen të gjitha shërbimet duke u bazuar në protokollet dhe në vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve”, shtoi ajo./Zëri/ A.B.