Ankohen serbët e Suhadollit: S’e dimë a jemi me veri a me jug

Ankohen serbët e Suhadollit: S’e dimë a jemi me veri a me jug

Aktuale February 07, 2020 - 08:35
Image

Serbët e Suhadollit të Mitrovicës, një fshat multietnik i banuar me shqiptarë dhe me serbë, kanë vlerësuar se janë banorë të “tokës së askujt”, pasi pikërisht Suhadolli është bërë pikë kontestuese e definimit të kufirit në mes të Mitrovicës së Veriut dhe të asaj të Jugut. Mujka: Suhadolli i takon Mitrovicës së Jugut, është e definuar me Pakon e Ahtisaarit, shkruan gazeta "Zëri".

Suhadolli i Mitrovicës është fshat multietnik, i cili banohet me shqiptarë dhe me serbë, derisa këta të fundit ankohen se janë banorë të “tokës së askujt”, pasi nuk i takojnë as Mitrovicës së Veriut e as asaj të Jugut. Ata përsërisin se nuk e dinë cilës komunë i takojnë, veriut ose jugut, pasi pikërisht Suhadolli është bërë pikë kontestuese për definimin e kufirit në mes të dy Mitrovicave.

Komuna Jugore e Mitrovicës para pak kohësh është përpjekur t’i vendosë tabelat e rrugëve edhe në anën e Suhadollit të banuar me serbë, por këta nuk kanë lejuar dhe i kanë larguar ato, duke siguruar se ajo pjesë i takon veriut të Mitrovicës. Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se të gjithë duhet ta dinë se Suhadolli është pjesë e Mitrovicës së Jugut me Planin e Ahtisaarit dhe në këtë mënyrë ne i kanë përgatitur tabelat me emrat e të gjitha rrugëve dhe ato i kanë vendosur.

“Disa njerëz kanë qenë të pakënaqur me këtë dhe ne jemi përpjekur që këtë punë ta rregullojmë unë dhe Rakiqi. Duhet të punojmë bashkërisht që kjo të rregullohet”, ka thënë Bahtiri. Ndërkaq kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, nuk është pajtuar që tabelat e rrugëve të vendosen pa u definuar kufiri në mes të dy komunave.

Serbët: Shpërngulemi nëse mbesim me Mitrovicën e Jugut

Përfaqësuesi i serbëve të Suhadollit, Miço Kragoviq, u ka thënë medieve serbe se banorët nuk dinë cila qeverisje lokale është kompetente për ta. Sipas tij, nëse shikohet pozita gjeografike, atëherë Suhadolli duhet t’i takojë Mitrovicës së Veriut, ndërkaq me Pakon e presidentit Ahtisaari i gjithë Suhadolli territorialisht i takon komunës jugore të Mitrovicës.

“Ne edhe më tutje nuk dimë ku ndodhemi. Çdo njeri normal, i cili do ta shihte pozitën gjeografike, do ta kuptonte se ne i takojmë komunës veriore, por tani asgjë nuk punohet në interes të banorëve lokalë. Nëse ndodh që t’i takojmë komunës jugore të Mitrovicës, atëherë ne do të shpërngulemi”, ka thënë ai, përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës. Serbët e këtij fshati thonë se më nuk janë të sigurt nëse Suhadolli do të jetë pjesë e veriut të Mitrovicës. Sipas tyre, dikur Suhadolli ka qenë bashkësi lokale e Zveçanit dhe në këtë mënyrë duhet të jetë pjesë e territorit të Mitrovicës së Veriut. Në të njëjtën mënyrë flasin pothuajse të gjithë serbët e këtij fshati multietnik, të cilët të paktën kursehen për të mos folur për shqiptarët.

Disa nga ata, madje fqinjët e tyre, i vlerësojnë të mirë. Në të njëjtën mënyrë flasin edhe shqiptarët e Suhadollit. “Ne jetojmë mirë, edhe fqinjët i kemi mirë, jetojmë normalisht pa probleme të theksuara, secili këtu e shikon punën e vet. Ne dëshirojmë që kjo klimë të vazhdojë të jetë e tillë, nuk na intereson shumë politika, por ne duam të jetojmë të qetë, në harmoni edhe me fqinjët tanë serbë”, thonë pothuajse me një zë banorët shqiptarë të Suhadollit të Mitrovicës. Ata nuk flasin shumë lidhur me statusin e Suhadollit, por shumica nga ata përkujtojnë se Pakoja e Ahtisaarit e definon statusin e fshatit, shkruan tutje "Zëri".

Ndërkaq Adriana Hoxhiq, ish-ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë se Suhadolli është i ndarë në dysh dhe disa banorë (serbët) janë të regjistruar në sistemin administrativ të Mitrovicës së Veriut, ndërsa disa të tjerë (shqiptarët) pajisen me dokumente në jug të Mitrovicës. “Definimi i kufirit në mes të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të jugut është bërë tashmë çështje politike, gjithçka tani është konfuze edhe për faktin se banorët e Suhadollit edhe gjatë procesit zgjedhor herë ndodhen në listat e votuesve në veri e herë në listën e votuesve në jug”, thotë Hoxhiq.

Rakiq: Nuk nënshkruaj asnjë marrëveshje që Suhadollin e lë me jugun

Definimi i kufirit në mes të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut ka qenë dashur të përfundojë në vitin 2015 me një memorandum, të cilin do ta nënshkruanin kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri dhe homologu i tij nga veriu, Goran Rakiq. Por pikërisht Suhadolli është bërë pika kontestuese, pasi që Rakiqi insiston që Suhadolli dhe 5 fshatra shqiptare t’i mbesin në administrim Mitrovicës së Veriut.

Në anën tjetër kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka insistuar që ndarja të bëhet sipas Pakos së Ahtisaarit, me të cilën parashikohet që Suhadolli të jetë pjesë e Mitrovicës së Jugut. Pas zgjedhjeve lokale të 2013-ës në komunat veriore të Kosovës dhe me formimin e komunës veriore të Mitrovicës është dashur të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe komunave veriore e jugore të Mitrovicës, me të cilën problemi rreth definimit të kufirit në mes të dy komunave të Mitrovicës do të zgjidhet.

Kur të gjithë ishin të gatshëm të nënshkruajnë kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka refuzuar, ndërsa mbështetje e ka pasur edhe ministrin e atëhershëm të Administrimit të Pushtetit Lokal nga Lista Serbe, Lubomir Mariq, një serb i Kninit të Kroacisë, i cili me familjen e tij si fëmijë ishte vendosur në veri të Mitrovicës. “Nuk nënshkruaj asnjë dokument që Suhadollin e lë me jugun e Mitrovicës”, ka këmbëngulur Rakiqi.

Në komunën jugore të Mitrovicës thonë se Rakiqi e di mirë ku është kufiri, por vazhdimisht bën obstruksione, nuk i zbaton as ligjet dhe nuk përfill asnjë vendim të institucioneve të Kosovës e madje as edhe marrëveshjet e Brukselit. Ata përkujtojnë se Rakiqi ka refuzuar ta hapë urën kryesore të Ibrit, ndonëse revitalizimi i urës tashmë ka përfunduar, ndërsa edhe punët në revitalizimin e rrugës “Mbreti Petër” për ta shndërruar në shesh dhe në zonë të këmbësorëve kanë përfunduar.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë se i gjithë problemi edhe sa i përket definimit të kufirit, por edhe për hapjen e urës së Ibrit qëndron te Rakiqi. “Suhadolli territorialisht është pjesë e komunës jugore të Mitrovicës dhe këtë Rakiqi shumë mirë e di. Ai dëshiron që ky të bëhet problem politik, sepse e di se me Pakon e Ahtisaarit Suhadolli i takon komunës jugore të Mitrovicës”, ka thënë Mujka./ZËRI