Mësimdhënësit duan rritje të pagave, arsimi në gjendje të rëndë

Mësimdhënësit duan rritje të pagave, arsimi në gjendje të rëndë

Aktuale February 07, 2020 - 08:31
Image

Probleme të shumta e kanë përcjellë sistemin arsimor në vend ndër vite. Moszgjidhja e shumë punëve ka bërë që edhe këtë vit gjendja në arsim të jetë e njëjtë. Tashmë punët e pazgjidhura do t’i trashëgohen ministres së re të Arsimit, e cila ka premtuar se do të punojë në këtë fushë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mësimdhënësit në vend po vazhdojnë të jenë të pakënaqur me pezullimin e Ligjit të Pagave deri në muajin mars e po ashtu me gjendjen aktuale në fushën e arsimit.

Ministria e re e Arsimit pritet të trashëgojë shumë punë të pakryera nga ministrat e kaluar të këtij dikasteri. Mungesa e mjeteve bashkëkohore, mungesa e llogaridhënies e ngritja e cilësisë janë vetëm disa nga çështjet e rëndësishme, të cilat kërkohen të jenë në fokus të ministres së re, Hikmete Bajrami.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari, është shprehur i gatshëm ta ndihmojë ministren e re që ta ngrejë cilësinë në këtë fushë.

Ai ka thënë për “Zërin” se fillimisht MASHT-i duhet t’i përmirësojë kushtet e punës në shkolla. “Shkollat e Kosovës duhet të furnizohen me mjete bashkëkohore, në mënyrë që punëtorët e arsimit të mos vazhdojnë të punojnë vetëm me shkumësa dhe të punojnë me libra që nuk korrespondojnë me kurrikulën. Ne kemi kërkuar që të kemi kontakte të vazhdueshme edhe me Ministrinë, por edhe me drejtoritë arsimore. Në të ardhmen ne do t’i mbrojmë kërkesat e mësimdhënësve të Kosovës dhe edhe ministrja e re që ka ardhur është shprehur e gatshme për bashkëpunim”. Ai ka bërë të ditur se janë dakorduar që të shtohet numri i inspektorëve profesionalë të arsimit, në mënyrë që ata t’i vizitojnë mësimdhënësit gjatë procesit të mësimdhënies, që të shohin se si po punojnë e ku janë dobësitë e tyre.

Sindikalistët këmbëngulin në heqjen e pezullimit të Ligjit për Pagat

Jashari ka folur edhe për pezullimin e Ligjit të Pagave, me ç’rast ka thënë se shpreson që gjykata ta heqë pezullimin e Ligjit.

Sipas tij, nëse nuk kuptohen përmes dialogut ata janë në gatishmëri edhe për veprime sindikale. “Kolegët tanë nga tërë Kosova kanë bërë ankesa dhe i janë drejtuar Avokatit të Popullit, i cili e ka dërguar një shkresë që të hiqet vendimi për pezullimin e Ligjit të Pagave. Ne po i afrohemi marsit dhe besoj që Kushtetuesja do të veprojë në një situatë të re dhe do të bëjë angazhime që ta heqë këtë pezullim. Unë jam i bindur që Ligji i Pagave do të fillojë së zbatuari. Ne do të punojmë dhe kurdoherë që nuk funksionon dialogu ne jemi të gatshëm të përdorim edhe veprime sindikale”, ka shtuar ai.

Përndryshe, ministrja e re e Arsimit Hykmete Bajrami me marrjen e detyrës së re ka thënë se gjendja në arsim nuk është e mirë dhe se do të punojnë në mënyrë që ta kthejnë Kosovën në institucionet evropiane ENQA dhe EQAR. “Ne e marrim mandatin me shumë përgjegjësi, sepse e di që situata në arsim nuk është aspak e mirë dhe duhet të punohet shumë. Do të bëjmë shumë përpjekje që t’i kthejmë dy institucionet evropiane, ENQA dhe EQAR, dhe në të gjitha nivelet t’i zbatojë Ligji i Arsimit”, ka theksuar ajo.

Kujtojmë se LDK-ja në programin e saj për arsim si pika ka pasur reformimin e arsimit, rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në sistemin parashkollor e profilizimin e universiteteve, shrkuan tutje "Zëri".

Pupovci: Qeveria e re të kujdeset për zbatimin e planeve në arsim

Njohësi i çështjeve të arsimit në vend, Dukagjin Pupovci, ka thënë për “Zërin” se qeveria e re duhet të kujdeset për zbatimin e planeve në fushën e arsimit. Ai ka thënë se ka shumë probleme që duhet adresuar në këtë fushë, ku mbi të gjitha duhet të duhet të ndërtohet një sistem i mirëfilltë i përgjegjësisë dhe i llogaridhënies, duke filluar nga Ministria e deri te shkolla.

Sipas tij, pa përgjegjësi dhe pa llogaridhënie nuk ka progres. “Programi qeverisës përbëhet nga 10 pika, që kryesisht bazohen në dokumentet ekzistuese strategjike. Problem në Kosovë nuk është mungesa e ideve se çfarë duhet bërë për ta sanuar gjendjen në arsim, por zbatimi në praktikë i planeve. Prandaj qeveria e re duhet të kujdeset që planet të zbatohen e kjo kërkon mobilizim në nivel të Ministrisë së Arsimit, komunave dhe institucioneve arsimore”, ka potencuar ai, shkruan "Zëri".

Pupovci ka përmendur edhe tri universitetet publike në vend që janë pa akreditim e Agjencinë e Akreditimit, e cila është pa drejtor e me mungesë të stafit, që siç ka thënë ai duhet t’u jepet zgjidhje këtyre çështjeve.

Përndryshe, sa i përket Ligjit të Pagave, i cili është në Gjykatën Kushtetuese, ai ka thënë se nëse Ligji shfuqizohet do të jetë sfidë e qeverisë së re. “Kuptohet, nëse Ligji shfuqizohet pjesërisht ose në tërësi, kjo mund të jetë sfidë për qeverinë e re, pasi do të ketë kategori të punonjësve që nuk do të jenë të kënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, burimet financiare të Kosovës nuk janë të pakufizuara, prandaj nuk është reale të pritet që edhe një ligj i ri do t’i bënte të gjithë të jenë të kënaqur me koeficientet. Është detyrë dhe përgjegjësi e institucioneve t’i menaxhojnë situatat e tilla”, ka shtuar Pupovci.

BOX: Për shkak të reshjeve të borës ndërpritet mësimi në disa komuna

Për shkak të reshjeve të shumta të borës e erërave të forta disa komuna kanë pezulluar mësimin.

Gjatë ditës së djeshme Komuna e Kamenicës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, ka bërë të ditur se në të gjitha nivelet shkollore nuk do të ketë mësim.

Ndërsa për shkak të reshjeve të mëdha të borës edhe gjatë ditës së mërkurë Komuna e Dragashit dhe ajo Istogut morën vendim që mësimi nuk do të mbahej. Mësimi i humbur për shkak të reshjeve të borës është bërë e ditur se do të kompensohet. “Njoftohen të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e komunës së Dragashit se për shkak të reshjeve të shumta të borës, erërave të forta dhe rrezikshmërisë që mund të hasin nxënësit gjatë udhëtimit për në shkollë, Drejtoria e Arsimit në Dragash ka marrë vendim që nesër, më datën 06.02.2020, të pezullohet mësimi. Dita e humbur do të zëvendësohet në një ditë të shtunë. Mësimi i rregullt vazhdon të premten, më datën 07.02.2020”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Dragashit./ZËRI