Abazi: Qeveria 'Kurti' do t’i kalojë të gjitha pengesat, edhe atë të presidentit
Foto: Laura Hasani

Abazi: Qeveria 'Kurti' do t’i kalojë të gjitha pengesat, edhe atë të presidentit

Aktuale February 07, 2020 - 08:23
Image

Zëvendëskryeministri i porsazgjedhur i Kosovës Haki Abazi në një intervistë për “Zërin” ka deklaruar se qeveria “Kurti” do të arrijë t’i tejkalojë të gjitha pengesat që do të shfaqen përgjatë qeverisjes 4-vjeçare, duke përfshirë edhe atë të zgjedhjes së presidentit pas një viti. Abazi vlerëson se rezultatet e bashkëqeverisjes LDK - LVV do të jenë indikacioni kryesor, i cili do ta rikthejë funksionalizimin e institucioneve vendore, shkruan gazeta "Zëri".

Koalicioni bashkëqeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do t’i kapërcejë të gjitha pengesat, të cilat do të shfaqen përgjatë qeverisjes, duke përfshirë këtu edhe atë të zgjedhjes së presidentit të vendit pas një viti. Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për “Zërin” numri dy në Qeverinë e Kosovës Haki Abazi, i cili ndër të tjera është shprehur optimist se pikërisht qeveria “Kurti” do t’u dalë ballë të gjitha problemeve të krijuara në vend si pasojë e keqqeverisjeve të kaluara. “Unë shpresoj shumë se edhe qytetarët, edhe opozita, edhe ne vetë brenda koalicionit qeverisës do të kemi arsye të madhe për ta vazhduar bashkëqeverisjen. Duke u bazuar në rezultatet dhe në përkushtimin e pafund që njerëzit përbrenda institucioneve, duke filluar nga Parlamenti i cili është institucioni më i lartë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë një frymë e re e njerëzve e deri tek institucionet e tjera që janë në formim e sipër në ekzekutiv dhe ky potencial pozitiv që do të krijohet e deri në momentin kur do të bisedojmë për presidentin do të mundin çfarëdo tendence për ta sabotuar vazhdimësinë e funksionimin e institucioneve”, është shprehur Abazi.

Zëvendëskryeministri i qeverisë “Kurti” në këtë intervistë ndër të tjera ka folur edhe për dialogun me Serbinë, proces të cilin do ta marrë nën udhëheqje kryeministri i ri i vendit Albin Kurti, pasi një gjë e tillë i takon sipas Kushtetutës së vendit. Ndërkohë kur foli për heqjen e vizave për Kosovën, Abazi theksoi se qeveria “Kurti” do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet e BE-së, me qëllim që të tejkalohen të gjitha pengesat për këtë proces.

Planprogrami i qeverisë “Kurti” do ta kthejë funksionalizimin e shtetit

Zëri: Z. Abazi, pas më shumë se tre muajsh negociata ju dhe LDK-ja lidhët “Koalicionin e shpresës”. Sa ishte i vështirë ky rrugëtim juaji?

Abazi: Praktikat e së kaluarës së bërjes koalicion qeverisës e kanë bërë si duket kohëzgjatjen e negociatave si çështje, mirëpo ajo që është e rëndësishme është përmbajtja që për herë të parë në Kosovë është aplikuar diskutimi ndërmjet subjekteve politike fituese në zgjedhjet që sinqerisht të lëshohen në nivelin e përmbajtjes së marrëveshjeve. Nëse në të kaluarën subjektet janë vetëkënaqur me pozitën e kryeministrit dhe të tjera pozita kanë qenë të parëndësishme, kësaj radhe kemi bërë që të arrijmë në një marrëveshje e cila përveçqë do të ketë një program të dakorduar ndërmjet dy subjekteve, gjithashtu t’u jepet rëndësi edhe ndarjes ose marrjes së përgjegjësive në dikastere të ndryshme. Sigurisht se të gjithë ne do të donim që të ishte një proces më i shkurtër, më i shpejtë e më elegant, mirëpo e rëndësishme është se kemi mbetur përbrenda të gjitha afateve kushtetuese, që janë të përjashtuara. Ne më 26 dhjetor kemi bërë konstituimin e Parlamentit dhe unë mendoj se aty duhet filluar të numërohet faza e fillimit të ndërtimit të institucioneve. Megjithatë, mendoj se përbrenda shpejtësisë së formimit të institucioneve jemi në kohë rekorde, tashmë kjo është punë e kryer.

Zëri: A vlerësoni se kompromisi, të cilin Vetëvendosja e bëri me lirimin e pozitës së kryeparlamentarit, ishte shumëfish më i dhimbshëm sesa ai i LDK-së dhe a e konsideroni si të balancuar marrëveshjen përfundimtare?

Abazi: E para, z. Konjufa nuk është larguar por ka ndërruar vend nga pozita e kryeparlamentarit dhe ka marrë një pozitë të rëndësishme si ministër i Punëve të Jashtme, që mendoj se është një pozitë me shumë përgjegjësi dhe me detyra të rëndësishme në prioritetet e kthimit të imazhit të Kosovës si shtet në familjen e bashkësisë ndërkombëtare. E dyta, nëse duhet quajtur sakrificë ose një kompromis që është bërë, asnjë kompromis e as sakrificë nuk është e madhe aq sa interesi kombëtar shtetëror i vendit. Ne të gjithë jemi vendosur përbrenda një përkushtimi dhe premtimi që të japim gjithçka që ta rikthejmë funksionalitetin e plotë të shtetndërtimit dhe çfarëdo lëvizje tjetër që do të duhej të bëhet për të arritur deri te institucionalizimi i vullnetit të qytetarëve, ne do të bënim dhe do ta bënim të gjithë, jo vetëm LVV-ja, por edhe LDK-ja, duke pasur parasysh se zgjedhjet e 6 tetorit nuk kanë qenë zgjedhje të jashtëzakonshme, por ishin një referendum ndërmjet keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të shtetit kundrejt një vizioni të ri të shtetit me llogaridhënie, transparencë e program, i cili do ta kthejë shtetndërtimin dhe do ta bëjë funksionalizimin e institucioneve në interesin e qytetarit.


Reformat pesëfishe të qeverisë “Kurti”

Zëri: Z. Abazi, ka pak paqartësi te pozita e presidentit. E kemi parë një insistim të vazhdueshëm të LDK-së për këtë pozitë dhe po ashtu një insistim tuajin që kjo temë të mos diskutohet tani. Si jeni marrë vesh për këtë pozitë dhe a janë përmendur emrat konkretë, të cilët mund të vijnë në këtë pozitë pas një viti?

Abazi: Tanimë kjo është çështje e një marrëveshjeje që është publike. Në fund të fundit kompromisi për marrëveshjen është vendosur që për presidentin do të flasim kur të vijë koha. Ky formulim ka sjellë një pajtueshmëri të një çështje, e cila ka qenë një ndër çështjet kryesore të mosmarrëveshjes në fillim të procesit negociues. Ajo çështje i takon të kaluarës, ne do ta kalojmë atë urë kur të vijë momenti. Është e rëndësishme që të dyja subjektet politike në koalicionin qeverisës janë dakorduar që formulimi dhe pajtueshmëria të jetë për çështjen e presidentit një çështje për të cilën do të bisedohet në momentin e duhur.
 

Zëri: Sa ka rrezik të mbeteni matanë urës ju ose LDK-ja po qe se nuk arrini të dakordoheni për emrin e presidentit ose në rast se nuk votohet ai emër nga partitë opozitare të Kuvendit?

Abazi: Për të parë një situatë të tillë hipotetike duhet të arrijmë tek ura të dy partnerët dhe kur arrijmë para urës mendoj se do ta kemi edhe mençurinë, edhe pjekurinë politike, edhe suksesin e bashkëqeverisjes. Unë shpresoj shumë që edhe qytetarët, por edhe opozita, edhe ne vetë brenda koalicionit qeverisës do të kemi arsye të madhe për të vazhduar bashkë, duke u bazuar në rezultatet dhe në përkushtimin e pafund që njerëzit përbrenda institucioneve, duke filluar nga Parlamenti, që është institucioni më i lartë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, që janë një frymë e re e njerëzve e deri tek institucionet e tjera, që janë në formim e sipër në ekzekutiv dhe ky potencial pozitiv që do të krijohet deri në momentin kur do të bisedojmë për presidentin do ta mundë çfarëdo tendence për të sabotuar vazhdimësinë e funksionimin e institucioneve. Unë jam shumë pozitiv, ashtu siç kam qenë optimist që nga 6 tetori, se ne përbrenda shoqërinë sonë në Kosovë kemi potencial të mjaftueshëm pozitiv e shtytës progresiv për t’i tejkaluar të gjitha pengesat, të cilat mund të dalin në rrugë.
 

Zëri: Programi qeverisës në pika të shkurtra është përmendur nga kryeministri Kurti. A mund të na thoni në pika më të gjata se çfarë përmban programi i qeverisë së re?

Abazi: Ne kemi bërë publike marrëveshjen që kemi arritur për koalicionin qeverisës. Është një dokument që jep një orientim të fushave prioritare dhe gjithashtu dakordimit ndërmjet partnerëve, por njëkohësisht është edhe një dokument që fton opozitën të jetë në përkrahje të proceseve në të mirën e vendit. Është një reformë e pesëfishtë, që nuk do të ketë në asnjë formë vonesa për t’u fokusuar me një çështje specifike, siç ka ndodhur në të kaluarën, kur i gjithë shteti dhe funksionet e zyrtarëve janë fokusuar te dialogu, ta zëmë. Kur flasim për reformën në pesë sektorët kryesorë, po flasim për një ecje paralele. Sigurisht që në disa sektorë është më e lehtë e edhe rezultatet mund të shihet më shpejt, në disa do të ketë nevojë për kohë. P.sh. reforma në sektorin e arsimit nuk mund të jetë e shpejtë e as rezultatet nuk mund të jenë të shpejta, kemi të bëjmë me një sistem që shpeshherë është përdorur më shumë si aparat votues e politik sesa një sektor që edukon gjeneratat e reja. Këto prioritete janë absolutisht të domosdoshme pikërisht për ta përmbushur premtimin se do ta kthejmë dhe do ta plotësojmë shtetndërtimin si proces, por në mënyrë intensive duke bërë rikthimin e funksionalitetit të sektorëve dhe të dikastereve, sidomos në fushën e drejtësisë, në zbatimin e ligjit, që është një ndër prioritetet kryesore, por jo i vetmi.

Kryeministri Kurti do ta marrë timonin e udhëheqjes së dialogut

Zëri: A do ta marrë qeveria “Kurti” timonin e udhëheqjes së dialogut me Serbinë, ashtu siç i takon me ligj?

Abazi: Ne duhet mësuar t’i respektojmë dokumentet e rëndësishme të shtetit të Kosovës. Kushtetuta e thotë qartë se kush duhet të udhëheqë në negociata ndërkombëtare, edhe në rastin me Serbinë. Dialogu i ashtuquajtur deri më tani Prishtinë - Beograd e që duhet të jetë dialog për të zgjidhur të gjitha problemet me fqinjët tanë, do të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, sepse ashtu e kërkojnë ligjet e vendit dhe mendoj që kjo është forma më e mirë për ta marrë veten seriozisht për t’u konsideruar partner serioz edhe nga shtetet e tjera, edhe nga vendet e BE-së, por edhe institucionet e BE-së duhet të jenë ndërmjetësues të çfarëdo marrëveshjeje dialogu, e cila do të bëhet me Serbinë.

Zëri: Një proces tejet i rëndësishëm, për të cilin qytetarët kosovarë po presin tashmë disa vite, është edhe liberalizimi i vizave. Pra e dimë se Kosova tashmë ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian dhe nga Parlamenti për këtë proces, sa besoni se gjatë qeverisjes suaj do të ndodhë heqja e vizave?

Abazi: Mendoj që ne duhet të jemi të sinqertë me qytetarët, sepse ata kanë pritur nga premtimet e dhëna nga e kaluara që kjo do të bëhet para 5, 6 vjetësh. Ne jemi në fillim të mandatit dhe duhet të jemi të sinqertë se duhet të matim temperaturën e secilit shtet të BE-së se ku qëndrojnë dhe me çfarë arsye mund të jenë në kundërshtim. Duhet t'i adresojmë shqetësimet e tyre dhe të shohim se si mund të arrijmë që ata të ndryshojnë mendimin për liberalizim. Aktualisht situata nuk është e mirë, meqë ka anëtarë që janë miq të Kosovës, kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, por që në pikën e çështjes së vizave janë kundër, jo për shkak se ka probleme të jashtëzakonshme me plotësimin e kritereve, por për shkak se ata mendojnë që siguria e vendit të tyre është në rrezik nëse Kosova vazhdon të funksionojë në dhënien e certifikatave të lindjes njerëzve që nuk kanë lindur këtu, identitetin e dyfishtë për njerëz që mund të përdorin Kosovën si korridor e të kalojnë në territorin e Unionit Evropian, që ka ndodhur në të kaluarën ose edhe një territor ku mund të vijnë të veprojnë në institucione, të cilat jodomosdoshmërisht kanë autoritetin për të ushtruar fuqinë ekzekutive, siç ka ndodhur me rastin e shtetasve turq. Gjitha këto brengosje dhe të tjera ne do t'i gjejmë në fazën e parë të punës sonë dhe do të bëhen pjesë e listës sonë për t’u adresuar. Sigurisht që lëvizja e lirshme e qytetarëve tanë është një ndër prioritetet tona, sepse mendojmë që qytetarët e Kosovës meritojnë, jo më pak se cilido qytetar tjetër i Ballkanit Perëndimor, për t’i realizuar të drejtat e tyre për lëvizje të lirë.

Zëri: Z. Abazi, mandati i Gjykatës Speciale përfundon në gusht të këtij viti. Ju si LVV vazhdimisht e keni kundërshtuar këtë proces. A do t’ia vazhdoni mandatin këtij institucioni apo cili do të jetë epilogu i zhvillimeve?

Abazi: Unë mendoj që kjo çështje do të vihet në diskutim në muajt në vazhdim. Reforma në drejtësi, për të cilën folëm tashmë, është e domosdoshme për të dëshmuar që Kosova ka edhe vullnetin dhe kapacitetin për ta realizuar drejtësinë e pavarur në Kosovë. Unë jam ithtar, qeveria “Kurti” është po ashtu, që ne të ndërtojmë e të bëjmë reformën, që sistemi ynë i drejtësisë ta ketë edhe besimin e plotë, por edhe përgjegjshmërinë e plotë për t’i kryer të gjitha proceset përbrenda Kosovës. Nuk do të bëjmë kompromis në asnjë formë me këtë për të arritur standardin e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Tani nëse më pyetni nëse do të mundë ta realizojmë këtë gjë brenda vitit që të marrim kompetencat e plota të Dhomave të Specializuara, sigurisht që do të ishte joreale të presim që gjithë reforma të kryhet për një vit, por ne duhet dhënë shenja dhe përkushtim të plotë që sistemi i drejtësisë të bëhet i pavarur, i brendshëm dhe e gjitha të fillojë, të përfundojë përbrenda territorit të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, sepse vetëm kështu ne e marrim në dorë fatin tonë si shtet i pavarur në funksionimin e institucioneve tona. Nuk kam mendim përfundimtar se çka do të ndodhë me mandatin e Gjykatës Speciale, por për këtë gjë do të njoftoheni me kohë.