Reciprociteti - taksa përplas Qeverinë dhe opozitën
Foto: Laura Hasani

Reciprociteti - taksa përplas Qeverinë dhe opozitën

Aktuale February 07, 2020 - 08:14
Menjëherë pas ardhjes në pushtet LVV-ja dhe LDK-ja kanë paralajmëruar zëvendësim të taksës me reciprocitet ndaj Serbisë. Opozita e ka kundërshtuar fuqishëm këtë paralajmërim të Qeverisë, të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. Përfaqësues të partive opozitare i kanë bërë thirrje shefit të ekzekutivit për moslargim të masës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve, që vijnë nga Serbia
Image

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë ka nxitur reagime të menjëhershme nga ana e partive opozitare. Derisa ish-shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj, i cili njëherësh është edhe kryetar i AAK-së, ka bërë thirrje për moslargim të tarifës 100 për qind, kreu i PDK-së Kadri Veseli e ka cilësuar nxitim të tepruar, për t’i përmbushur kërkesat e Serbisë, hapin e Kurtit drejt reciprocitetit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rreth kësaj mase është deklaruar edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se dy partitë e koalicionit qeverisës, LVV-ja dhe LDK-ja, janë dakorduar për vënien e reciprocitetit. Lidhur me këtë ka folur edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se çështja e reciprocitetit është mjaft komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale.

Sidoqoftë, ai është shprehur optimist se Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, në konsultim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të vepruar rreth kësaj çështjeje. Qeveria e kaluar e Kosovës, e cila drejtohej nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe më 21 nëntor 2018.

Paralajmërimi i Qeverisë për zëvendësim të taksës me reciprocitet

Menjëherë pas votimit të Qeverisë kryeministri Albin Kurti tha se taksa 100 për qind e vendosur ndaj produkteve serbe do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë. “Ne konsiderojmë se jemi këtu, ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100 për qind. Ne nuk themi se do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti”, ka deklaruar ai.

Edhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ka thënë se zëvendësimi i tarifës 100% ndaj produkteve serbe me reciprocitet të plotë ka qenë pjesë e programit qeverisës. Koalicioni qeverisës, LVV - LDK, siç ajo është shprehur, ka pajtueshmëri të plotë lidhur me këtë çështje. “Ka pajtim, është pjesë e programit qeverisës ndërmjet dy partive”, është shprehur Osmani.

Lidhur me paralajmërimin për vendosjen e reciprocitetit ka folur edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se me LVV-në janë dakorduar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin. “Në fillim të kësaj jave është zgjedhur Qeveria, e cila para vetes ka shumë punë, duke përfshirë edhe dialogun, por edhe tarifën e vënë nga qeveria ‘Haradinaj’. Në programin qeverisës jemi pajtuar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin”, ka deklaruar Mustafa.

Por reciprociteti sipas tij është mjaft kompleks dhe mund të ketë pasoja shumëdimensionale, ndaj Qeveria duhet të gjejë rrugën më të mirë për të vepruar, me të cilën pajtohet SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. “Por duhet të them se është shumë komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale. Besoj se Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, të bashkërendisë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçmas me SHBA-në dhe BE-në”, ka shtuar Isa Mustafa

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se përveç partive, të cilat janë pjesë e qeverisë së re, për reciprocitet janë dakord edhe subjektet opozitare. “Besoj se edhe ata që janë në opozitë mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë plotësisht dakord”, ka theksuar kreu i Vetëvendosjes.

Haradinaj i bën thirrje Kurtit të mos e largojë taksën

Pavarësisht deklarimit të Kurtit se opozita e mbështet reciprocitetin, ish-shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, i cili njëherësh është edhe kryetar i AAK-së, i është lutur Kurtit të mos e largojë taksën e vendosur ndaj Serbisë. “Ne mund të mos pajtohemi për shumë gjëra të politikës ditore, por sakrificën gjithmonë ta kam njohur. Për shkak të kësaj sakrifice dua që personalisht të të lutem të mos e largosh taksën ndaj Serbisë”, është shprehur kreu i AAK-së përmes një letre publike drejtuar Kurtit.

Në kuadër të kësaj Haradinaj i ka bërë thirrje Kurtit të mos e kamuflojë heqjen e taksës me çështjen e reciprocitetit. “Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë eurove për Serbinë, shtet i cili të ka rrahur e të ka torturuar, shtet i cili me paratë e popullit të Kosovës blen armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terme të mjegullta, siç është reciprociteti. Mos e hiq taksën Albin”, ka potencuar ai.

Ish-shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Kurti të mos tërhiqet nga taksa për disa poenë të përkohshëm, të cilët mund t’i fitojë nga bashkësia ndërkombëtare. “Rikonsideroje vendimin Albin. Ne mund të vazhdojmë të mos pajtohemi. Për këto mospajtime sovrani ka dhënë verdiktin më 6 tetor, por kjo është një temë më e madhe sesa një grusht votash”, ka përfunduar ai.

Paralajmërimin e Kurtit Veseli e quan nguti për t’i përmbushur kërkesat e Serbisë

Lidhur me paralajmërimin e Kurtit për reciprocitet ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka thënë se taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim i dinjitetshëm për t’u kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Paralajmërimin e Kurtit për zëvendësim të tarifës me masën e reciprocitetit kreu i PDK-së e ka cilësuar nxitim për t’i përmbushur kërkesat e shtetit serb. “Shpreh shqetësimin për ngutjen e tepruar të kryeministrit të ri për t’i përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për ta rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës”, ka deklaruar ai.

Qeveria e re, sipas tij, nuk duhet të dorëzohet para Serbisë dhe të marrë vendime që e rrezikojnë Kosovën. “Prandaj nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, ka potencuar ai.

Rreth të njëjtës çështje ka reaguar edhe Nisma Socialdemokrate, zyrtarë të së cilës kanë thënë se masa e reciprocitetit është më e vështirë për t’u mbajtur sesa tarifa 100 për qind. “Nuk e di se si e kanë menduar ata, por reciprociteti është më i vështirë për t’u mbajtur sesa taksa, veçse nëse mendohet për reciprocitet ekonomik, por reciprociteti ekonomik është shaka. E nëse mendohet në reciprocitet: politik, diplomatik e ekonomik, kjo është tjetër gjë. Apo, mbase kanë menduar që thjesht ta heqin taksën. Unë personalisht, taksën e kam parë si një përgjigje ndaj agresivitetit të politikës serbe ndaj Kosovës së pavarur”, ka theksuar kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi.

Shoqëria civile kërkon të ketë unitet për masat ndaj Serbisë

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë konsideruar se para se të merret ndonjë masë ndaj Serbisë spektri politik në Kosovë duhet të arrijë unitet të plotë mes vete. Para se të shkohet deri te reciprociteti, sipas Violeta Haxhollit, hulumtuese në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), paraprakisht duhet të bëhet një analizë e detajuar e situatës. “Mendoj se është koha e fundit që spektri politik në vend të krijojë një qasje unike ndaj Serbisë. Sa u përket paralajmërimeve se duhet të ketë zëvendësim të kësaj mase me masa reciprociteti është mirë që fillimisht të bëhet një analizë e mirëfilltë se si do të duket reciprociteti ndaj Serbisë në të gjitha aspektet, politik, ekonomik dhe tregtar”, ka theksuar ajo.

Para çfarëdo vendimi, sipas Haxhollit, duhet të kihet parasysh edhe ruajtja e raporteve me bashkësinë ndërkombëtare. “Kur të përgatitet një vendim i tillë i Qeverisë ai duhet të jetë mirë i justifikueshëm, në mënyrë që të mos vijë pastaj presion nga bashkësia ndërkombëtare për t’u pezulluar kjo masë. Është me rëndësi të realizohet mirë dhe të studiohen aspektet se si mund të vendoset kjo masë”, ka theksuar ajo./ZËRI