Vendimet e Haradinajt, nën llupën e qeverisë 'Kurti'
Foto: Laura Hasani

Vendimet e Haradinajt, nën llupën e qeverisë 'Kurti'

Aktuale February 07, 2020 - 08:10
Image

Kryeministri i ri, Albin Kurti, ka deklaruar se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet që janë marrë pas dorëheqjes së qeverisë “Haradinaj”. Njëjtë mendojnë edhe partnerët nga LDK-ja, përfaqësuesit e së cilës parti thonë se rishqyrtimi i këtyre vendimeve është pjesë e marrëveshjes ndërmjet koalicionit qeverisës. Se duhet të veprohet kështu po deklarojnë edhe njohësit e çështjeve juridike, të cilët theksojnë se Qeveria e re duhet t’i anulojë të gjitha ato vendime, për të cilat dyshohet që janë jolegjitime, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeverisës nuk janë ndalur së marri vendime edhe pas dorëheqjes së tij nga posti i shefit të Qeverisë në korrik të vitit 2019. Duke nisur nga emërimet e udhëheqësve të institucioneve e të ndërmarrjeve publike, emërime u bënë edhe nëpër postet diplomatike dhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, pavarësisht që Qeveria nuk gëzonte kompetencë të plotë për emërime në këto pozita, për të cilat u akuzua se qenë edhe politike. Mirëpo këto vendime, siç është paralajmëruar nga kabineti i ri qeveritar, do të shqyrtohen dhe do të sfidohen një orë e më parë. Kryeministri i ri, Albin Kurti, ka deklaruar se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet që janë marrë pas dorëheqjes së qeverisë “Haradinaj”.

Njëjtë mendojnë edhe partnerët nga LDK-ja, përfaqësuesit e së cilës parti thonë se rishqyrtimi i këtyre vendimeve është pjesë e marrëveshjes ndërmjet koalicionit qeverisës. Se duhet të veprohet kështu po deklarojnë edhe njohësit e çështjeve juridike, të cilët theksojnë se Qeveria e re duhet t’i anulojë të gjitha ato vendime, për të cilat dyshohet që janë jolegjitime. Ndërkaq nga partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, AAK, të cilët në këtë legjislaturë përbëjnë opozitën, kanë thënë se kryeministri Kurti s’do ta ketë guximin të marrë vendime siç ka marrë ish-kryeministri Haradinaj.

Kurti: Do të rishqyrtohen të gjitha vendimet e marra pas dorëheqjes së qeverisë “Haradinaj”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet e ish-qeverisë “Haradinaj” pas dorëheqjes së tij në korrik të vitit të kaluar.

Shefi i ekzekutivit theksoi se ato vendime nuk e kanë statusin e njëjtë si para dorëheqjes.

“Të gjitha vendimet që janë marrë pas datës 19 korrik 2019 nuk mund ta kenë statusin e njëjtë si vendimet para kësaj date. Pra po i referohem datës kur ish-kryeministri dha dorëheqje. Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës, unë si kryeministër i saj, do të kemi një rishqyrtim të të gjithë kësaj faze pas dorëheqjes së ish-kryeministrit. Me këtë rast konsiderojmë se për të filluar një kapitull të ri në Kosovë duhet të rrisim përgjegjësinë institucionale dhe ligjore në njërën anë, por besa edhe politike dhe morale. Dorëheqja është akt moral dhe nuk besojmë se vendimet dhe emërimet e mëpastajme nuk e kanë statusin e pëlqyeshëm nëse respektojmë ndërtimin demokratik dhe ligjshmërinë në Republikën tonë”.

Ndërkohë nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeparlamentare, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lëvizjen Demokratike të Kosovës është edhe vendimi që të rishqyrtohen vendimet, të cilat janë marrë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinajt. Ajo ka thënë se të gjitha vendimet do të shqyrtohen nga aspekti ligjor. “Ne jemi pajtuar që vendimet, të cilat janë ndërmarrë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinajt, duhet të shqyrtohen nga aspekti ligjor dhe nga aspekti i legjitimitetit. Ky është vendim i Qeverisë dhe ne jemi pajtuar në marrëveshje që do të shqyrtohen ato vendime”, ka theksuar ajo.

Haxhiu: Nëse ka diçka jolegjitime Qeveria të mos deklarohet, por të veprojë

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti se do të i rishqyrtojë të gjitha vendimet e marra të Qeverisë “Haradinaj” pas dorëheqjes në korrik të vitit 2019, ka thënë se kryeministri i ri duhet të veprojë nëse ka diçka jolegjitime dhe jo të deklarohet. Sipas saj, Qeveria e re as për një mandat të plotë nuk do të arrijë të marrë vendimet që i mori Haradinaj në një afat të shkurtë kohorë, shkruan "Zëri".

“Kjo është vetëm një deklaratë e tij, por unë i kisha sugjeruar të dyja palët si koalicion që të fillojnë të punojnë në detyrat e tyre, në ato që i kanë proklamuar disa herë. Të shohin qytetarët se çfarë ata do të bëjnë dhe për gjithçka që është joligjore absolutisht nuk ka nevojë për deklarata, por për veprime. Unë jam shumë e sigurt që do t’u duhet kohë për vendimet e marra në interes të vendit, edhe në një mandat të plotë po ta kishin (që nuk do ta kenë as edhe një vit) nuk do të mundë të merrnin vendime siç ka marrë z. Haradinaj për një kohë shumë të shkurtër. Pra të shohim se cilat do të jenë ato punë të mira që do të i bëjnë ata për vendin”.

Sipas saj, Kurti është i paaftë për të mbajtur pozitën e kryeministrit, prandaj po merret me të kaluarën.

“Kthimi prapa në gjithçka që po proklamon z. Kurti është paaftësi për të qenë në pozitën që tanimë e ka marrë e të cilën nuk është i aftë për ta mbajtur. Në të kundërtën, le të tregojë për punët e mira që do t’i bëjë. Kemi thënë që do ta përkrahim aty ku është interesi i vendit, por në të kundërtën do të jemi shumë syçelë për të përcjellë punën e tij, për të mos lejuar t’i bëjë dëm vendit”, ka theksuar ajo.

Të anulohen vendimet jolegjitime të qeverisë “Haradinaj”

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se e mirëpret deklaratën e kryeministrit Kurti që t’i rishqyrtojë të gjitha vendimet, për të cilat dyshohet se nuk ka bazë ligjore. Sipas tij, Qeveria duhet t’i anulojë të gjitha ato vendime, të cilat nuk kanë legjitimitet. “Puna e parë që secili institucion dhe secila qeveri duhet ta bëjë është zbatimi i ligjeve dhe vendimmarrja ligjore. Kurtit i takon që jo vetëm gjatë periudhës kur qeveria ‘Haradinaj’ ishte në dorëheqje, por edhe më herët, kur mund të konsiderohet ose të dyshohet që nuk ka pasur legjitimitet në marrjen e vendimeve, të kujdeset për përmirësimin e atyre gabimeve. Është në të drejtën e saj që Qeveria e re t’i rishikojë të gjitha vendimet. Nëse këto vendime dalin të kundërligjshme Qeveria duhet t’i anulojë”.

Ai ka shtuar se duke u bazuar në të dhënat që vazhdimisht ka dhënë shoqëria civile, disa vendime të qeverisë “Haradinaj” janë jolegjitime. Në këto raste duhet sa më parë të veprojnë organet kompetente. “Mediet dhe burime të besueshme, institute dhe një numër i shoqërisë civile kanë deklaruar dhe kanë tërhequr vëmendjen se janë marrë vendime, të cilat sipas tyre nuk kanë pasur bazë ligjore. Prandaj do të duhej që organet kompetente t’i verifikojnë këto deklarata dhe të marrin vendime përkatëse”, ka theksuar ai./ZËRI