Në shkollat e Skenderajt - 700 nxënës më pak
Foto; Ilustruese

Në shkollat e Skenderajt - 700 nxënës më pak

Aktuale February 01, 2020 - 07:06
Image

Drejtori i Arsimit në Komunën e Skenderajt, Bekim Lati, ka sqaruar se zvogëlimi i numrit të nxënësve ka ardhur si rezultat i migrimit përbrenda Kosovës, duke përjashtuar mundësinë që nxënësit të cilët kanë lënë mësimin të kenë shkuar jashtë vendit, shkruan gazeta “Zeri”

Latifi: Asnjë mësimdhënës s’e kemi lënë pa punë

Numri i nxënësve në shkollat e komunës së Skenderajt është zvogëluar dukshëm në vitin shkollor 2019 – 2020, kanë deklaruar në Drejtorinë e Arsimit të kësaj Komune, të enjten.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Skenderaj, Bekim Latifi, duke folur para asamblistëve në seancën e fundit të Ku- vendit të Skenderaj ka sqaruar se gjatë këtij viti shkollor 2019 - 2020 ka 700 nxënës më pak se në vitin e kaluar dhe kjo ka ardhur si rezultat i migrimit të po- pullatës. Sipas tij, nuk ka të dhëna nëse ndonjë nga nxënësit ka migruar jashtë vendit me familje, ndonëse 6 nxënës evi- dencohen se e kanë braktisur shkollen.

Migrimi i brendshëm “avullon” 700 nxënës të Skenderajt

“Fatkeqësisht kemi 700 nxënës më pak në vitin shkollor 2019 - 2020, por nxënësit që kanë lënë mësimin në shkollat e Skenderajt kanë vazhduar shkollimin në qendrat tjera. Nuk mund të them se nxënësit kanë shkuar jashtë vendit me familjet që kanë emigruar, sepse nxënësit paraprakisht i kanë marrë fletëkalimet nga shkollat tona në shkollat tjera, varësisht se ku janë vendosur, por këtë saktësisht nuk e dimë nëse ata vërtet kanë vazhduar shkollimin, pasi shumica e tyre kanë qenë të detyruar ta kthejnë një dokument, i cili tregon se nxënësi që ka marrë fletëkalimin është regjistruar në shkollën tjetër. Zakonisht kështu ndodh të ne, pasi që kur nxënësit ose prindërit e nxënësve kryejnë punën, atëherë nuk përkujdesen ta informojnë institucionin shkollor ku ata kanë vazhduar shkollimin”, ka thënë Latifi.

Ai sqaroi se megjithëse mungojnë 700 nxënës, asnjë mësimdhënës nuk ka mbetur pa punë. “700 nxënës bëjnë sa për t’i mbyllur një ose dy shkolla të mëdha, por ne kemi gjetur mënyra që asnjë mësimdhënës të rregullt të mos e lëmë pa punë. Edhe në ato shkolla ku ka numër të vogël të nxënësve kemi praktikuar si gjithkund në Kosovë që të punohet me klasë të kombinuara. Nuk mundet një mësimdhënës të punojë me 2-3 nxënës, kështu që ne kemi shkuar në atë mënyrë që klasat të kombinohen”, ka sqaruar drejtori i Arsimit në Skenderaj, Bekimi Latifi, i cili ka shtuar se Komuna e Skenderaj nuk ka praktikuar reformën në arsim në atë mënyrë që të mbyllen shkollat, sikurse ka ndodhur në disa komuna të tjera dhe pastaj ka shkaktuar pakënaqësi te prindërit e nxënësve dhe te popullata. “Ka disa shkolla që janë funksionale me pak nxënës. Ne nuk kemi praktikuar që shkollat me pak nxënës të mbyllen, por të punohet me klasë të kombinuara. Kjo është një mënyrë që nxënësit të vazhdojnë të mësojnë më afër vendbanimit të tyre, si dhe mësimdhënësit të mund t’i mbajnë orët e të mos rrezikohen të mbesin pa punë. Në disa komuna shkolla të tilla janë mbyllur dhe nxënësit e atyre shkollave janë transferuar në shkolla të tjera, duke ua siguruar edhe transportin nga shtëpitë-shkollë dhe anasjelltas”, ka thënë Latifi, i cili ka shtuar se një pjesë e shkollave (16 shkolla) kanë përfituar grante nga Banka Botërore, si mjete konkretizimi: llaptopë, kompjuterë, videoprojektorë, aparat për fotokopje, skanerë. “Edhe 14 shkolla janë në proces të aplikimit për të përfituar grante nga Banka Botërore”, ka siguruar ai.

Shkollat “politike” dhe shkollat që s’përfundojnë as pas 5 vjetësh

Ndonëse drejtor Latifi nuk i ka përmendur, në komunën e Skenderajt janë disa shkolla që janë mbyllur për shkak të numrit të vogël të nxënësve, siç janë shkollat në Radishevë, Kastriot (Kostërc), Dashevc. Disa nga këto shkolla, të cilat janë ndërtuar menjëherë pas përfundimit të luftës, janë quajtur politike, për shkak se secili zyrtar i lartë i shtetit nga kjo pjesë e Drenicës ka dashur të tregohet patriot dhe të kujtohet si njeriu që ka bërë diçka për fshatin e tij. Shembulli më i mirë është shkolla në Kastriot, e cila është ndërtuar në kohën kur zëvendësministër i Arsimit ishte Agim Hysenaj nga ky fshat. Shkolla e re, për të cilën Qeveria e Kosovës ka investuar 150 mijë euro nuk është lëshuar kurrë në punë. Nxënësit e këtij fshati shkojnë në shkollë në Runik, derisa shkolla e re tanimë është dëmtuar. Edhe shkolla në Radishevë është ndërtuar në afërsi të lagjes “Ahmetaj”, në të cilën janë ndërtuar 12 shtëpi nga fondi i 3-përqindëshit të Bujar Bukoshit, por asnjë prej familjeve që janë shpërngulur nga fshati menjëherë pas përfundimit të luftës nuk është kthyer. Vetë banorët e mbetur në Radishevë kanë kërkuar që shkolla të mbyllet, për shkak të cilësisë së dobët të mësimit, derisa fëmijët e tyre i dërgojnë në shkollë në Runik. Në të njëjtën mënyrë është provuar edhe me shkollën në Dashevc, por numri i vogël i nxënësve ka bërë që shkolla të mbyllet, për më keq, ajo është dëmtuar në masë të madhe. Shkolla në Dashevc është ndërtuar edhe mbi planin e Qeverisë së Kosovës për kthimin e ashkalinjëve në fshat, por ata ndonëse janë inkurajuar të kthehen edhe me premtimin se do t’u ndërtohen shtëpitë, se do të kenë ujësjellës e kanalizim nuk janë kthyer asnjëherë. Ata jetojnë në Fushë Kosovë, por shumica e tyre në Plementin të Obiliqit. Është mbyllur edhe shkolla në Izbicë, gjithashtu për shkak të numri të vogël të nxënësve, ndërsa nxënësit mësojnë në shkollën e Vajnikut.

Në anën tjetër drejtori i Arsimit në Komunën e Skenderajt, Bekim Latifi, ka folur edhe për problemin e realizimit të projekteve të shkollave, disa prej të cilave kanë filluar të ndërtohen para 6 vjetësh. Shkolla në Qirez, e cila sipas zyrtarëve komunalë të Skenderajt ka përfunduar dhe se në dhjetor ka qenë e planifikuar t’i pranojë nxënësit, ende nuk është e gatshme. Zyrtarët komunalë sqarojnë se krejt puna ka mbetur te KEDS-i, i cili nuk e ka bërë lidhjen e shkollës me energji elektrike nga trafostacioni. Ndonëse ndërtimi i objektit të gjimnazit ka filluar para gati 6 vjetësh, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se punët janë kryer 95 për qind, në shkollën e Qubrelit 90 për qind, në atë të Makërmalit 90 për qind, në shkollën e Polacit 50 për qind. Ndërkaq për palestrën e sporteve, e cila tashmë është bërë histori, Jashari tha se punët janë kryer deri në masën 50 për qind.