Ngërçi politik rrezikon risjelljen e kërkesave për kompromise të dëmshme në dialog
Foto: Laura Hasani

Ngërçi politik rrezikon risjelljen e kërkesave për kompromise të dëmshme në dialog

Aktuale February 01, 2020 - 06:35
Shihet qartë insistimi i diplomacisë së BE-së dhe i asaj të SHBA-së për ta rinisur sa më shpejt dialogun Kosovë – Serbi. Në anën tjetër në Kosovë ka gjithnjë e më shumë zëra, ndër ta edhe i mandatarit për formimin e qeverisë Albin Kurtit se dialogu Prishtinë - Beograd duhet të rishikohet dhe të rivlerësohet. Shumë analistë mendojnë se Kosova nuk guxon të pranojë zgjidhje, të cilat cenojnë integritetin territorial dhe funksionalitetin e brendshëm, duke shtuar se Kosova nuk duhet të ulet në tavolinën, në të cilën diskutohet për statusin dhe për organizimin e saj kushtetues, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Image

Ndonëse dialogu Kosovë - Serbi ka stagnuar tash e më shumë se një vit për shkak të tarifës së vendosur nga pala kosovare për mallrat serbe (si përgjigje për lobimin kundër Kosovës nga Serbia te shtetet që kanë njohur Kosovën) Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian kanë ni- sur presionin e tyre që këto bisedime të rinisin, shkruan gazeta “Zeri”.

Gjatë kësaj jave në Kosovë ka qëndruar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili ndonëse tha se marrëveshja varet vetëm nga të dyja palët, ai me krerët politikë në vend u takua enkas për ta biseduar rinis- jen e dialogut.

Megjithëkëtë, mandatari për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti, tha prerazi se dialogu Prishtinë - Beograd duhet të rishikohet dhe të rivlerësohet. Në anën tjetër njohësit e politikave të jashtme thonë se qeveria e re duhet të bëjë zgjidhje për taksën, por në tavolinën e diskutimeve me Serbinë assesi nuk duhet të ulet pa u sqaruar qëllimet e të dyja palëve. 

. Sipas tyre, Kosova s’duhet të pranojë të diskutojë për çështjen e kufirit dhe për çështjen e Asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe se ky dialog duhet të zbresë në nivele teknike.

BE: Marrëveshja varet vetëm nga Kosova e Serbia

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë kësaj jave ka pritur në takim përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell. Pas këtij takimi Thaçi ka deklaruar se pret nga Uashingtoni dhe nga Brukseli të ndihmojnë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Mirëpo përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë varet vetëm nga këto dy shtete, ani pse tha ase BE-ja është këtu për t’i lehtësuar negociatat. “Jam këtu si njeri përgjegjës i Evropës për lehtësimin e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës, sepse problemi mund të zgjidhet vetëm nga këto dyja në negociatat mes këtyre dyjave. Marrëveshje mund të arrihet vetëm kur këto dy vende do të pajtohen. S’do të imponojmë asnjë lloj marrëveshje. Duam të lehtësojmë. Nëse arrihet marrëveshja s’do të jemi më Papë se Papa”, ka thënë Borrelli.

Në anën tjetër mandatari për formimin e qeverisë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se dialogu Prishtinë – Beograd duhet të rishikohet dhe të rivlerësohet. “Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të rishikohet dhe të rivlerësohet. BE-ja është një forcë për të mirë dhe mbetet e domosdoshme për të ardhmen e rajonit”, ka shkruar Kurti.

Mosformimi i qeverisë rrit rrezikun që Kosova të bëjë kompromise të dëmshme për marrëveshjen finale

Fetoshi, njohës i politikave të jashtme, ka thënë se Kosova ka presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë. Sipas tij, ky presion është shtuar tashmë nga ana e BE-së pas marrëveshjeve që janë bërë me shtetin serb pas ardhjes së ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është njëherësh edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donalt Trump. “Presioni ndërkombëtar është evident, por me intensitet të ndryshëm varësisht nga ndryshimi i rrethanave ndërkombëtare. Vizita e shefit të ri e diplomacisë evropiane në Prishtinë dhe në Beograd është përpjekje për rikthim të BE-së pas iniciativës që ka treguar muajve të fundit ambasadori Grenell si i dërguar i posaçëm i presidentit Trump”, ka thënë ai.

Fetoshi tutje ka thënë se qeveria e re së pari duhet t’i japë një zgjidhje çështjes së taksës 100% ndaj mallrave serbe. Sipas tij, ngecja në formimin e qeverisë dhe në zhvillimet e brendshme mund ta rrezikojnë Kosovën për një kompromis të dëmshëm për marrëveshjen finale. “Pavarësisht se si do të zhvillohet dialogu në vazhdim, qeveria e re do të jetë në presion menjëherë për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe për rifillimin e dialogut. Zhvillimet e brendshme, që e kanë lënë Kosovën në defensivë totale, fatkeqësisht po e shtojnë rrezikun e një kompromisi të dëmshëm si zgjidhje për marrëveshjen finale”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ai ka theksuar se Kosova assesi nuk duhet të pranojë që të diskutohet për çështjen e kufirit dhe për çështjen e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. “Ne mund të gjendemi para aktit të kryer, që do ta vështirësonte mbrojtjen e interesave vitale, por mendoj se duhet përjashtuar kategorikisht edhe prekja e kufirit, edhe Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Cilado prej këtyre opsioneve mendoj se nuk çon në normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, por në të kundërtën. Me një fjalë, Kosova nuk guxon të pranojë zgjidhje, të cilat cenojnë interesat e saj vitale siç është integriteti territorial dhe funksionaliteti i brendshëm”, ka theksuar Fetoshi.

Kosova të mos ulet në tavolinë me Serbinë pa u sqaruar qëllimet e të dyja palëve

Nezir Kraki, ligjërues i politikave të BE-së në Paris, ka thënë se kërkesat e SHBA-së për një marrëveshje të shpejtë me Serbinë janë në mospërputhje me vijën diplomatike amerikane. “Kosova ka presion vetëm nga Serbia dhe nga argatët e saj, të cilët për interesat e tyre personale e politike duan ta fusin Kosovën në një cikël të rrezikshëm të zhbërjes përmes bisedimeve. Edhe implikimi amerikan me kaq vrull më duket i çuditshëm, sepse idetë që po dalin nga ky vrull janë në mospërputhje me vijën diplomatike amerikane nga vitit 1999 e deri tash”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të ulet në një tavolinë, në të cilën diskutohet për statusin dhe për organizimin e saj kushtetues. Po ashtu ai i ka quajtur qesharake e të dyshimta dy marrëveshjet me Serbinë - atë Ajrore që është arritur ditë më parë dhe ajo për Kthimin e Linjës Hekurudhore, që pritet të finalizohet shpejt. “Pala serbe ka kërkesa ekstreme, sepse në strategjinë e saj nuk është ripushtimi i Kosovës, por invalidimi i saj si shtet nga brenda dhe izolimi i saj nga jashtë. Kosova nuk duhet as të ulet në tavolinë, ku flitet për statusin e saj dhe për organizimin e saj kushtetues. Plani i Ahtisaarit ka qenë kompromis i dhimbshëm për neve. Tash jemi duke dalë edhe jashtë atij plani duke e shpërfytyruar Kosovën. Marrëveshjet qesharake ku aeroporti ose hekurudhat e Kosovës bisedojnë me Serbinë si kompani krahinore, duke e zhdukur Kosovën nga çdo dokument, janë dëshmi se Serbia po rikthehet në Kosovë si bashkëmenaxhuese dhe si sabotuese”, ka theksuar ai.

Ai tutje tha se dialogu duhet të zbresë në nivele teknike. “Kosova nuk duhet fare të dialogojë me Serbinë pa u sqaruar qëllimet e të dyja palëve. Dialogu duhet të zbresë në nivele teknike dhe as nuk kemi nevojë për udhëtime turistike në Berlin”, ka përfunduar ai.