LDK-ja kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit, shkak mosshfrytëzimi i buxhetit komunal

LDK-ja kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit, shkak mosshfrytëzimi i buxhetit komunal

Aktuale January 28, 2020 - 13:56
Detajet
Image

Grupi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunë e Prishtinës, kanë kritikuar ekzekutivin për mosshfrytëzimin e buxhetit komunal. Asamblisti kësaj partie Shefqet Osmani duke paraqitur raportin financiar të kryeqytetit, theksoi se nga viti i kaluar ka një rritje shqetësuese të mosshfrytëzimit të buxhetit, raporton "Zëri.info"

“Ne që nga viti i kaluar kemi ngritur shqetësimin që ky buxhet nuk do shfrytëzohet. Janë paraqitur të dhëna skandaloze, mos shpenzimi i buxhetit dhe bartja e mbi 28 milionë eurove për vitin 2020. Mos shpenzimi i grantit qeveritar 4.2 milionë euro, i cili i kthehet prapë qeverisë së Kosovës. Buxheti i Komunës për vitin 2019 ishte 111 milionë euro, duke mos llogaritur 23 milionë euro të bartura nga viti 2018, prej tyre 78 milionë janë shpenzuar, 32 milionë nuk janë shpenzuar dhe 28 milionë janë bartur për vitin 2020”, ka thënë Osmani.

Ahmeti nga LDK-ja po kritikohet edhe për sa i përket planifikimit strategjik dhe të urbanizimit.

“Kryetari Ahmeti ka dështuar tërësisht dhe në planifikim strategjik dhe urbanizëm, ku nga 800,000,00 euro planifikim janë shpenzuar vetëm 12% të buxhetit të planifikuar. Shpenzimet kapitale ishin vetëm 32% e jo 40% siç paraqet raporti. Inkasimi i faturimit të mbeturinave është realizuar vetëm 47% apo 2.4 milionë euro më pak”, ka thënë tutje Osmani, përcjell "Zëri.info".

Osmani nuk e la pa i përmendur edhe mos përmbushjen e premtimeve të dhëna për kërkesat e qytetarëve.

“Nuk janë bërë investime në infrastrukturën shkollore, as në rikonstruktim të rrugëve, nuk ka përfunduar rrethrrotullimi te stacioni, nuk janë ndërtuar kolektorë për kanalizime, nuk ka shtirje të rrjetit të ujësjellësit, nuk ka deponi të mbeturinave”, ka thënë tutje asamblisti i LDK-së në Prishtinë.

Tutje nga asamblisti i LDK-së u theksua se në komunë ka një numër të madh të të punësuarve me kontratë mbi vepër. Sipas Osmanit ky numër është dyfishuar prej vitit 2018 që kishin qenë 110 persona, kurse në vitin 2019 sipas tij janë 210 të tillë, raporton tutje "Zëri.info".

Kësisoj LDK-ja ka kërkuar dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit si dhe një kërkim falje publike nga ai.

“Shpend Ahmetit i ka humbur rruga në oborr. Nëse i ka mbet veç pak moral dhe ndërgjegje, Shpend Ahmeti do të duhet së paku të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe të kërkojë falje publike”, u shpreh ai.

Komuna e Prishtinës gjatë vitit që lamë pas nuk arriti të shpenzojë rreth 30 milionë euro në investime kapitale./ZERI