Braktisje minimale e mësimit në arsimin e mesëm të lartë

Braktisje minimale e mësimit në arsimin e mesëm të lartë

Aktuale January 21, 2020 - 15:58
Braktisje minimale në arsimin e mesëm të lartë

Më shumë se 10 mijë nxënës gjatë viteve të fundit kanë vendosur ta lënë anash mësimin e detyrueshëm. Në raportin vjetor me tregues arsimor për vitin 2018 - 2019, MASHT-i ka njoftuar se përqindja e nxënësve që kanë braktisur mësimin gjatë këtij viti shkollor është 0,10 për qind. Sipas kësaj Ministrie, këto statistika janë të barabarta për të dyja gjinitë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me përqindje të njëjtë nxënësit kanë braktisur edhe arsimin e mesëm të ulët. Edhe në këtë nivel të shkollimit sipas MASHT-it, 0,10 për qind e nxënësve kanë lënë mësimin. Përqindja ndryshon tek arsimi i mesëm i lartë. Në këtë shkallë, përqindja e nxënësve që e braktisën mësimin e mesëm të lartë është 1,8 për qind në total e ku dallim kishte në mes të gjinive, 2,8 për qind e meshkujve e braktisën mësimin në këtë nivel, teksa përqindja e femrave ishte 0,8%. Ndër shkaqet më të shpeshta që ndikojnë në lënien e mësimit sipas njohësve të arsimit janë: shkaqet ekonomike, dallimet mes komuniteteve dhe problemet shëndetësore. Vlerësohet se ky fenomen është një problem i anashkaluar i institucioneve.

Braktisje minimale të ulët e ka vlerësuar Dukagjin Pupovci lënien e mësimit në arsimin e mesëm të lartë.

“Në arsimin e mesëm të lartë, që nuk është i obligueshëm, shkalla e braktisjes sipas MASHT-it është 1,8 për qind. Braktisja në këtë nivel shkollimi të shumtën ndodh për shkaqe ekonomike, kur nxënësi duhet të punojë për ta ndihmuar familjen”, ka thënë ai.

Një ndër indikacionet që tregon këtë gjë, sipas Pupovcit, është dallimi gjinor në lënien e mësimit e që më shumë e lënë shkollën meshkujt.

“Në favor të kësaj flet edhe e dhëna se 2,8 për qind e djemve braktisin shkollën e mesme të lartë për dallim nga 0,8 për qind e vajzave. Këto shifra mund të konsiderohen braktisje minimale, por, gjithsesi, edhe këtu duhet verifikuar saktësinë e të dhënave”, ka thënë ai për “Zërin”. /ZERI

Lexo edhe Alarmante: Mbi 10 mijë nxënës braktisën mësimin e detyrueshëm
Aktuale January 21, 2020