'Fëmijët që nuk janë në shkollë nuk konsiderohen si braktisës të saj'
FOTO: Zëri

'Fëmijët që nuk janë në shkollë nuk konsiderohen si braktisës të saj'

Aktuale January 21, 2020 - 14:14
Mbi 10 mijë nxënës në Kosovë e kanë braktisur mësimin e detyrueshëm viteve të fundit. Ndër shkaqet më të shpeshta, të cilat po ndikojnë që nxënësit të marrin një vendim të tillë sipas njohësve të rrethanave janë: varfëria, problemet shëndetësore dhe margjinalizimi i komuniteteve

Më shumë se 10 mijë nxënës gjatë viteve të fundit kanë vendosur ta lënë anash mësimin e detyrueshëm. Në raportin vjetor me tregues arsimor për vitin 2018 - 2019, MASHT-i ka njoftuar se përqindja e nxënësve që kanë braktisur mësimin gjatë këtij viti shkollor është 0,10 për qind. Sipas kësaj Ministrie, këto statistika janë të barabarta për të dyja gjinitë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me përqindje të njëjtë nxënësit kanë braktisur edhe arsimin e mesëm të ulët. Edhe në këtë nivel të shkollimit sipas MASHT-it, 0,10 për qind e nxënësve kanë lënë mësimin. Përqindja ndryshon tek arsimi i mesëm i lartë. Në këtë shkallë, përqindja e nxënësve që e braktisën mësimin e mesëm të lartë është 1,8 për qind në total e ku dallim kishte në mes të gjinive, 2,8 për qind e meshkujve e braktisën mësimin në këtë nivel, teksa përqindja e femrave ishte 0,8%.

Ndër shkaqet më të shpeshta që ndikojnë në lënien e mësimit sipas njohësve të arsimit janë: shkaqet ekonomike, dallimet mes komuniteteve dhe problemet shëndetësore. Vlerësohet se ky fenomen është një problem i anashkaluar i institucioneve.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës për Arsim (KEC), Dukagjin Pupovci, tutje theksoi se fëmijët që nuk janë në shkollë nuk mund të konsiderohen si braktisës.

“Po ashtu u duhet kushtuar vëmendje fëmijëve të moshës shkollore, që nuk janë në shkollë e që nuk konsiderohen si braktisës. Për fat të keq tek ne nuk ekziston një sistem i gjurmimit, i cili do të bënte të mundur veprimin e organeve shtetërore në rastet e kësaj natyre, ndërsa vetë MASHT-i vlerëson se 4,3 për qind e fëmijëve mbetet jashtë arsimit të obligueshëm”, bëri të ditur Pupovci, për "Zërin".

Duke folur mbi shkaqet më të shpeshta të braktisjes dhe të mospërfshirjes në arsimin e obligueshëm, ai tha se rastet ku haset më shpesh ky fenomen është te të varfëritë, te fëmijët me aftësi të kufizuara e te pjesë të tjera të shoqërisë.

“Rastet më të shpeshta të braktisjes dhe të mospërfshirjes në arsimin e obligueshëm paraqiten te grupet e margjinalizuara, ku bëjnë pjesë: të varfëritë, fëmijët me aftësi të kufizuara, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Arsyeja është gjendja ekonomike, niveli arsimor i familjes, si dhe pamundësia për t’i përballuar shpenzimet e shkollimit”, ka pohuar ai./ZERI

Lexo edhe Alarmante: Mbi 10 mijë nxënës braktisën mësimin e detyrueshëm
Aktuale January 21, 2020