Pupovci: Braktisja e mësimit është më e ulët në Kosovë sesa në vendet tjera
Foto: Laura Hasani

Pupovci: Braktisja e mësimit është më e ulët në Kosovë sesa në vendet tjera

Aktuale January 21, 2020 - 14:09
Mbi 10 mijë nxënës në Kosovë e kanë braktisur mësimin e detyrueshëm viteve të fundit. Ndër shkaqet më të shpeshta, të cilat po ndikojnë që nxënësit të marrin një vendim të tillë sipas njohësve të rrethanave janë: varfëria, problemet shëndetësore dhe margjinalizimi i komuniteteve

Më shumë se 10 mijë nxënës gjatë viteve të fundit kanë vendosur ta lënë anash mësimin e detyrueshëm. Në raportin vjetor me tregues arsimor për vitin 2018 - 2019, MASHT-i ka njoftuar se përqindja e nxënësve që kanë braktisur mësimin gjatë këtij viti shkollor është 0,10 për qind. Sipas kësaj Ministrie, këto statistika janë të barabarta për të dyja gjinitë, shkruan sot gazeta "Zëri".

 Me përqindje të njëjtë nxënësit kanë braktisur edhe arsimin e mesëm të ulët. Edhe në këtë nivel të shkollimit sipas MASHT-it, 0,10 për qind e nxënësve kanë lënë mësimin. Përqindja ndryshon tek arsimi i mesëm i lartë. Në këtë shkallë, përqindja e nxënësve që e braktisën mësimin e mesëm të lartë është 1,8 për qind në total e ku dallim kishte në mes të gjinive, 2,8 për qind e meshkujve e braktisën mësimin në këtë nivel, teksa përqindja e femrave ishte 0,8%. Ndër shkaqet më të shpeshta që ndikojnë në lënien e mësimit sipas njohësve të arsimit janë: shkaqet ekonomike, dallimet mes komuniteteve dhe problemet shëndetësore. Vlerësohet se ky fenomen është një problem i anashkaluar i institucioneve

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës për Arsim (KEC), Dukagjin Pupovci, theksoi se duke u bazuar në statistikat e publikuara nga MASHT-i rezulton se braktisja e arsimit të obligueshëm në Kosovë është 0,1 për qind e që është më e ulët duke e krahasuar me vendet tjera.

“Sipas të dhënave të MASHT-it, braktisja në arsimin e obligueshëm është 0,1% , që paraqet një shkallë më të ulët në raport me vendet tjera të botës. Sipas të dhënave të UNESCO-s, braktisjen më të vogël nga arsimi fillor e kanë shtetet, si: Japonia (0,02%), Turqia (0,08%), Spanja (0,13%), Finlanda (0,19%), ndërkaq mesatarja e Amerikës Veriore dhe e Evropës është 3,96%”, ka thënë ai për gazetën.

Sipas Pupovcit, është e nevojshme që gjatë mbledhjes së të dhënave për nxënësit, të cilët kanë braktisur shkollimin, të ketë edhe një nënraport me shkaqet ose arsyet e një gjëje të tillë.

“Në bazë të këtij krahasimi dhe të disa të dhënave ekziston mundësia që shumë shkolla i raportojnë braktisësit si përsëritës ose si nxënës që kanë kaluar në ndonjë shkollë tjetër, edhe pse nuk ka asnjë garanci se ata e vazhdojnë mësimin. Prandaj gjatë mbledhjes së të dhënave duhet analizuar me kujdes nëse kemi nënraportim të braktisjes për shkaqet e përmendura ose të ngjashme”, ka potencuar Pupovci./ZERI

Lexo edhe Alarmante: Mbi 10 mijë nxënës braktisën mësimin e detyrueshëm
Aktuale January 21, 2020