LVV-ja nuk e bën kurban Glauk Konjufcën
Foto: Laura Hasani

LVV-ja nuk e bën kurban Glauk Konjufcën

Aktuale January 17, 2020 - 08:14
Image

Pas postit të presidentit, pozita e kryeparlamentarit i ka thelluar ndasitë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e një marrëveshje bashkëqeverisëse. Postin e kryekuvendarit Vetëvendosja nuk ka pranuar ta dorëzojë te LDK-ja as pas ofertës së saj të së mërkurës. Madje nga kjo parti kreu i LVV-së ka kërkuar që të heqë dorë nga ky propozim dhe të kthehet në negociatat për bërjen e qeverisë, shkruan gazeta "Zëri".

Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë përgjigje propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje. Oferta e së mërkurës, që ishte e njëjtë me atë të 8 janarit, dje u refuzua përmes një letre nga LVV-ja. Në këtë përgjigje Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar kërkesën e LDK-së që pozita e kryeparlamentarit, të cilën tash e mban Glauk Konjufca i LVV-së, t’i dorëzohet LDK-së deri në zgjedhjen e presidentit. Duke kërkuar nga LDK-ja që të heqë dorë nga kjo kërkesë, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka theksuar se Glauk Konjufca nuk do të bëhet kurban i koalicionit LVV - LDK. Për më tepër Kurti ka shkruar se ishte LDK-ja ajo që votoi pro zgjedhjes së tij dhe kërkesa për ta larguar atë është veprim politik jodemokratik, të cilin LVV-ja nuk e përkrah.

Mirëpo pas pranimit të letrës kreu i LDK-së, Isa Mustafa, nuk e konsideroi atë si përgjigje zyrtare. Ai nuk e komentoi përmbajtjen e letrës, por theksoi se partia të cilën ai e udhëheq është e interesuar të arrijë marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen. Në përfundim të letrës Kurti e ka ftuar Mustafën që për hir të Republikës dhe të demokracisë të heqë dorë nga kërkesa për shkarkimin e Konjufcës dhe të kthehet në tavolinën e bisedimeve.

Ditë më parë Mustafa kishte theksuar se me Kurtin për marrëveshjen bashkëqeverisëse do ta zhvillojë vetëm edhe një takim. Pas pozitës së presidentit tashmë posti i kryeparlamentarit i ka thelluar edhe më tepër ndasitë për arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse. Në përpjekje të lidhjes së koalicionit LVV – LDK ka më tepër se 3 muaj që janë bërë negociata.

Kryeparlamentari thellon ndasitë LVV - LDK

Në letrën e djeshme drejtuar kryetarit të LDK-së Albin Kurti theksoi se kërkesa për ta shkarkuar Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit është jodemokratike. Ai ka thënë se ujdia për qeverinë e re nuk mund të pengohet me postin e kryekuvendarit siç kishte ndodhur deri më tash me postin e presidentit.

“Bujarisht jua kemi ofruar më shumë se gjysmën e qeverisë (në raportin 6:5 të ministrive) juve si parti që keni dalë e dyta në zgjedhje. E kemi pranuar edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, e cila nuk ishte fare urgjente dhe për të cilën nuk kemi garuar. U treguam më shumë se të gatshëm ta rrisim pjesëmarrjen e LDK-së në qeverisje, në pushtet. Mirëpo nuk mundemi tash t’i delegjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkësh. Zgjedhja e Konjufcës ishte legale dhe legjitime”, ka shkruar ai.

Kësisoj Kurti ka theksuar se LDK-ja i ka mundësitë që Konjufcën ta shkarkojë nga posti i kryekuvendarit, por kjo nuk do të bëhet me ndihmën e partisë së tij. “Ju keni të drejtë të jeni penduar dhe të kërkoni nga Grupi Parlamentar i LDK-së që po ashtu të pendohet dhe ta ndërmarrë iniciativën ta shkarkojë kryetarin e ri legjitim e demokratik të Kuvendit, Glauk Konjufcën. Kishte dhjetëra vota kundër Konjufcës më 26 dhjetor. Pra, përveçse keni të drejtë, ju keni edhe gjasa ta shkarkoni Konjufcën. Por unë nuk mund t’ju ndihmoj në këtë rrugë”, ka thënë Kurti, shkruan tutje "Zëri".

LDK-ja nuk e konsideron zyrtare kundërpërgjigjen e LVV-së

Pas ofertës për bashkëqeverisje që ia kishte bërë të mërkurën LVV-së, Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka pranuar një letër me përgjigjen e Vetëvendosjes. Pas pranimit dhe shqyrtimit të kësaj letre, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, theksoi se atë nuk e konsideron si përgjigje zyrtare të partisë së Kurtit, pavarësisht se ajo erdhi me shkrim në një zarf në zyrat e LDK-së. Ai theksoi se partia e tij është e interesuar që të gjejë rrugë për arritjen e marrëveshjes.

“Nuk e konsideroj se është letër zyrtare dhe që është përgjigje zyrtare, është një letër me cilësime të cilat nuk janë shumë zyrtare. Ajo që mund t’ju them është se ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces të gjejmë rrugë për marrëveshje, t’i themelojmë institucionet dhe të mos vazhdojë akoma kjo agoni e institucioneve. Për këtë kërkoj që edhe Vetëvendosja si partner i mundshëm të japë kontributin e saj”, ka thënë Mustafa.

Ndonëse ofertës së Kurtit të marrë më 13 janar LDK-ja i është përgjigjur me kundërofertë, krerë të Vetëvendosjes prapëseprapë kanë kërkuar që propozimi i tyre për bashkëqeverisje të shqyrtohet në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, në të cilin Mustafa theksoi se shqyrtohen vetëm elemente parimore të LDK-së dhe jo të partive tjera. “Ne Këshillin e Përgjithshëm të Partisë e mbajmë për çështje, të cilat konsiderojmë se janë parimore, por ne nuk diskutojmë në Këshill elemente të letrave të subjekteve të tjera politike, sepse i kemi të përcaktuara parimet e marrëveshjes, prandaj mbi ato parime ne po mundohemi të gjejmë rrugë për marrëveshje”, ka thënë ai.

LVV – LDK-ja të kthehen në bisedime ose të bëjnë plan për qeveri teknike

Ka një javë qëkur kur lideri i LVV-së dhe ai i LDK-së nuk kanë zhvilluar një takim në përpjekje të lidhjes së koalicionit qeverisës. Ditë më parë pas dorëzimit të ofertës së tij te Kurti, Mustafa kishte deklaruar se me homologun e tij nga Vetëvendosja kanë mbetur ta mbajnë edhe një takim të fundit. Ndonëse propozimi i Mustafës nuk u pranua, nga Vetëvendosja kanë kërkuar që ekipet negociuese të LDK-së të kthehen në takimet për bërjen e qeverisë. “Është për të ardhur keq që keni vendosur t’i ndërpritni takimet tona për koalicionin qeverisës duke më detyruar t’ju shkruaj letra thua se jemi kundërshtarë politikë ose jetojmë në kontinente të ndryshme. Unë besoj se ju ose përfaqësuesit tuaj duhet të ktheheni në tryezën e bisedimeve për t’u marrë vesh bashkë për qeverisje”, ka thënë Kurti në hyrje të letrës së tij dërguar Mustafës.

Të njëjtën kërkesë ndaj LDK-së Kurti e ka pasur edhe në mbyllje të letrës.

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se nëse LDK-ja e LVV-ja nuk mund ta bëjnë qeverinë duhet të kenë në plan krijimin e një qeverie teknike për ta mënjanuar ngërçin politik. Sipas Fadil Malokut, qeveria teknike duhet të krijohet me qëllim të largimit të vendit nga kolapsi, të mos shkohet në zgjedhje të reja dhe të mos zhgënjehen miqtë e Kosovës. “Mendoj se do të ishte mirë që këto dy subjekte fitimtare, të cilat e kanë fituar legjitimitetin prijatar të publikut ta marrin përsipër që të merren vesh për një zgjidhje alternative ose si thuhet për një plan ‘B’, ku do të angazhoheshin për krijimin një qeverie teknike”, ka thënë Maloku./ZËRI