LDK s’ka të drejtë ta kërkojë kryeparlamentarin dhe presidentin

LDK s’ka të drejtë ta kërkojë kryeparlamentarin dhe presidentin

Aktuale January 15, 2020 - 14:12

Nëse LDK-ja vazhdon të insistojë për kryeparlamentarin marrëveshja mes saj dhe LVV-së do të dështojë. Kështu ka konsideruar njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri, pasi kreu i LVV-së Albin Kurti s’mund të pranojë ta shkarkojë Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit, ngase me një veprim të tillë do ta shkatërronte Vetëvendosjen, shkruan gazeta "Zëri".

LDK-ja, siç është shprehur Tahiri, gjatë një interviste të dhënë për “Zërin” mund të kërkojë edhe gjashtë ministri, por jo kryeparlamentarin.

Zëri: Zotëri Tahiri, përse ka hezitim në arritjen e koalicionit të proklamuar dhe të pritshëm? Te kush bie përgjegjësia?

Tahiri: Përgjegjës për mosarritjen e marrëveshjes janë palët LVV dhe LDK, sepse nuk po mund t’i ndajnë funksionet qeverisëse. Kërkesat e njërës dhe ofertat e tjetrës janë të kundërta ose të mospajtueshme. Ne si opinion nuk i kemi konkretisht propozimet as të njërës dhe as të tjetrës. Momentalisht e kemi vetëm një propozim të liderit të LVV-së, i cili në një videoincizim e ka shpallur vetën kryeministër të qeverisë së ardhshme dhe i ka propozuar pesë ministra. Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe nga LDK-ja, por ata s’e kanë bërë akoma një gjë të tillë. Propozimi i Albin Kurtit ka kritika , ngase ka njerëz nga jashtë Kosovës që për mua janë të turpshme, sepse faji i shqiptarëve nuk është pse janë të ndarë në 5-6 shtete. Ai ka marrë figura të jashtme, sepse qeveria nuk ndërtohet me militantë partiakë dhe kjo për mua është e mirë.

Zëri: Si e vlerësoni ndarjen e pushtetit sipas fakteve të bëra publike?

Tahiri: Nëse LDK-ja e kërkon kryeparlamentarin nuk po mëson nga gabimet e veta. Në vitin 2014 ajo e zgjodhi kryeparlamentar Isa Mustafën me 83 vota, por nuk ishte partia e parë. Partia e parë ishte PDK-ja dhe i takonte PDK-së. Gjykata e ktheu dhe 6 muaj ne humbëm kohë për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Këtë punë LDK-ja nuk duhet ta përsërisë, sepse kryeparlamentari i takon partisë së parë dhe nuk është pjesë e ndarjes së posteve, sepse Kuvendi është kontrolluesi i Qeverisë dhe është legjislativ. LDK-ja ka qenë në pushtet tërë kohën përveç në mandatin e fundit dhe ka qenë pjesë e kapjes së shtetit. Tani për të parën herë është që LDK-ja të hyjë me një parti, e cila s’ka qenë pjesë e kapjes së shtetit. Kam dëshirë që LDK-ja të ketë një kriter për vete, që të mos i nxjerrë militantët partiakë dhe t’u japë shans njerëzve të rinj dhe frymës së re.

Zëri: A kanë mbështetje ligjoro-morale kërkesat e vazhdueshme të LDK-së për pushtet?

Tahiri: Te kryeparlamentari jo dhe te presidenti jo. Kryeparlamentari i takon partisë së parë dhe është balanca e kryesisë. Ndërsa po të pajtohet LVV-ja, atëherë kjo është marrëveshje ose pazar politik duke anashkaluar Kushtetutën, që është keq. LDK-ja mund të kërkojë të ketë më shumë ministri, është e drejtë e saj. Mund të kërkojë edhe zëvendësministra më shumë, por jo kryeparlamentarin dhe jo presidentin. Sepse nëse sot e cakton një trashëgimtar të presidentit ti e bllokon institucionin, sepse ai e ka mandatin deri në prill të vitit të ardhshëm dhe kjo qeveri duhet të bashkëpunojë me atë president. Thonë se posti i presidentit është formal dhe ai duhet të heshtë dhe të rrijë, sepse s’ka kurrfarë funksioni, ndërsa kur e kërkojnë pozitën thonë jo ai është president, ka shumë funksione, sepse i cakton gjyqtarët, këshillin prokuroial, cakton ambasadorët etj. Para se gjithash, Neni 84 që ka përshkrimet për presidentin del shumë i madh dhe e kërkojnë pastaj. LDK-ja po do garanci, por s’ka garanci, sepse edhe tani nëse e bën një marrëveshje, madje edhe me shkrim qoftë ajo, nuk vlen si garanci, sepse deputetët votojnë në bazë të ndërgjegjes. Kemi pasur plot raste kur p.sh. deputetët nuk e kanë votuar Isa Mustafën edhe të partisë së tij madje, ose nuk e kanë votuar presidentin Thaçi, ani pse ka pasur marrëveshje.

Zëri: A mendoni se Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë akoma kompromise dhe sa është limiti për t’i pranuar kërkesat e LDK-së?

Tahiri: Këto janë interesa partiake. Ndonjëherë thonë se kryeministri vlen sa katër ministra, mirëpo ndonjëherë thonë se ai punon përmes ministrave dhe s’mund ta urdhërojë asnjë ministër. Mirëpo kryeministri udhëheq Qeverinë dhe po të japë dorëheqje ai, atëherë bie e gjithë Qeveria, ndërkaq ministrat mund të zëvendësohen. LDK-ja dhe LVV-ja janë marrë vesh që kryeministri i takon partisë, e cila ka dalë fituese./ZËRI