Tahiri: LVV-ja digjet nëse e shkarkon Konjufcën
Foto: Laura Hasani

Tahiri: LVV-ja digjet nëse e shkarkon Konjufcën

Aktuale January 15, 2020 - 08:21
Image

Marrëveshja LVV - LDK do të dështojë nëse LDK-ja vazhdon të insistojë për kryeparlamentarin. Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri” njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri. Sipas tij, Albin Kurti s’mund ta shkarkojë Glauk Konjufcën, ngase një veprim i tillë do ta shkatërronte Vetëvendosjen, shrkuan gazeta "Zëri".

Nëse LDK-ja vazhdon të insistojë për kryeparlamentarin marrëveshja mes saj dhe LVV-së do të dështojë. Kështu ka konsideruar njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri, pasi kreu i LVV-së Albin Kurti s’mund të pranojë ta shkarkojë Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit, ngase me një veprim të tillë do ta shkatërronte Vetëvendosjen. LDK-ja, siç është shprehur Tahiri, gjatë një interviste të dhënë për “Zërin” mund të kërkojë edhe gjashtë ministri, por jo kryeparlamentarin. Partia, që drejton Isa Mustafa, po ashtu nuk mund të kërkojë as garanci për çështjen e presidentit, sepse s’mund të ketë garanci për një çështje të tillë. Rrjedhimisht Lëvizja Vetëvendosje do të duhej që sa më parë ta dërgonte emrin e mandatarit te presidenti, por ai ka vlerësuar se Kurti ka frikë se nuk do t’i mjaftojnë 15 ditë për bërjen e qeverisë, prandaj po e zvarrit këtë çështje. Sidoqoftë, Tahiri ka thënë se presidenti Thaçi qysh sot mund ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër pasi Kurti në një videoincizim e ka nominuar veten dhe i ka shpallur emrat për ministra nga radhët e subjektit që drejton. Por nëse Thaçi e bën një gjë të tillë, sipas Tahirit, LVV-ja mund ta refuzojë dhe ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo çështje mund të zgjasë me muaj.

LDK s’ka të drejtë ta kërkojë kryeparlamentarin dhe presidentin

Zëri: Zotëri Tahiri, përse ka hezitim në arritjen e koalicionit të proklamuar dhe të pritshëm? Te kush bie përgjegjësia?

Tahiri: Përgjegjës për mosarritjen e marrëveshjes janë palët LVV dhe LDK, sepse nuk po mund t’i ndajnë funksionet qeverisëse. Kërkesat e njërës dhe ofertat e tjetrës janë të kundërta ose të mospajtueshme. Ne si opinion nuk i kemi konkretisht propozimet as të njërës dhe as të tjetrës. Momentalisht e kemi vetëm një propozim të liderit të LVV-së, i cili në një videoincizim e ka shpallur vetën kryeministër të qeverisë së ardhshme dhe i ka propozuar pesë ministra. Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe nga LDK-ja, por ata s’e kanë bërë akoma një gjë të tillë. Propozimi i Albin Kurtit ka kritika , ngase ka njerëz nga jashtë Kosovës që për mua janë të turpshme, sepse faji i shqiptarëve nuk është pse janë të ndarë në 5-6 shtete. Ai ka marrë figura të jashtme, sepse qeveria nuk ndërtohet me militantë partiakë dhe kjo për mua është e mirë.

Zëri: Si e vlerësoni ndarjen e pushtetit sipas fakteve të bëra publike?

Tahiri: Nëse LDK-ja e kërkon kryeparlamentarin nuk po mëson nga gabimet e veta. Në vitin 2014 ajo e zgjodhi kryeparlamentar Isa Mustafën me 83 vota, por nuk ishte partia e parë. Partia e parë ishte PDK-ja dhe i takonte PDK-së. Gjykata e ktheu dhe 6 muaj ne humbëm kohë për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Këtë punë LDK-ja nuk duhet ta përsërisë, sepse kryeparlamentari i takon partisë së parë dhe nuk është pjesë e ndarjes së posteve, sepse Kuvendi është kontrolluesi i Qeverisë dhe është legjislativ. LDK-ja ka qenë në pushtet tërë kohën përveç në mandatin e fundit dhe ka qenë pjesë e kapjes së shtetit. Tani për të parën herë është që LDK-ja të hyjë me një parti, e cila s’ka qenë pjesë e kapjes së shtetit. Kam dëshirë që LDK-ja të ketë një kriter për vete, që të mos i nxjerrë militantët partiakë dhe t’u japë shans njerëzve të rinj dhe frymës së re.

Zëri: A kanë mbështetje ligjoro-morale kërkesat e vazhdueshme të LDK-së për pushtet?

Tahiri: Te kryeparlamentari jo dhe te presidenti jo. Kryeparlamentari i takon partisë së parë dhe është balanca e kryesisë. Ndërsa po të pajtohet LVV-ja, atëherë kjo është marrëveshje ose pazar politik duke anashkaluar Kushtetutën, që është keq. LDK-ja mund të kërkojë të ketë më shumë ministri, është e drejtë e saj. Mund të kërkojë edhe zëvendësministra më shumë, por jo kryeparlamentarin dhe jo presidentin. Sepse nëse sot e cakton një trashëgimtar të presidentit ti e bllokon institucionin, sepse ai e ka mandatin deri në prill të vitit të ardhshëm dhe kjo qeveri duhet të bashkëpunojë me atë president. Thonë se posti i presidentit është formal dhe ai duhet të heshtë dhe të rrijë, sepse s’ka kurrfarë funksioni, ndërsa kur e kërkojnë pozitën thonë jo ai është president, ka shumë funksione, sepse i cakton gjyqtarët, këshillin prokuroial, cakton ambasadorët etj. Para se gjithash, Neni 84 që ka përshkrimet për presidentin del shumë i madh dhe e kërkojnë pastaj. LDK-ja po do garanci, por s’ka garanci, sepse edhe tani nëse e bën një marrëveshje, madje edhe me shkrim qoftë ajo, nuk vlen si garanci, sepse deputetët votojnë në bazë të ndërgjegjes. Kemi pasur plot raste kur p.sh. deputetët nuk e kanë votuar Isa Mustafën edhe të partisë së tij madje, ose nuk e kanë votuar presidentin Thaçi, ani pse ka pasur marrëveshje.

Zëri: A mendoni se Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë akoma kompromise dhe sa është limiti për t’i pranuar kërkesat e LDK-së?

Tahiri: Këto janë interesa partiake. Ndonjëherë thonë se kryeministri vlen sa katër ministra, mirëpo ndonjëherë thonë se ai punon përmes ministrave dhe s’mund ta urdhërojë asnjë ministër. Mirëpo kryeministri udhëheq Qeverinë dhe po të japë dorëheqje ai, atëherë bie e gjithë Qeveria, ndërkaq ministrat mund të zëvendësohen. LDK-ja dhe LVV-ja janë marrë vesh që kryeministri i takon partisë, e cila ka dalë fituese.

Nëse s’ka koalicion LVV-ja krijon qeveri të pakicës ose e dorëzon mandatin, për zgjedhje vendos presidenti

Zëri: Si njohës i procedurave, si e parashihni rrjedhën në rast se nuk arrihet koalicioni?

Tahiri: Nëse nuk arrihet koalicioni është shumë e thjeshtë: LVV-ja del në Kuvend me qeveri të pakicës dhe kërkon votimin nga deputetët e Kuvendit. Parimisht LDK-ja ka deklaruar që e voton, AAK-ja ka deklaruar që e voton, Nisma po ashtu. Ani pse i ka 29 deputetë ky mund t’i marrë 70-80 vota dhe të funksionojë si qeveri e pakicës. Versioni i dytë është që e njofton presidentin se nuk po arrin ta bëjë qeverinë dhe e dorëzon mandatin. Pastaj presidenti e cakton mandatarin e dytë në bazë të nenin të Kushtetutës dhe në bazë të vendimit të gjykatës për cilëndo parti politike për të cilën presidenti bindet se i ka 61 vota, ia jep mandatarin partisë së dytë, të tretë, të katërt cilësdo që presidenti vlerëson. Në qoftë se presidenti vlerëson se Albin Kurti dështon, atëherë mandatin t’ia japë dikujt tjetër dhe për këtë e mban përgjegjësinë moralo-politike. Nëse kjo dështon pastaj i bie që ai nuk ka vlerësuar drejt. Deklarimet se mandatari i takon pastaj LDK-së ose dy herë LVV-së nuk janë shpjegime të drejta juridike.

Presidenti sot mund ta mandatojë Kurtin, por po frikësohet se hyn në lojën e LVV-së

Zëri: A ka tejkalim kompetencash në korrespodencën me letra ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe pretenduesit për kryeministër Albin Kurti?

Tahiri: Nuk ka pasoja juridike. Thjesht, krijojnë opinion dhe është korrespodencë zyrtare ndërmjet të dyja palëve. S’mundet presidenti ta detyrojë ta dërgojë emrin, sepse e detyron Kushtetuta dhe jo presidenti. Kur del fitues duhet ta dërgosh emrin për t’u mandatuar dhe Kushtetuta ka paraparë që 15 ditë është kohë e mjaftueshme për ta bërë qeverinë. Shkresat nga presidenti janë një lloj arsyetimi për institucionin e tij se ai është duke bërë përpjekje për ta zhbllokuar gjendjen dhe është duke i treguar partisë fituese se e ka obligim ta dërgojë emrin. Afatet e tij nuk janë ligjore, janë moralizuese. Neni 95 i Kushtetues thotë se presidenti në konsultim me partinë fituese e nominon mandatarin. Konsultimin e ka bërë, por aty i është thënë të presë për emër, jo pse nuk dihet se kush do të jetë, por Albin Kurti do të blejë kohë, pasi s’po mund të bëjë bisedime me LDK-në. Ndërsa konsideron që në momentin kur mandatohet LDK-ja e zë ngushtë LVV-në kur këta janë nën presion të kohës dhe 15 ditë po i duken pak.

Presidenti qysh tani mund ta nominojë Albin Kurtin, sepse e ka një videoincizim, e ka një konsultim me të dhe një deklarim publik. Kurti mund të mos e pranojë këtë, mirëpo ajo shkon dhe nuk ka rëndësi nëse e pranon, sepse nga data e dekretimit numërohet dhe LVV-ja mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dhe të presë vendimin e saj. Por çka po frikësohet Hashim Thaçi si president? Ai po frikësohet se nëse e nominon, ai po hyn në lojë dhe nuk po e ruan pavarësinë institucionale dhe në këtë rast LVV-në e çon në gjykatë dhe gjykata vazhdon dy muaj ose tre dhe mbetet faji te presidenti që ai e ka iniciuar problemin. Në ndërkohë bëhet marrëveshja dhe Albin Kurti shkon në Kuvend duke u thirrur në atë dokument që nuk e ka pranuar më herët dhe e bën akt të kryer çështjen e procedurës. Kjo është një lojë taktike e Albin Kurtit dhe e LVV-së. Mirëpo të gjitha këto janë spekulime, nga ajo që ne po e shohim është që hë për hë nuk po e pranon detyrën dhe nuk po e shohim që presidenti po e emëron.

Zëri: Ju personalisht a mendoni se do të ketë koalicion apo do të futemi në krizë politike?

Tahiri: Unë po e shoh se palët nuk po lëshojnë pe. Po e shoh se nëse është kërkesa për kryeparlamentar atëherë LDK-ja po e bllokon, sepse nuk ka drejtë ta marrë kryeparlamentarin dhe nuk ka të drejtë LVV-ja ta shkarkojë kryeparlamentarin dhe t’ia japë të drejtën LDK-së, sepse qeveria mund të prishet pas një viti e pastaj duhet të hiqet edhe kryeparlamentari. Ne e kemi pasur një heqje të kryeparlamentarit, Nexhat Daci është zëvendësuar me Kolë Berishën dhe kjo e ka shkatërruar një parti edhe pse në mënyrë cinike është thënë se ne nuk po e shkarkojmë, por po e zëvendësojmë. S’mund ta zëvendësosh nëse nuk e shtyn të japë dorëheqje. Dhe tani, sado që po insiston Lutfi Haziri që të kthehet në pikën zero, nuk mund ta shkarkojë Glauk Konjufcën pa e koritur atë dhe pa e shkatërruar Vetëvendosjen, sepse ai ka marrë mandatin, është duke punuar dhe është përfaqësues me Kushtetutë. Nëse për një pushtet të supozuar, që nuk është i garantuar, t’i po e rrëzon kandidatin tënd, një nga njerëzit më të mirë që i ke, është nënçmuese për LVV-në. Pra nëse LDK-ja insiston këtu, atëherë marrëveshje s’ka. Nëse është insistimi që të japë një zotim për president marrëveshje ka, sepse mund ta bëjë LVV. Nëse është insistimi që ta marrë një ministri më shumë, pra 6:4 prapë ka marrëveshje. Por duhet të dihen këto tri probleme 1. Kryeparlamentari, 2. Nëse pajtohen që të jenë 5-5 ministri, dhe 3. Nëse LDK-ja i kërkon 6 ministra, prapë LVV-ja pajtohet dhe mund të ecin tutje.