Edhe pas tre muajve s’ka furnizim me barna nga lista e re esenciale

Edhe pas tre muajve s’ka furnizim me barna nga lista e re esenciale

Aktuale January 09, 2020 - 08:01
Detaje
Image

Asnjë nga institucionet publike shëndetësore në vend ende nuk është furnizuar me barna nga lista e re esenciale, pavarësisht se po bëhen katër muaj qëkur kjo listë është përditësuar. Derisa këto institucione nuk furnizohen me këto barna pacientët do të duhet t’i sigurojnë vetë ato, shkruan sot Zëri.

Janë bërë më shumë se tre muaj qëkur është bërë revidimi i listës esenciale të barnave, por që furnizimi me to nuk ka filluar as në këtë fillimvit. Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës ishte thënë vitin e kaluar se furnizimi do të bëhet nga ky vit, por që procedurat e furnizimit tani vlerësohet se do të marrin kohë.

Ndonëse nuk ka dhënë datë të saktë se kur do të fillojë furnizimi me këto barna, drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se tani do të fillojnë institucionet shëndetësore të furnizohen.

Më tutje ai ka theksuar se këtë vit ka pasur përmirësim të dukshëm të furnizimit me barna dhe me material shpenzues dhe se ka stoqe të mjaftueshme për vitin 2020.

Përndryshe, derisa QKUK-ja e spitalet rajonale nuk do të jenë të furnizuara me barnat e reja të listës esenciale pacientët do të detyrohen që vetë t’i sigurojnë ato, pavarësisht që disa prej tyre kushtojnë shtrenjtë dhe do të jenë barrë për pacientët.

Më 20 shtator të vitit 2019 ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte nënshkruar listën esenciale të barnave, revidimi i së cilës kishte zgjatur më shumë se një vit. Kjo listë e re esenciale do të përmbajë 100 barna të reja për sëmundje të ndryshme, si barna për trajtimin e HIV-it, barna për Hepatitin C, barna që ndikojnë në gjak, citostatikë, barna për trajtimin e Gripit AH5N1 e AH1N1, barna për diabet e barna për sëmundjet nervore.

Me hyrjen në fuqi të listës së re të barnave esenciale Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të gjitha institucionet publike shëndetësore se të gjitha kontratat e reja duhet të lidhen duke u bazuar në këtë listë.

Kujtojmë se për barna dhe për material shpenzues për vitin e kaluar janë ndarë 34.9 milionë euro.

Spitalet rajonale pa barna të reja, procedurat e prokurimit marrin kohë

Edhe nga spitalet rajonale e nga qendrat e mjekësisë familjare është konfirmuar për gazetën se nuk ka filluar furnizimi nga lista e re esenciale.

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se për listën e re duhet të zhvillohen procedurat e prokurimit, si dhe duhet të bëhet planifikimi.

Ai ka bërë të ditur se barnat e reja që janë futur në këtë listë janë më shumë për QKUK-në. “Për listën e re esenciale tani zhvillohen procedurat e prokurimit për t’i blerë ato barna dhe besoj që në 2020-n do të fillojnë të zbatohen ato. Ne duhet ta bëjmë planifikimin për këtë. Sa kam njohuri unë 100 barnat që janë shtuar i takojnë QKUK-së”, ka thënë ai.

Përndryshe, Zeqiri ka treguar se sa i përket furnizimit me listën e vjetër esenciale ata kanë rezerva deri në muajin mars. “Furnizimi është diku mbi 95 për qind nga lista esenciale e cila ka qenë. Unë besoj që deri në muajin mars do të qëndrojmë mirë me stok farmaceutik. Vitin e kaluar furnizimi ka qenë shumë më i dobët se në këtë vit. Ne e kemi bërë një planifikim më të mirë, i kemi ndenjur gati furnizimit”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, keq me furnizim nga lista e vjetër esenciale nuk qëndrojnë as disa klinika në QKUK.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ferat Sallahu, ka thënë për gazetën se momentalisht janë të furnizuar me të gjitha produktet mjekësore që u nevojiten. “Ne jemi të furnizuar me të gjitha ato që na nevojiten, por që nuk e kam shikuar listën esenciale. Në krahasim me vitet tjera viti i kaluar ka qenë shembullor”, ka potencuar ai.

Kritika për mungesën e barnave nga lista esenciale

Mungesën e barnave nga lista esenciale disa herë e kanë kritikuar edhe njohës të shëndetësisë nga subjektet politike në vend.

Fatmire Kollçaku, mjeke nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, subjekt që pritet ta marrë Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për “Zërin” se do ta kenë prioritet shëndetësinë. Ajo ka thënë se është e rëndësishme që pacientët t’i gjejnë barnat që u nevojiten në institucionet publike shëndetësore. “Kemi pasur një keqmenaxhim në shëndetësi dhe në njëfarë forme jemi këtu ku jemi. Lista esenciale është bërë pa protokolle. Më e rëndësishmja është t’u mundësohet pacientëve që kur të shkojnë në institucionet shëndetësore së paku t’i gjejnë ato ilaçe që janë në listën esenciale e shërbimet shëndetësore që janë me urgjencë”.

Kollçaku ka vlerësuar se një financim i qëndrueshëm është shumë i rëndësishëm në shëndetësi./ZERI/