2020-a ringjall shpresat për heqjen e vizave
Foto: Laura Hasani

2020-a ringjall shpresat për heqjen e vizave

Aktuale January 09, 2020 - 07:53
detaje
Image

Ndonëse gjasat janë minimale që heqja e vizave për Kosovën të jetë pjesë e agjendës së takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian, që do të mbahet në mars, përsëri 2020-a mund të jetë vit i liberalizimit për kosovarët. Shpresat për këtë proces ringjallen nga fakti se Kroacia dhe Gjermania, dy shtete mike të Kosovës, do të udhëheqin me Presidencën e BE-së këtë vit, shkruan sot gazeta Zëri.

Edhe pse qe një dekadë liderë vendorë e ndërkombëtarë e kanë premtuar heqjen e vizave Kosova vazhdon edhe më tej të jetë e izoluar nga shtetet e tjera të BE-së. Ndonëse viti 2019 ishte konsideruar se do të ishte vit i liberalizimit gjasat janë minimale që Kosova edhe gjatë vitit 2020 të fitojë lëvizjen e lirë në Zonën Shengen.

Këshilli i BE-së, përgjegjës për liberalizimin e vizave për Kosovën, respektivisht Këshilli për Punë të Brendshme, do të takohet në formatin formal vendimmarrës katër herë gjatë këtij viti. 

. Ky Këshill joformalisht do të takohet më 23 të këtij muaji, ndërsa takimi i parë formal është paraparë të mbahet më 12 mars. Sipas njohësve të integrimeve, deri më sot nuk ka indikacione se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë pjesë e agjendës së BE-së në këto takime, por që shpresat mbeten te dy shtetet mike të Kosovës. Te Kroacia, e cila do ta ketë timonin e Presidencës së BE-së deri më 30 qershor të këtij viti dhe tek aleati i kamotshëm i Kosovës Gjermania, e cila do të marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të 2020-ës.

Haradinaj: BE-ja padrejtësisht po e mban Kosovën të izoluar

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili me dhjetëra herë gjatë qeverisjes së tij e kishte premtuar heqjen e vizave, në një deklaratë për medie ka thënë se meqë Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim do të duhej që edhe heqja e vizave të ndodhte. “Ne i kemi përmbushur kushtet për liberalizim. Tani kjo është çështje politike e zhvillimeve të brendshme të Evropës dhe nuk lidhet me taksën. Ne kriteret i kemi përmbushur. Vendet lidere të BE-së, si Gjermania, e kanë marrë iniciativën për të ecur përpara. Nuk ka ndodhur izolim për shkak të taksës, përkundrazi Kosova është imponuar me këtë fuqi të veten për të marrë vendime sovrane”.

I pari i qeverisë në detyrë ka thënë se nëse Kosova nuk hyn në agjendë në mbledhjen e parë të Këshillit të BE-së, që mbahet në fund të shkurtit ose në fillim të marsit të këtij viti, atëherë dihet se kjo po bëhet me qëllim që Kosova të lihet e izoluar. “Nëse nuk hyjmë në agjendë në mbledhjen e parë të Këshillit të BE-së, që mbahet diku në fund ose në fillim të marsit, atëherë dihet që kjo po bëhet me qëllim dhe dihet që është agjendë për të na mbajtur të izoluar. Për këtë duhet të na tregojnë pse po ndodh kjo”, ka thënë ai.

Kroacia dhe Gjermania, shpresa e Kosovës për liberalizim

Duke folur për heqjen e vizave për Kosovën, Demush Shasha, nga instituti “Epik”, për “Zërin” ka thënë se ndonëse Këshilli i BE-së do të takohet 4 herë brenda këtij viti, nuk ka asnjë indikacion se heqja e vizave për Kosovën do të jetë pjesë e agjendës së këtij institucioni. “Këshilli i BE-së, përgjegjës për liberalizimin e vizave për Kosovën, respektivisht Këshilli për Punë të Brendshme, do të takohet në formatin formal vendimmarrës katër herë gjatë këtij viti. Po ashtu Këshilli do të këtë edhe takime joformale. Takimi i parë joformal është më 23 janar 2020, ndërsa takimi i parë formal është më 12 mars 2020. Në asnjërin nga këto takime deri më sot nuk ka pasur indikacione se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë pjesë e agjendës”.

Sipas tij, shpresë për këtë proces jep fakti që Presidenca e BE-së në vitin 2020 do të udhëhiqet nga dy vende mike të Kosovës, Kroacia dhe Gjermania. “Sidoqoftë, gjatë vitit 2020 Presidencën e BE-së do ta kenë dy vende mike të Kosovës: Kroacia (1 janar – 30 qershor 2020) dhe Gjermania (1 korrik – 31 dhjetor 2020). Prandaj ekziston mundësia që çështja e liberalizimit të vizave të përkrahet nga dy presidencat respektive. Sidoqoftë, Kosova ndërkohë duhet t’i përfundojë detyrat e shtëpisë”.

Shasha po ashtu ka përmendur faktorët që janë duke e penguar heqjen e vizave, duke theksuar mungesën e rezultateve konkrete të institucioneve kosovare në luftën kundër korrupsionit, bllokimin e dialogut Kosovë – Serbi etj. “Janë katër faktorë që janë duke e penguar heqjen e vizave e ndër ta është mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tre vjet e gjysmë pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ky ishte së fundi edhe qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Francës”.
Kësisoj, sipas tij, duhet shpresuar se konfigurimi i ardhshëm qeverisës do të këtë vullnet politik për të shënuar progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe rrjedhimisht në arritjen e rezultateve bindëse në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar.

Gjermania në krah të Kosovës, Franca e Holanda kundër liberalizimit

Ndërsa profesori universitar Arben Fetoshi për “Zërin” ka thënë që vlerëson se në rrethanat e krijuara në Kosovë dhe me papërgjegjësinë e institucioneve vendore nuk mund të shpresohet për heqjen e vizave në një afat të afërt. “Mbajtja e kosovarëve në izolim është absurde, ashtu siç është bërë tashmë edhe politika në Kosovë. Me degradim të tillë të proceseve, që dëshmon mungesa e qeverisë më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve dhe me joseriozitetin e gjyqësorit në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë jo që s’mund të flasim për liberalizimin e vizave, por rrezikojmë seriozisht edhe me dështim të shtetit. Pra, vetëm në qoftë se merr fund sa më parë një situatë e tillë absurde dhe institucionet fillojnë seriozisht t’i adresojnë sfidat reale viti 2020 mund të sjellë liberalizimin e vizave”, ka thënë Fetoshi. Ndonëse nuk ka afate për heqjen e vizave, viti 2020 sipas Fetoshit është vit optimist për Kosovën, sepse timonin e Presidencës së BE-së do ta marrin dy shtete mike të Kosovës, Kroacia dhe Gjermania. “Ndonëse nuk ka afate për vendimin ky vit është më optimist për shkak të udhëheqjes së Këshillit nga Kroacia në gjysmën e parë dhe nga Gjermania në gjysmën e dytë, si mbështetëse të fuqishme të kësaj të drejte për kosovarët”. Sipas tij, duke pasur parasysh këtë dhe faktin që dy institucione të rëndësishme të BE-së, siç janë Komisioni dhe Parlamenti Evropian, e kanë miratuar liberalizimin, mund të shpresohet për vendimin pozitiv të Këshillit, por vetëm me përpjekje serioze në luftimin e krimit me angazhim maksimal për t’i bindur edhe vendet kundërshtuese si Franca e Holanda./ZERI