LVV: Në Prishtinë është degraduar arsimi e shëndetësia

LVV: Në Prishtinë është degraduar arsimi e shëndetësia

Aktuale December 27, 2019 - 13:35
Lexoni detajet

E mori kryeqytetin nën sloganin “Jepi krah Prishtinës”, por kryetarit aktual Shpend Ahmetit i janë thyer krahët në qeverisje, pasi që 2019-n po e përmbyll me shumë pak projekte kapitale të finalizuara. Ahmeti ka humbur edhe besimin e Kuvendit Komunal të kryeqendrës, pasi ata i kanë vënë në pah pa hezituar dështimet përgjatë tërë vitit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nga asamblistët e Kuvendit Komunal në veçanti është theksuar mungesa e finalizimit të projekteve kapitale, të cilat sipas tyre e kanë lënë Prishtinën pas komunave tjera.

Mosinvestime ka pasur edhe në sektorë tjerë si në arsim, në shëndetësi e në infrastrukturë, teksa asamblistët janë shprehur pesimistë se kjo gjendje do të përmirësohet në 2020-n.

Madje Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar edhe pezullimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës.

Punësimet partiake e mosinvestimet në shkolla, sipas asamblistit të LVV-së, e kanë degraduar sektorin e arsimit në Prishtinë.

“Arsimi këto dy vjet e veçanërisht në vitin e fundit ka degraduar shumë. Punësimet partiake, mosinvestimet në shkolla e presionet politike për t’i shërbyer pushtetit kanë shkatërruar arsimin në Komunën e Prishtinës”, ka thënë Eman Rrahmani.

Ndërsa degradimin e shëndetësisë ai e lidhi me largimin e drejtorit Arben Vitia nga LVV-ja e që ishte në krye të pak drejtorive që i mbetën LVV-së pas ndarjes me PSD-në.

“Po ashtu edhe shëndetësia me largimin e drejtorit Arben Vitia ka filluar të dalë nga binarët edhe pse ishte vënë në binarët e duhur, duke krijuar një sistem ku shërbehet për qytetarët. Në Komunën e Prishtinë tashmë korrupsioni nuk është më tabu, aty të gjithë jemi dëshmitarë se ka filluar të ketë korrupsion, madje janë dy zyrtarë të arrestuar për korrupsion”, ka thënë ai.

Se ka mangësi në investimet në sektorin e arsimit e konfirmoi edhe asamblisti i LDK-së, Agim Gashi. Ai tha se kryeqytetit i mungojnë thuajse shtatë shkolla.

"Të gjitha projektet e vlerave të mëdha as nuk kanë filluar të realizohen. Kryesisht investimet janë orientuar në projekte të vlerave të vogla dhe për këtë arsye buxheti nuk do të arrijë të shpenzohet në përmasa të planifikimit, por do të bartet një sasi e madhe e mjeteve. Kjo prek fushat e arsimit, pra investimet në objektet shkollore, pavarësisht që Prishtinës i mungojnë shtatë objekte shkollore", ka thënë ai./Zëri