Opozitarët kërkojnë pezullimin e Shpend Ahmetit, PSD-istët flasin për rezultate

Opozitarët kërkojnë pezullimin e Shpend Ahmetit, PSD-istët flasin për rezultate

Aktuale December 27, 2019 - 12:56
Lexoni detajet

E mori kryeqytetin nën sloganin “Jepi krah Prishtinës”, por kryetarit aktual Shpend Ahmetit i janë thyer krahët në qeverisje, pasi që 2019-n po e përmbyll me shumë pak projekte kapitale të finalizuara. Ahmeti ka humbur edhe besimin e Kuvendit Komunal të kryeqendrës, pasi ata i kanë vënë në pah pa hezituar dështimet përgjatë tërë vitit, shkruan sot gazeta "Zëri"

Nga asamblistët e Kuvendit Komunal në veçanti është theksuar mungesa e finalizimit të projekteve kapitale, të cilat sipas tyre e kanë lënë Prishtinën pas komunave tjera.

Mosinvestime ka pasur edhe në sektorë tjerë si në arsim, në shëndetësi e në infrastrukturë, teksa asamblistët janë shprehur pesimistë se kjo gjendje do të përmirësohet në 2020-n.

Madje Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar edhe pezullimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit asamblisti i LVV-së, Eman Rrahmani, ka bërë të ditur për “Zërin” se i është drejtuar Shpend Ahmetit me disa kërkesa.

“Mbas 6 tetorit unë kryetarit të Komunës Shpend Ahmetit ia kam dërguar këto këshilla: 1. Të pezullojë postin e kryetarit të Prishtinës; 2. Të shkarkojë dy nënkryetarët dhe të gjithë drejtorët; 3. Të kërkojë falje për tjetërsimin e vullnetit të mbi 42 mijë qytetarë të Prishtinës e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës; 4. Të emërojë dy nënkryetarët dhe drejtorët sipas kërkesave të Vetëvendosjes”, ka njoftuar ai.

Mirëpo fjalë të mira për punën e bërë në Komunën e Prishtinës ka pasur asamblisti Nol Nushi, nga Partia Socialdemokrate. Ai për “Zërin” pohoi se gjatë vitit 2019 ka pasur një intensitet të shtuar të punës në Komunë. “Të gjithë e kemi parë një intensitet të shtuar të qeverisjes komunale e sidomos në punët infrastrukturore në veçanti, gjë që është mirë, edhe pse ka qenë edhe vit zgjedhor, edhe vit me telashe ndoshta politike, të cilat besoj se e kanë penguar si shumë edhe punën e qeverisjes komunale”.

Disa nga arritjet që i përmendi Nushi kanë të bëjnë me punën e ndërmarrjeve publike e deri te nënshkrimi i kontratës për parkingun nëntokësor.

“Disa nga të arriturat që do t’i veçoja janë puna e ndërmarrjeve publike, po ashtu edhe funksionalizimi i Pallatit të Rinisë, të cilat janë shumë të rëndësishme për punën e qeverisjes komunale. Të mos harrojmë edhe nënshkrimin e kontratës për parkingun e madh nëntokësor, hapjen e çerdheve dhe të QKMF-ve, që kanë për të ndodhur brenda këtij viti dhe shumë punë të tjera po ashtu”.

Ai përmendi edhe planin 100-pikësh të kryetarit të kryeqytetit.

“Vlen të theksohet plani 100-pikësh i kryetarit Ahmeti. Disa nga këto projekte i kanë kaluar procedurat, por marrin kohë të realizohen dhe pritet të finalizohen gjatë vitit të ardhshëm. Prishtina po kompletohet si një qytet më modern dhe më i mirë për qytetarët”, ka thënë ai.

Ai u shpreh optimist se në vitin e ardhshëm në Prishtinë do të bëhen punë edhe më të mira.

“Megjithatë, nuk është vit i keq i qeverisjes, por jam i sigurt që qeverisja komunale ka për të performuar edhe më mirë gjatë vitit të ardhshëm, sepse janë dy vjetët e parë të mandatit të dytë dhe besoj se do të ketë rritje të përgjegjësive në Prishtinë”, ka thënë Nushi./ZERI