Mbi 300 mijë euro për aparatura për Spitalin e Ferizajt

Mbi 300 mijë euro për aparatura për Spitalin e Ferizajt

Aktuale December 27, 2019 - 12:42
Spitalet rajonale dhe QKUK-ja edhe në vitin e ardhshëm do të përballen me mungesë të disa aparaturave. Pavarësisht furnizimeve që janë bërë, klinikat edhe më tej kanë shprehur nevojën për aparatura të reja, për shkak se disa nga to janë vjetruar

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti kanë marrë mbi 300 mijë euro nga SHSKUK-ja për aparatura. Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë furnizuar me rëntgen digjital e me aparatura tjera përcjellëse.

“Është një gamë e gjerë e aparaturave që na kanë ardhur këtë vit. Kemi marrë një rëntgen digjital e aparatura tjera përcjellëse, EKG, aspirator, tavolina fraksioni e tavolina operatike. Mbi vlerën 300 mijë euro ne kemi marrë grand vetëm prej SHSKUK-së”.

Zeqiri ka thënë më tutje se kanë planifikuar edhe aparatura për vitet tjera, të cilat janë të nevojshme për ta, në mënyrë që të rrisin shërbimet.

“Aparaturë e vjetër nuk na ka mbetur, por kemi pasur aparatura që kanë qenë para 15 vjetësh, të amortizuara e jofunksionale. Ne e kemi pasur edhe buxhetin tonë dhe kemi blerë aparaturë të re. Aparaturat tjera që ne i kemi planifikuar janë aparaturat që i rrisin shërbimet, do të thotë shërbimet që nuk janë dhënë më herët”, ka thënë ai./ZËRI