Aparaturat për dializë të vjetra, nevojë për ultrazë e për CT
Foto: Laura Hasani

Aparaturat për dializë të vjetra, nevojë për ultrazë e për CT

Aktuale December 27, 2019 - 10:56
Spitalet rajonale dhe QKUK-ja edhe në vitin e ardhshëm do të përballen me mungesë të disa aparaturave. Pavarësisht furnizimeve që janë bërë, klinikat edhe më tej kanë shprehur nevojën për aparatura të reja, për shkak se disa nga to janë vjetruar

Ish-drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për gazetën se në Repartin e Dializës në këtë spital punohet me aparatura të vjetra, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas standardeve evropiane, aparaturat të cilat janë më të vjetra se 7 vjet duhet të dalin nga funksioni.

Derisa në këtë spital aparaturat e dializës janë të vjetra rreth 15 vjet, ai ka thënë se pos aparaturave për Repartin e Dializës kanë nevojë edhe për CT dhe për ultrazë.

“Ne jemi furnizuar përmes një kontrate nga SHSKUK-ja dhe nga buxheti vetanak i Spitalit. Na kanë ardhur disa aparatura gjatë këtij viti, mirëpo është nevoja që në vazhdimësi të kemi aparatura të reja. Ne kemi nevojë për ultrazë, pasi që duhet të përcillet trendi, sepse po dalin aparatura më të reja. Ne e kemi një CT, por ajo është 6-shtresore, për kohën e saj ka qenë e mirë, por duhet të kemi një CT të fundit. Në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë është menduar edhe për rezonancë magnetike”, është shprehur ai. Asllani ka theksuar se duke marrë parasysh numrin e madh të pacientëve që kërkojnë trajtim në këtë spital, atëherë në vazhdimësi duhet të bëhet furnizimi me aparatura.

Përndryshe, ai ka treguar se gjatë këtij viti janë furnizuar me aparatura për Sallën Operative Ortopedike e për Kujdesin Intensiv. “Këtë vit kanë ardhur tri tavolina të reja operative, tre ultrazëra, një aparaturë për Sallën Operative Ortopedike, aparaturë për Përkujdesin Intensiv e për Gjinekologjinë. Duke e ditur që Spitali është dikaster i madh, ka nevojë në vazhdimësi të ketë furnizim. Sipas standardeve evropiane, një aparaturë duhet të jetë 5 deri në 7 vjet e vjetër, pastaj ajo konsumohet. Duke marrë parasysh numrin e madh të pacientëve në Spital, atëherë besoj që aparatura duhet të ndërrohet”, ka theksuar ai./ZËRI