Heshtja e presidentit

Janë bërë tashmë tri ditë prejse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta rrisë taksën ndaj produkteve të Serbisë nga 10 për qind sa ishte në 100 për qind. Por pavarësisht faktit që një vendim i tillë nxiti reagime të shumta presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka zgjedhur heshtjen, duke mos u deklaruar fare rreth këtij vendimi, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Janë bërë tashmë tri ditë prejse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta rrisë taksën ndaj produkteve të Serbisë nga 10 për qind sa ishte në 100 për qind. Por pavarësisht faktit që një vendim i tillë nxiti reagime të shumta presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka zgjedhur heshtjen, duke mos u deklaruar fare rreth këtij vendimi.
Gazeta “Zëri” ka tentuar të marrë një përgjigje nga Presidenca, por nga Zyra e kreut të shtetit nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj çështjeje. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se presidenti qëllimisht ka vendosur të mos deklarohet, pasi që sipas tyre përplasja me Qeverinë në këto momente do t’ia ulte atij popullaritetin. Megjithëkëtë, ata vlerësojnë se Thaçi është kundër vendosjes së kësaj takse, pasi nuk e kishte mbështetur as taksën e vendosur prej 10 për qind, e cila ishte vendosur para pak javësh nga Qeveria. Kjo pasi, siç shprehen ata, Thaçi dëshiron të paraqitet para BE-së i gatshëm për marrëveshje me Serbinë dhe si një politikan i atillë që nuk i pengon përpjekjet për paqe. Për dallim prej presidentit, që nuk është deklaruar fare rreth taksës, përfaqësuesit e partive opozitare e kanë mbështetur vendimin në fjalë, duke thënë se një masë e tillë është dashur të vendoset qysh moti karshi Serbisë.
Haradinaj nuk tërhiqet, taksa për Serbinë vazhdon
Pavarësisht kritikave të ashpra të Bashkimit Evropian kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur të mos zmbrapset nga vendimi rreth taksës së vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Madje një gjë të tillë Haradinaj e ka pohuar edhe gjatë ditës së djeshme, pas një takimi që ka zhvilluar me ambasadorët e akredituar në Kosovë, si dhe me zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. “Vendimi për masën prej 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina do të mbetet në fuqi deri në realizimin e objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai pas takimit që ka pasur me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Pavarësisht tij, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë qëndrimi rreth këtij vendimi të Qeverisë.
Gazeta “Zëri” ka kontaktuar dje shefin e stafit të presidentit Bekim Çollakun për të marrë një qëndrim të Presidencës, por ai nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje. Ndërkohë, teksa ka folur rreth këtij vendimi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë gjatë së premtes se vendimet e tilla janë krejtësisht legjitime. “Si shtet sovran kemi marrë disa vendime të cilat synojnë ta ndalin destruktivitetin e liderëve institucionalë të Serbisë kundër Kosovës. Vendimet tona janë legjitime, legale dhe transparente. Ato nuk duhet assesi të interpretohen si veprime kundër një komuniteti të caktuar në Kosovë. Për këtë arsye nuk duhet të shërbejnë si shkas për ta cenuar stabilitetin e Kosovës”, ka theksuar kryeparlamentari Kadri Veseli.
Hahn bisedon me Thaçin, Haradinajn e Vuçiqin
Pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria dhe pas protestës së bërë nga disa qytetarë serbë në Kosovë për ta kundërshtuar këtë vendim, komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se ka komunikuar në telefon me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Me këtë rast Hahn ka thënë se është marrë vesh me liderët e të dyja vendeve që të parandalohet eskalimi i situatës. “Sapo bisedova me presidentin Vuçiq, me presidentin Thaçi dhe me kryeministrin Haradinaj. U pajtuam për nevojën për parandalimin e eskalimit të situatës në interes të të gjithë rajonit. Po ashtu u ofrova ndihmë për gjetjen e një zgjidhjeje praktike në masën e importit”, ka njoftuar Hahn.
Për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi taksën prej 100 për qind serbët e veriut të Kosovës kanë protestuar gjatë së premtes për dy orë radhazi në fshatin Rudarë të Zveçanit.
Opozita: Thaçit i intereson vetëm dialogu me Serbinë, jo taksa
Deputeti i LVV-së, Ali Lajçi, ka thënë se masa të tilla ndaj Serbisë është dashur të merren qysh moti. Me këtë rast Lajçi ka vlerësuar se edhe presidenti i Kosovës është dashur të deklarohet rreth taksës ndaj produkteve serbe. Por, sipas tij, Qeveria dhe Presidenca nuk kanë kurrfarë dakordimi rreth vendimeve që merren. “Është një çështje bukur e turbullt dhe po dihet që nuk janë të dakorduara dhe të harmonizuara veprimet e Qeverisë e të presidentit.
Ka çakordime të theksuara edhe në politika të jashtme, edhe në të brendshme, që nuk është mirë. Nganjëherë po reflektohen edhe me vendime të këqija në vija ndërkombëtare, kur është fjala për afirmimin e shtetësisë së Kosovës. Edhe kjo praktikë duhet të largohet nga institucionet tona doemos”, është shprehur ai.
Ndërkohë, deputeti i PSD-së Salih Salihu ka konsideruar se presidentit Thaçi nuk i interesojnë çështjet si ajo e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe. “Presidenti Thaçi nuk është duke u marrë me këto gjëra, ai e ka vendosur të flasë me Serbinë e Rusinë, këto tjerat nuk i sheh problem.
Ai nuk është duke u mërzitur për këto punë. Për të këto janë shumë minore, kështu po duken. Me rëndësi për të është që dialogu t’i ecë mbarë e mirë”, ka theksuar Salihu. Më tutje deputeti i PSD-së ka vlerësuar se taksa e vendosur për Serbinë është një vendim i duhur i ndërmarrë prej anës së Qeverisë.
“Taksa prej 100 për qind e marrë nga Qeveria është masë e duhur. Kjo i kontribuon zhvillimit të vendit. Është dashur të bëhet shumë më herët, që nga pavarësia e Kosovës, jo tash në momentin e fundit të veprohet me këso masash. Por sidoqoftë, kjo masë është tepër e mirë sepse i kontribuon ekonomisë së vendit”, ka deklaruar ai. Por, sipas Salihut, paralel me këto masa duhet të ndërmerren edhe hapa të tjerë konkretë që e përkrahin prodhimin vendor. Kjo pasi, siç ai është shprehur, mund të ketë edhe lëvizje të çmimeve për shkak të vendosjes së taksës në mënyrë të papritur.
Kalkulimet e presidentit
Njohësi i çështjeve politike Shkodran Ramadani ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk e kishte mbështetur as vendimin e Qeverisë së Kosovës kur Serbisë i ishte vendosur taksa prej 10 për qind sa i përket importimit të produkteve në Kosovë. “Nga Parisi presidenti Thaçi e kishte kritikuar vendimin e parë të Qeverisë së Kosovës, që parashihte vendosjen e një takse prej 10% për produktet e Serbisë. Ai këtë masë e kishte parë si hap të gabuar që nuk çon drejt pajtimit ndërshtetëror me Serbinë. Mendimi i tij ishte që ky vendim e përkeqëson klimën negociuese dhe nuk u kontribuon përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për konfliktin Kosovë - Serbi”, ka deklaruar ai.
Duke u bazuar në këtë qëndrim, sipas Ramadanit, mund të llogaritet lirisht se presidenti është edhe kundër taksës 100%, që është 10 herë më e lartë se taksa e parë. “Në këtë aspekt, kritika e tij do të duhej të ishte dhjetëfish më e lartë. Mirëpo ai është një kalkulues i mirë i situatave të tilla.
Përplasja me Qeverinë në këtë moment do t’ia ulte edhe më tej popullaritetin. Siç e kemi parë, kjo taksë nuk është avancuar vetëm nga Qeveria. Ka një sensibilizim të madh qytetar në mbështetje të saj. Mediet, OJQ-të, intelektualë dhe qytetarë të të gjitha sferave kanë dhënë përkrahjen për këtë vendim”, ka theksuar ai.
Meqë ka një gatishmëri të madhe qytetare për të sakrifikuar, sipas tij presidenti Thaçi nuk e ka lehtë të kritikojë këtë tarifë.
“Një qëndrim kritik do të lexohej si sabotim i mobilizimit kombëtar dhe kjo nuk është ajo çfarë presidenti Thaçi do të donte. Po ashtu ai nuk e ka të lehtë që ta mbështetë plotësisht vendimin. Ai duhet të paraqitet para BE-së si i gatshëm për marrëveshje dhe si politikan që nuk pengon përpjekjet për paqe. Këto mund të jenë disa nga arsyet e heshtjes së tij nëse veç do të heshtë edhe ditëve në vazhdim”, ka nënvizuar Ramadani./ZËRI