"LVV-ja e LDK-ja, fajtore për mosfunksionim të Kuvendit"

Aktuale November 17, 2018 - 21:43
Lexo detajet!

Përveç ndërprerjes së pothuajse secilës seancë plenare të Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit, tashmë kanë filluar të dështojnë edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Deputetët kanë filluar që t’i bojkotojnë edhe mbledhjet e komisioneve. Ndërsa monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se dështimet e seancave po pasqyrohen edhe në komisione. Ndërkohë, partitë opozitare thonë se koalicioni qeverisës tashmë është jofunksional, shkruan "Zëri". 

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, në një prononcim për “Zërin” akuzoi dy partitë tjera opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për dështim të Kuvendit se me bojkotin e tyre të seancave në Kuvend po ia zgjasin jetën Qeverisë aktuale.

“E kemi thënë që ne si PSD jemi që kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi, mirëpo në mënyrën si LDK-ja dhe LVV-ja po veprojnë kjo qeveri do të mbetet deri në fund të mandatit”, ka thënë Baftiu.

Ajo po ashtu ka thënë se pavarësisht mungesave në komisione e në seanca Qeveria nuk po ndikohet. Ajo shtoi se kjo qeveri nuk duhet të vazhdojë më tutje dhe se për mosfunksionimin e saj fajtore po i gjen partitë opozitare që nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për rrëzimin e saj.

“Opozita nuk është duke e bërë punën si duhet për arsye se do të duhej të ishim më të unifikuar, ta bëjmë një strategji se si do të dukej Qeveria e ardhshme dhe ne si opozitë nëse do të kishim një plan strategjik, atëherë po besoj se edhe deputetët e pozitës, të cilët nuk janë të kënaqur me këtë qeverisje, mund të na bashkohen dhe ta rrëzojmë Qeverinë”, ka deklaruar Baftiu. /ZERI