Liberalizim s’ka as sivjet

Aktuale November 15, 2018 - 07:57
Lexo tjera detaje
Image

Kosova i ka humbur pothuajse të gjitha gjasat që ta fitojë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE) gjatë këtij viti pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të drejtuesve të institucioneve vendore se ende ka shpresë që lëvizja e lirë në zonën Schengen të ndodhë në fund të muajit të ardhshëm (dhjetor), shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ekspertët e integrimit evropian thonë për “Zërin” se skenari më pozitiv ka mbetur lëvizja pa viza gjatë vitit 2019, pasi është shumë vonë që një gjë e tillë të ndodhë sivjet.

Përndryshe tri organet e Bashkimit Evropian, Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, duhet të dalin me një dokument të përbashkët për heqjen e vizave të Kosovës. Pas përfundimit të këtyre diskutimeve dhe votimit në COWEB(Grupi punues për vizat), nëse ka pëlqim, propozimi kalon në nivelin e COREPER-it (ambasadorët permanent të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel), ku ulen ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së për të diskutuar për këtë çështje. COREPER-i mblidhet 6 deri në 9 herë në muaj, përderisa për muajin nëntor kanë mbetur edhe 5 takime, kurse në dhjetor do të mbahen gjithsej 6 takime, duke filluar nga 5 dhjetori deri më 19 dhjetor 2018, kur edhe do të jetë takimi i fundit. Në anën tjetër, në formatin e ministrave takimet mbahen çdo 3 muaj, kurse në bazë të agjendës së tyre ata do të takohen më 6 dhe më 7 dhjetor të këtij viti.

 Lobimi i liderëve për vizat

Për të lobuar te shtetet anëtare të BE-së për heqjen e vizave kryeparlamentari Kadri Veseli po qëndron në Finlandë, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ndodhet në vizitë në Gjermani, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha në Itali, ndërsa shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj pritet ta vizitojë Austrinë.

LEXO EDHE: Thaçi dhe Haradinaj ftohin raportet

Haradinaj ka deklaruar të martën se si rezultat i punës së Qeverisë Kosova do të arrijë të hyjë në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së për liberalizim të vizave gjatë këtij viti. “Qeveria po mundohet në mënyra të ndryshme të krijojë argumente për të hyrë në agjendë të liberalizimit. Unë nuk mund ta bëj punën e Kuvendit. Unë s’mund të kryej edhe punë tjera në qeveri të huaja. Por ne nuk po ndalemi. Dhe, unë ende besoj se do të hyjmë në agjendë, se do ta marrim vendimin këtë vit. Nuk bën të ndalemi. Është herët për t’u dorëzuar. Shumë keq është që njerëzit tanë të presin edhe këtë dimër para ambasadave. Është reale të ndodhë sivjet”, ka thënë Haradinaj.

Kurse ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila po qëndron në një vizitë në Itali, ka kërkuar ndihmën e këtij shteti për çështjen e vizave. “Emigrimi ilegal është hequr nga agjenda e institucioneve tona, ngase nga viti 2015 kjo dukuri ka rënë në vlerat më të ulëta, aq sa shtetasit e Kosovës nuk gjenden as brenda 30 shteteve për kërkesat e parashtruara për azil në vendet e BE-së. Menaxhimi i azilit në vend, si dhe i riatdhesimit është për t’u vlerësuar, sepse Kosova po zbaton jo vetëm marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe rekomandimet që dalin nga këto marrëveshje”, theksoi ministrja Hoxha në këtë vizitë.

Hoxha po ashtu kërkoi nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Itali, Nicola Molteni, përkrahje në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave për t’ua mundësuar lëvizjen e lirë qytetarëve të Kosovës.

Shasha: Kosova ka humbur afatet për vizat

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), ka thënë për “Zërin” që tashmë është shumë vonë që vendimi për heqjen e vizave për Kosovën të merret këtë vit. “Tanimë ka kaluar pika ku ne do të mundë që këtë vit të fillojmë të lëvizim lirshëm pa viza. Nuk ka mundësi që deri në fund të këtij viti të kemi një vendimmarrje pozitive për këtë proces, sepse tashmë jemi vonë për këtë. Skenari më pozitiv mbetet që së paku gjatë vitit 2019 të marrim vendimin për liberalizim të vizave, por për këtë vit është e pamundur të bëhet liberalizimi”, ka theksuar Shasha.
Kjo gjë, sipas tij, nuk do të mundë të ndodhte edhe sikur i tërë procesi të bëhej në mënyrë të përshpejtuar, si në rastin e shtetit të Gjeorgjisë. “Edhe sikur kjo gjë të kishte ndodhur në mënyrën më të shpejtë të mundshme, kjo gjë nuk do të kishte mundur të ndodhte këtë vit, tashmë i kemi kaluar këto afate, edhe një gjë e tillë është e pamundur”, ka thënë ai.
Ndërkohë ai ka theksuar se edhe në vitin 2019 kjo çështje rrezikohet edhe më tej, sepse në maj të vitit 2019 organizohen zgjedhjet e Parlamentin Evropian, si dhe prej 1 janarit 2019 udhëheqjen e Presidencës së BE-së e merr Rumania, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Lushaku: Nuk ka unitet në BE për liberalizim të vizave

Edhe njohësja e fushës së integrimeve evropiane, Jehona Lushaku, ka thënë për “Zërin” se nuk ka sinjale që çështja e vizave të Kosovës do të kalojë në agjendën e Këshillit të Ministrave këtë vit. Madje ajo thotë se heqja e vizave për kosovarët do të zvarritet edhe për disa vite. “Ky proces mund të zgjatet edhe disa vite dhe pastaj do të varet krejtësisht se kush i fiton zgjedhjet në Parlamentin Evropian, pra varësisht se cilat parti politike fitojnë në nivel të BE-së. Duke parë skepticizmin e disa shteteve anëtare të BE-së duhet ende shumë punë që këto shtete të binden me qëllim që të votojnë pro këtij procesi. Shpresoj shumë që kjo do të ndodhë, por siç po shihet është vështirë e realizueshme”, ka theksuar ajo.
Ajo ka potencuar se nëse as këtë vit nuk hyn në agjendë heqja e vizave, atëherë kjo çështje do të shtyhet për disa vite. “Nëse heqja e vizave për Kosovën nuk hyn në agjendë, atëherë ky proces do të shtyhet për disa vite”, ka thënë Lushaku.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë për “Zërin” që ky proces është duke u zvarritur dhe po i bëhet padrejtësi Kosovës. “As sivjet dhe as për një kohë të gjatë nuk do të ketë liberalizim të vizave pa u zgjidhur çështja themelore e qasjes së BE-së ndaj Kosovës, të cilën nuk e kanë njohur 5 vende të BE-së. BE-ja nuk ka mekanizma që t’i detyrojë këto vende ta njohin dhe t’i pranojnë dokumentet dhe pasaportat e Kosovës. Kosova ka një zgjidhje që me marrëveshje bilaterale me vendet, për aq sa lejohet nga sistemi i BE-së, ta zgjidhë këtë çështje”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.