Evoluimi i Thaçit - Rusia e keqe, Rusia e mirë!

Aktuale November 14, 2018 - 07:37
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Presidenti Hashim Thaçi në fillim të këtij viti kishte shkruar një editorial për Forumin Ekonomik Botëror, në të cilin kishte akuzuar Rusinë se po tenton ta rrënojë shtetin e Kosovës. Por pas vetëm dhjetë muajve, pasi ka takuar homologun e tij rus Vladimir Putin në Paris ai ka një qëndrim diametralisht të kundërt, duke thënë se Rusia do ta mbështesë marrëveshjen paqësore, i cili do të arrihet në mes të Kosovës e Serbisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Rusia po tenton ta rrënojë shtetin e Kosovës”, kështu kishte shkruar në fillim të këtij viti presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në një editorial për Forumin Ekonomik Botëror, i cili mbahet në Davos të Zvicrës.

“Përpjekjet e koordinuara nga Moska në mes të shtetit, kanaleve të propagandës, inteligjencës, hakerëve dhe pjesëmarrësve politikë  kanë një qëllim të qartë. Ata duan t’i shkatërrojnë lidhjet e shumta të besimit: ndërmjet qytetarëve dhe qeverive brenda shteteve perëndimore, ndërmjet shteteve që i përkasin NATO-s dhe BE-së, por edhe më gjerë”, kishte shkruar mes tjerash Thaçi në këtë editorial, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Por qëndrimi i Thaçit për shtetin, i cili udhëhiqet nga Vladimir Putin, ka ndryshuar pothuajse plotësisht pas një takimi që këta dy presidentë kanë zhvilluar ditë më parë në Paris në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Pas këtij takimi Thaçi ka njoftuar se Putin ia ka konfirmuar se Rusia do ta mbështesë marrëveshjen paqësore, e cila do të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësues të opozitës dhe analistë politikë akuzojnë të parin e shtetit të Kosovës se po dëshiron ta zëvendësojë Gjermaninë, e cila e kundërshton idenë e Thaçit me Rusinë. Madje, sipas tyre, një takim i tillë mes dy presidentëve më së shumti i konvenon Rusisë.

LVV: Thaçi po tenton ta zëvendësojë Gjermaninë me Rusinë

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke tentuar të zëvendësojë shtetin e Gjermanisë me atë të Rusisë. Sipas saj, është e papranueshme që presidenti është duke dashur të krijojë marrëdhënie me Rusinë dhe me Serbinë.

“Sot është dashur të mbajmë seancë për skandalet e presidentit Hashim Thaçi, për tendencën për të zëvendësuar Gjermaninë me Rusinë. Është skandal ajo që po bën presidenti. Këtë kemi mundësi ta diskutojmë të premten, sepse është e papranueshme që po tenton të krijojë marrëdhënie të re me Serbinë dhe me Rusinë”, ka thënë ajo.

Teksa ka komentuar takimin Thaçi - Putin Haxhiu ka thënë edhe se presidenti Thaçi po mundohet t’i zëvendësojë aleatët dhe kjo është e papranueshme.

“Ne kemi paralajmëruar në vazhdimësi që presidenti ka qëllim të takohet me Putinin dhe ka kërkesë të vazhdueshme të Thaçit t’i zëvendësojë aleatët. Ai po mundohet të krijojë marrëdhënie të reja me Serbinë dhe me Rusinë e kjo është e papranueshme”, ka thënë ajo.

Gaxherri: Idetë e Thaçit s’i mbështet as PDK-ja

Ndërsa deputetja Besa Gaxherri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke e komentuar takimin e presidentit Thaçi me atë Putin ka thënë për “Zërin” se shpreson që veprimet e presidentit Thaçi nuk do të ndikojnë që Kosova ta humbë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.

“Dëshiroj të besoj që çdo shtet demokratik, sidomos siç është Gjermania, SHBA-ja e shumë shtete tjera që janë mike të Republikës së Kosovës, nuk varen dhe nuk e shikojnë Kosovën nga një individ. Jam shumë e bindur që ata i përcjellin zhvillimet në Kosovë dhe e shohin që në Kosovë nuk ka mbështetje për presidentin Thaçi”, ka theksuar ajo.

Gaxherri po ashtu ka vlerësuar se as ish-partia e presidentit Thaçi, PDK-ja, nuk e mbështet atë në idetë e tij.

“Asnjë subjekt në Kosovë, duke përfshirë edhe ish-partinë e tij, nuk e mbështet Thaçin në idetë e tij të çmendura. Konsideroj që sidomos shteti gjerman i cili është një shtet mik dhe serioz ka parasysh këtë dhe besoj që Kushtetuta e Republikës së Kosovës me asnjë kusht nuk guxon dhe nuk duhet të shkelet”, ka theksuar Gaxherri.

Beqa: Takimi Thaçi – Putin, pozitiv për Kosovën

Ndërsa deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka deklaruar për “Zërin” se takimi mes Thaçit e Putinit duhet të shihet pozitivisht dhe i suksesshëm për Kosovën.

“Z. Thaçi si president i vendit ka obligim kushtetues që ta përfaqësojë Republikën e Kosovës sa më mirë dhe mendoj që është për t’u vlerësuar fakti se ai takohet me liderët botërorë. Na duhen të gjitha shtetet dhe sidomos ato që janë të fuqishme me qëllim që të integrohemi në BE, si dhe në organizata ndërkombëtare. Unë përkundrazi këtë gjë e shoh si pozitive për Kosovën”, ka thënë ai.

Beqa ka thënë se takime të tilla duhet të ndodhin edhe në të ardhmen, me qëllim që t’i forcojmë bashkëpunimet me gjitha shtetet e fuqishme në botë.

“Unë i shoh këto takime pozitive dhe akuzat e opozitës i shoh vetëm si konsum politik dhe nuk i shoh si serioze. Është sukses kur presidenti ynë takohet me nivelin e presidentëve botërorë dhe ata e njohin të gjithë si president i Republikës. Unë nuk shoh diçka të keqe këtu, përkundrazi ne duhet në arenën ndërkombëtare t’i fuqizojmë bashkëpunimet me gjitha shtetet dhe e dimë që synim yni është integrimi në Evropë dhe ruajta e marrëdhënieve me SHBA-në e shtetet tjera”, ka theksuar ai.

Mushkolaj: Takimi i konvenon Rusisë

Në anën tjetër Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, duke e komentuar takimin e presidentit Thaçi me homologun e tij rus ka thënë që ky takim i konvenon vetëm shtetit të Rusisë, por jo edhe Kosovës.

“Ky takim është bërë për interes të Rusisë, e cila e ka shfrytëzuar Kosovën me qëllim që t’i zgjidhë problemet që i ka brenda shtetit të vet”, ka thënë Mushkolaj për “Zërin”.

Ai ka shtuar se duhet të dihet arsyeja e vërtetë se pse Rusia po takohet me presidentin e një shteti që nuk e njeh dhe po tregohet “miqësore” me të.

“Ka një sërë pikëpyetjesh për këtë takim e që duhet të sqarohen ato, me qëllim që të kuptohet se në çfarë suazash është organizuar takimi, kush kanë qenë ndërmjetësuesit, pse pikërisht tani është zhvilluar ky takim dhe a ka pasur diskutim tjetër përpos asaj që na u është thënë nga presidenti Thaçi”, ka thënë ai.