Sholtes flet për ‘Zërin’ për shkëmbimin e territoreve me Serbinë

Aktuale November 12, 2018 - 12:53
Detajet

Igor Sholtes, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka pranuar se te disa shtete anëtare të BE-së kanë mëdyshje sa i përket heqjes së vizave për Kosovën. Megjithatë, ai shpreson se liberalizimi i vizave do të ndodhë në fund të mandatit aktual të Parlamentit Evropian. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen në maj të vitit 2019.

Në këtë intervistë Sholtes ka folur edhe për idenë e presidentit të vendit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast Sholtes ka thënë që kjo ide nuk i kontribuon rajonit.

LEXO EDHE: Sholtes: Disa shtete të BE-së kanë mëdyshje për heqjen e vizave

“Keni të drejtë, ideja për korrigjimin e territoreve ka nxitur reagime jo vetëm në Evropë, por edhe jashtë saj. Siç jeni në dijeni reagimet për këtë çështje kanë qenë të përziera. Dua të ndalem në Raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, për të cilin unë vetë kam qenë i obliguar t’ua transmetoj: “Shënimet, debatet dhe deklaratat publike në lidhje me ndryshimet e mundshme të territoreve mes Kosovës e Serbisë, duke përfshirë këtu edhe shkëmbimin e territoreve, duke marrë parasysh natyrën homogjene e multietnike të të dyja vendeve, nuk mund të jenë objektiva të regjionit. Duhet të mbështetet dialogu që është bërë i mundur nga BE-ja për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë. Konsiderohet që çdo marrëveshje në mes të të dyja shteteve do të jetë e pranueshme vetëm nëse të dyja palët janë në pajtueshmëri, duke respektuar, mbi të gjitha, stabilitetin në regjion dhe ligjet ndërkombëtare”, ka thënë Sholtes. /ZËRI