Konjufca: Heqja e vizave mund të shtyhet deri në vitin 2020

Aktuale November 09, 2018 - 10:22
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha janë shprehur optimistë se këtë vit mund të merret vendimi për liberalizimin e vizave për zonën Schengen. Ndërsa njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se në bazë të rrethanave aktuale heqja e regjimit të vizave rrezikon të mos ndodhë as vitin e ardhshëm, shkruan "Zëri". 

Në anën tjetër deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për “Zërin” ka thënë se në situatën, në të cilën gjendet vendi është sinjal që procesi i vizave të shtyhet deri në vitin 2020.

“Dëshira dhe vullneti ynë janë që të ketë liberalizim të vizave, mirëpo nëse jemi objektivë dhe e shohim se si ka shkuar procesi atëherë të gjithë e pranojmë që para 3-4 muajve optimizmi ka qenë më i madh, kurse tash pesimizmi është më i madh që gjatë këtij viti do të ketë liberalizim për shkak të shumë proceseve. Procesi i parë është se sa i kemi kryer ne detyrat e shtëpisë të dhëna nga BE-ja. Raportimet që shkojnë te BE-ja për luftim të krimit dhe të korrupsionit nuk janë shpresëdhënëse për BE-në sepse ata mendojnë që ka pasur hapa prapa në luftimin e korrupsionit dhe në pavarësinë e drejtësisë muajve të fundit”, është shprehur Konjufca.

Zvarritjes së çështjes së vizave, sipas Konjufcës, i kanë kontribuuar edhe shumë skandale të tjera në Kosovë siç janë edhe listat e rrejshme të veteranëve, shkruan më tutje "Zëri". 

“Skandalet e tjera në vend si listat e veteranëve dhe një numër i madh i skandaleve të tjera, të cilat drejtësia nuk po i adreson mendoj që shkojnë si minuse te këto shtete të BE-së të cilat pastaj kanë skepticizmin e tyre sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Po ashtu aspekt tjetër që ndikon negativisht për vizat është edhe situata në të cilën është duke kapërcyer edhe vetë Bashkimi Evropian”, ka thënë Konjufca.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, sipas Konjufcës, nëse për vitin 2018 shtyhet liberalizimi i vizave atëherë në vitin e ardhshëm do të jetë po e njëjta gjendje sepse krijohet një fazë e re prej konsolidimit të institucioneve të BE-së dhe ky proces rrezikon të shtyhet deri në vitin 2020. /ZERI