Haradinaj e Hoxha, optimistë për liberalizimin e vizave

Aktuale November 09, 2018 - 08:00
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha janë shprehur optimistë se këtë vit mund të merret vendimi për liberalizimin e vizave për zonën Schengen. Ndërsa njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se në bazë të rrethanave aktuale heqja e regjimit të vizave rrezikon të mos ndodhë as vitin e ardhshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Qëndrimi hezitues i më shumë se dhjetë shteteve të Bashkimit Evropian ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën dhe mospërfshirja e kësaj çështjeje në takimin e fundit të mbledhjes së ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel nuk ua ka zbehur pritjet liderëve kosovarë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha janë shprehur optimistë që heqja e vizave për Kosovën do të ndodhë gjatë këtij viti.

LEXO EDHE: Dhjetëra programe të UP-së rrezikohen në mungesë të stafit akademik

Mirëpo ndryshe mendojnë njohësit e integrimeve, si dhe përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend, të cilët thonë që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën rrezikon të shtyhet deri në vitin 2020 për shkak të zhvillimeve brenda Bashkimit Evropian. 

Haradinaj pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Ministror për Integrim Evropian ka deklaruar se beson që brenda këtij viti liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të futet në agjendë dhe ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së do t’i thonë “Po” këtij procesi.

“Ne i kemi kaluar dy momentet më të rëndësishme. Praktika thotë se kur kalon në Parlament mbetet vetëm zbatimi. Ajo çka po na mungon momentalisht është të hyjmë në agjendë, sepse po thonë që nuk ka disponim të mjaftueshëm. Zbatuesit në këtë rast janë ministrat e Brendshëm dhe kanë një hezitim ta fusin në rend të ditës çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kërkesa jonë është që të hyjmë në rend të ditës dhe të mos e paragjykojnë rezultatin. Komisioni ka thënë po, Parlamenti ka thënë po, tash është vetëm zbatimi”, ka thënë Haradinaj.  

Ai ka theksuar se nëse hyjmë në agjendë të Këshillit, atëherë do të ndodhë edhe liberalizimi i vizave për kosovarët.

“Ka mundësi të hyjmë në agjendë, e nëse hyjmë në agjendë unë besoj se do ta marrim ‘Po’-në edhe në këtë vit”, ka deklaruar Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit po ashtu ka thënë se nuk ka shtete të BE-së që janë kundër heqjes së vizave, por ka vetëm shtete që nuk e kanë prioritet këtë çështje.

Ndërkaq ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha, bëri të ditur se fillimisht hapi i parë për heqjen e vizave është votimi në nivelin COREPER (Ambasadorët Permanentë të Shteteve Anëtare) dhe votimi është i njëjtë si në Këshill të Ministrave, me shumicë kualifikuese 55 % e votave me 65 % e popullsisë.

“Insistimi ynë është që të mos dorëzohemi, që të futet në agjendë edhe në nivelin COREPER, edhe në Këshill të Ministrave”, ka thënë ajo.

Hoxha ka folur sërish edhe rreth premtimeve të evropianëve se nëse kalon Demarkacioni do të hiqen vizat, duke përmendur intervistën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, e cila sipas Hoxhës, shumë qartë pati theksuar se nëse kalon Demarkacioni me Malin e Zi do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

Konjufca: Heqja e vizave mund të shtyhet deri në vitin 2020

Në anën tjetër deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për “Zërin” ka thënë se në situatën, në të cilën gjendet vendi është sinjal që procesi i vizave të shtyhet deri në vitin 2020.

“Dëshira dhe vullneti ynë janë që të ketë liberalizim të vizave, mirëpo nëse jemi objektivë dhe e shohim se si ka shkuar procesi atëherë të gjithë e pranojmë që para 3-4 muajve optimizmi ka qenë më i madh, kurse tash pesimizmi është më i madh që gjatë këtij viti do të ketë liberalizim për shkak të shumë proceseve. Procesi i parë është se sa i kemi kryer ne detyrat e shtëpisë të dhëna nga BE-ja. Raportimet që shkojnë te BE-ja për luftim të krimit dhe të korrupsionit nuk janë shpresëdhënëse për BE-në sepse ata mendojnë që ka pasur hapa prapa në luftimin e korrupsionit dhe në pavarësinë e drejtësisë muajve të fundit”, është shprehur Konjufca.

Zvarritjes së çështjes së vizave, sipas Konjufcës, i kanë kontribuuar edhe shumë skandale të tjera në Kosovë siç janë edhe listat e rrejshme të veteranëve.

“Skandalet e tjera në vend si listat e veteranëve dhe një numër i madh i skandaleve të tjera, të cilat drejtësia nuk po i adreson mendoj që shkojnë si minuse te këto shtete të BE-së të cilat pastaj kanë skepticizmin e tyre sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Po ashtu aspekt tjetër që ndikon negativisht për vizat është edhe situata në të cilën është duke kapërcyer edhe vetë Bashkimi Evropian”, ka thënë Konjufca.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, sipas Konjufcës, nëse për vitin 2018 shtyhet liberalizimi i vizave atëherë në vitin e ardhshëm do të jetë po e njëjta gjendje sepse krijohet një fazë e re prej konsolidimit të institucioneve të BE-së dhe ky proces rrezikon të shtyhet deri në vitin 2020.

Rrezikohet që të mos ketë vendimmarrje për vizat as këtë vit

Në anën tjetër Taulant Kryeziu, kryesues i bordit ekzekutiv në institutin EPIK, ka thënë për “Zërin” që pavarësisht premtimeve dhe optimizmit të vazhdueshëm të liderëve kosovarë për heqje të vizave, rrezikojmë që as këtë vit të mos kemi vendimmarrje në Këshill të Ministrave.

“Ne kemi argumentuar vazhdimisht që skenari më pozitiv është që të ketë vendimmarrje deri në fund të vitit, mirëpo siç po shihet dinamika kjo gjë është vështirë, sepse ende nuk është ardhur deri te një marrëveshje që tregon dakordancë mes Këshillit dhe Parlamentit Evropian”, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, nuk ka sinjale pozitive për liberalizim të vizave.

“Ne ende nuk kemi parë lëvizje që ka një dakordancë në mes të dyja trupave legjislative. Sigurisht që kur vjen në agjendë të Këshillit të BE-së, çështja e vizave vjen kur ka unitet për t’u votuar, kjo nuk ka diskutim, mirëpo tendenca po shihet që ka një numër të vendeve që janë skeptike dhe derisa ekziston ky skepticizëm nuk ka mundësi që dosja jonë të kalojë në nivel të Këshillit sepse janë ato 6 hapa të cilët duhet të konsumohen dhe pa ndodhur kjo është e pamundur që të merret vendimmarrja në nivel të Këshillit”, ka theksuar ai.

Ndërkohë ai ka vlerësuar se përderisa zyrtarët dhe udhëheqësit institucionalë në Kosovë kanë thënë që lëvizja e lirë do të ndodhë këtë vit, ata tani kanë ndryshuar diskursin publik.

“Tani edhe vendimmarrja brenda këtij viti është duke u rrezikuar. Viti i ardhshëm sjell disa të panjohura, pra ndërron skenari. Është ndryshimi i Presidencës së Parlamentit Evropian, si dhe janë zgjedhjet e PE-së në maj të vitit të ardhshëm, pra janë këto të panjohura që nuk e dimë se sa mund ta zvarrisin këtë proces. Askush nuk e di se kur ndodh një vendimmarrje politike e vendeve anëtare, prandaj nuk duhet të operojmë me data”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa Besnik Vasolli, njohës i integrimeve, për “Zërin” ka thënë që edhe nëse do të kishte vendim pozitiv këtë vit për liberalizimin e vizave do të nevojitet kohë që ky vendim të hyjë në fuqi. 

“Fakti që sivjet nuk do të ndodhë liberalizimi i vizave tashmë është i qartë qe një kohë. Edhe nëse do të votohej pozitivisht në takimin e dhjetorit të Këshillit, atëherë vendimi nuk do të mundë të hynte në fuqi në kohë që do të mundësonte udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti. Por siç duket diskursi publik në BE rreth çështjeve të migracionit e ka rritur skepticizmin e shteteve anëtare të BE-së edhe për liberalizim të vizave”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë që rezultati i zgjedhjeve të reja në Parlamentin Evropian paraqet sfidë për liberalizimin e vizave.