Ashpërsohen me BE-në

Aktuale November 05, 2018 - 07:55
Ashpërsohet gjuha e zyrtarëve të lartë në Kosovë ndaj Bashkimit Evropian
Image

Zyrtarët e lartë të Kosovës kanë ashpërsuar gjuhën ndaj Bashkimit Evropian pas paralajmërimeve që vendimi për liberalizimin e vizave mund të mos merret këtë vit. Derisa kryetari i Kuvendi Kadri Veseli ditë më parë ka thënë se do të ishte racizëm ndaj kosovarëve nëse nuk hiqen vizat sivjet, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dje ka thënë se nëse kjo nuk ndodh atëherë Kosova nuk ka arsye t’i besojë BE-së, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë pohuar se Kosova i ka plotësuar 95 kriteret e vëna për liberalizim, vendimi për heqje vizash nuk është i sigurt se do të merret as brenda këtij viti. Përkundrazi, tashmë është paralajmëruar se ky proces mund të mos finalizohet deri në vitin 2020.

LEXO EDHE: Hoxhaj: Të kushtëzohet BE-ja nëse s’ndodh liberalizimi

Në anën tjetër ata që vazhdimisht kanë dhënë data për heqjen e regjimit të vizave tani kanë ashpërsuar gjuhën ndaj BE-së. Derisa kryeparlamentari Kadri Veseli ditë më parë ka thënë se mosliberalizimi i vizave do të ishte racizëm, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se nëse nuk ka një vendim pozitiv rreth vizave këtë vit, atëherë Bashkimi Evropian do ta humbasë besimin e institucioneve të Kosovës.

. Në anën tjetër, edhe përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se shtyrja eventuale e vendimit për heqje vizash paraqet një padrejtësi tejet të madhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se Kosova do të duhej ta merrte liberalizimin e vizave qysh moti, para Moldavisë, Gjeorgjisë, Ukrainës e shumë shteteve tjera.

Hoxhaj: Nëse s’ka vendim për vizat, pse duhet t’i besojmë BE-së?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka konsideruar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Andaj, po qe se së shpejti nuk ka një vendim rreth liberalizimit, Hoxhaj ka thënë se nuk ka arsye që t’i besohet BE-së as në procesin e negociatave me Serbinë.

 “Kosova është angazhuar dhe ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe Bashkimi Evropian ka premtuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës me plotësimin e këtyre kritereve. Por, nëse sot ka hezitim nga disa kryeqytete të BE-së në lidhje me vendimmarrjen në këtë proces pse duhet që Kosova t’i besojë këtij institucioni në dialogun me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Me këtë rast Hoxhaj ka shfaqur skepticizmin e tij nëse pas marrëveshjes me Serbinë do të vijë njohja nga Serbia, ashtu siç është premtuar deri më tash.

“Nëse BE-ja dhe shtetet anëtare nuk janë të afta t’u përmbahen premtimeve që i kanë dhënë vetë, pse duhet të besojmë se mund ta diktojnë vullnetin e Serbisë për ta njohur Kosovën?”, ka potencuar ai.

Kollçaku: Është e padrejtë që kosovarët të mos lëvizin lirshëm

Ndërkaq anëtarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane (nga LVV-ja) ka thënë se krerët institucionalë të Kosovës janë ata që kanë dhënë data se kur mund të ndodhë liberalizimi e jo zyrtarët e BE-së. Megjithatë, shtyrja eventuale e vendimit mbi këtë çështje sipas saj është një padrejtësi që BE-ja mund t’ia bëjë Kosovës. Kjo pasi, siç deputetja e LVV-së është shprehur, zyrtarët e BE-së vazhdimisht kanë deklaruar se Kosova i ka përmbushur kriteret për heqje vizash.

“Tashmë pasi kanë pasur deklaratat që janë përmbushur kriteret po shihet qartë që diçka ka ndodhur, veçanërisht në dy muajt e fundit ka ndërruar disponimi me një shpejtësi të madhe prej shumë shteteve dhe me të vërtetë është për keqardhje. Pavarësisht faktit që kemi qenë kritikë ndaj Qeverisë është e padrejtë që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin të lirë”, ka nënvizuar ajo.

Kollçaku më tej ka thënë se pritjet e qytetarëve të Kosovës kanë qenë tejet të mëdha mbi atë se liberalizimi mund të ndodhë, pasi qeveritarët në vazhdimësi e kanë pohuar një gjë të tillë. 

Pajaziti: Shtyrja e vendimit për vizat nuk i ndihmon procesit të dialogut

Pavarësisht paralajmërimeve se liberalizimi i vizave mund të mos ndodhë deri më 2020-n, anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane (nga PDK-ja), Zenun Pajaziti, ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

 “Vetëm një vonesë sado e vogël është një padrejtësi e madhe, lëre më 2020-n. Më shumë mendoj që kjo është në kuadër të spekulimeve, pasi BE-ja nuk ka asnjë arsye ta shtyjë vendimin meqë janë përmbushur kriteret”, është shprehur ai.

E në rast se ky vendim nuk merret këtë vit, sipas Pajazitit Kosovës do t’i bëhej padrejtësia më e madhe nga Bashkimi Evropian. Megjithëkëtë, ai është shprehur optimist se shtetet anëtare të BE-së nuk do ta vendosin në “luhatje” besimin e Kosovës karshi tyre. Në të kundërtën, siç Pajaziti është shprehur, kjo mund të ndikojë edhe në procesin e bisedimeve me Serbinë.

“Mendoj që BE-ja, vendet partnere nuk e qesin në luhatje besimin tonë ndaj tyre. Pra, nuk do të na zhgënjejnë. Nëse kjo ndodh nuk besoj që do t’i ndihmojë procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ose zgjidhjes përfundimtare me Serbinë. Besoj dhe shpresoj që liberalizimi i vizave nuk do të jetë më në agjendë për proceset tjera. Nëse kjo ndodh nuk mendoj që do t’i shtyjë proceset tjera, përkundrazi do t’i ngadalësojë ato”, ka potencuar Pajaziti.

Kurse politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se aktualisht nuk ka disponim për liberalizim të vizave për Kosovën, ndonëse më nuk kanë mbetur kritere të papërmbushura.

“Unë konsideroj që Kosova moti i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe konsideroj që faji është te Bashkimi Evropian dhe te politikat joparimore të zgjerimit të Bashkimit Evropian, sepse në periudhën kur liberalizim ka marrë edhe Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, e cila nuk e kontrollon territorin, Kosova do të duhej ta merrte liberalizimin e vizave para vendeve të rajonit”, është shprehur ai.

E ndonëse vendet e tjera kanë marrë liberalizimin para 5-6 vjetësh, Tahiri ka konsideruar se Kosova nuk e ka të sigurt heqjen e vizave as tash. Rrjedhimisht, nëse një gjë e tillë nuk ndodh as përgjatë këtij viti, atëherë zhgënjimi do të jetë shumë i madh.

“Sigurisht se po humbet besimi te Bashkimi Evropian. Kosova edhe kriteret që i ka pasur të shtuara i ka plotësuar”, ka potencuar ai. /ZERI