Më shumë se 10 shtete të BE-së kundër liberalizimit

Aktuale October 29, 2018 - 08:00
Lexo detajet
Image

Kosova po merr goditje të fortë nga një numër i madh i shteteve të Bashkimit Evropian në fazën e fundit të procesit të liberalizimit të vizave. Në takimet e mbajtura së fundi në Bruksel është bërë e ditur se janë më shumë se 10 shtete që e kundërshtojnë heqjen e vizave për Kosovën. Edhe ministrja Dhurata Hoxha ditë më parë ka bërë të ditur për “Zërin” se vendimi për heqjen e vizave mund të mos merret këtë vit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pritjet e qytetarëve të Kosovës kanë qenë që këtë vit të paktën të merret vendimi për liberalizimin e vizave për zonën Schengen.

LEXO EDHE: 'Kushti i BE-së për Serbinë nuk është vetëm Kosova, por edhe Kroacia e Bosnja'

Megjithatë, kjo nuk pritet të ndodhë pasi procesi i vendimmarrjes në kuadër të Bashkimit Evropian është bllokuar për shkak të hezitimit të shumë shteteve anëtare të këtij unioni. Në takimin e fundit të mbajtur nga ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, i njohur si COREPE, është dëshmuar se 12 ose 13 shtete të BE-së ende hezitojnë ta mbështesin një vendim të tillë. 

Se vendimi nga institucionet e BE-së mund të mos merret gjatë këtij viti e ka konfirmuar ditë më parë edhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha për gazetën “Zërin". 

Sipas njohësve të integrimeve, nëse vendimi për liberalizim nuk merret gjatë këtij viti e që sipas tyre gjasat tashmë janë minimale, atëherë heqja e regjimit të vizave për kosovarët mund të shtyhet deri në vitin 2020. Kjo pasi nga janari presidencën e Këshillit e merr Rumania, shtet ky që ende nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës dhe nuk mund të pritet që ky shtet ta shtyjë përpara procedurën e vendimmarrjes. Gjithashtu situatën e rëndojnë edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që mbahen në maj të vitit të ardhshëm.

Haxhiu: S’kemi informata për bllokim të procesit, të vazhdohet lobimi

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë  për gazetën “Zëri” se nuk kanë informacione për bllokim të procesit të vendimmarrjes për heqjen e vizave për Kosovën.

“Si nënkryetare e AAK-së dhe si deputete nuk kam informata për bllokim ose ndalje të procesit, por edhe një herë po e them, më shqetëson tej mase kundërlobimi me vetëdije ose pa vetëdije”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputetja e AAK-së ka thënë se të gjithë eksponentët politikë duhet të angazhohen në lobim për të fituar liberalizimin.

“Duhet të angazhohemi në maksimum pa dallime partiake. Është krejt e natyrshme që opozita ta ngrejë zërin për çështje që nuk shkojnë mbarë ose që të kenë sugjerime në tema të tjera, por sa i përket lobimit për liberalizim është momenti i fundit që të ecim përpara e të mos bëjmë kundërlobim”, është shprehur Haxhiu, duke thënë se kundërlobim në takime me zyrtarët e BE-së kanë bërë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fund Haxhiu ka thënë se shpreson shumë që në këtë fundvit do të kemi një vendim nga Këshilli i Ministrave dhe që sa më shpejt të ndodhë heqja e regjimit të vizave.

Vetëvendosja: Qeveria po e mban të fshehtë kundërshtimin e vendeve të BE-së

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar kritikat ndaj koalicionit qeverisës për mosliberalizim të vizave. Sipas Vetëvendosjes, pushteti po mundohet që dështimin në këtë proces t’ia hedhë opozitës, përkatësisht pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje.  

Deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, në një konferencë për medie ka thënë se ky subjekt politik ka informata se tashmë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën kanë dalë edhe disa shtete nga të cilat është pritur se do ta mbështesin. Sipas Pacollit, ky kundërshtim është vërtetuar në takim të ekspertëve në kuadër të Bashkimit Evropian.

“Ne kemi informacione se disa shtete që kemi pritur të përkrahin liberalizimin tani janë kundër... bëhet fjalë për takimet e ekspertëve. As Qeveria nuk po na njofton, Gjermania, Franca e Belgjika janë kundër. Këta kanë disa informata që ne nuk i kemi, edhe gazetarët, edhe deputetët duhet t’i bëjmë presion Qeverisë që të na japin informatat e sakta”, është shprehur Pacolli.

Rashiti: 12 ose 13 shtete janë kundër

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, Naim Rashiti, ka thënë për gazetën “Zëri” se procesi i liberalizimit të vizave nuk është duke ecur në Bruksel. Sipas tij, kjo jo për shkak të kritereve ose për shkak të Kosovës, por për shkak të çështjeve të brendshme të Bashkimit Evropian. Rashiti ka thënë se çështja e liberalizimit nuk ka kaluar në nivelin e ambasadorëve të përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i njohur si COREPER. “Presidenca e Bashkimit Evropian është dashur ta shtyjë përpara, pasi është në agjendën e Presidencës që në bazë të konsultave dhe të konsensusit ta shtyjë. Por çështja e liberalizimit është ende në grupin e ekspertëve dhe nuk ka kaluar në COREPER. COREPER-i ka mbajtur një takim gjysmak, ku janë shpërfaqur shumë hezitime, në mesin e të cilave edhe nga Gjermania e Franca”, ka deklaruar ai.

Rashiti, që ditë më parë ka pasur një vizitë në institucionet e BE-së në Bruksel, ka thënë se gjatë vizitës atje nuk ka parë që në agjendë të jetë vendosur ndonjë takim për një kohë të afërt i COREPER-it. Sipas tij, në takimin e fundit është kuptuar se janë 12 ose 13 shtete që kanë qenë kundër futjes së liberalizimit në procedurë. Madje Rashiti ka thënë se edhe konfirmimi i ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, se mund të mos ketë vendim gjatë këtij viti ka ardhur pas mbledhjes së fundit të COREPER-it. “Sa isha në Bruksel nuk e pashë në agjendë, ndërsa takimi i mëhershëm është mbajtur kur ministrja Hoxha tha se gjasat janë të vogla, por u pa disponimi kundër, 12 ose 13 shtete nuk kanë qenë për ta futur këtë çështje në procedurë, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë”, ka deklaruar Rashiti për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, pritjet kanë qenë të mëdha që vendimi për heqjen e vizave të merret gjatë Presidencës austriake të Këshillit të Ministrave.

“Pasi në gjashtëmujorin e parë të vitit tjetër, nën presidencën e Rumanisë, nuk ka gjasa të presim diçka. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian po afrohen dhe ka shumë subjekte, shumë parti hezituese. Deri tani ishte dashur që COREPER-i t’i mandatojë negociatat trepalëshe dhe brenda një ose eventualisht një muaji e gjysmë të kryhen negociatat”, ka shtuar Rashiti.

Në fund ai ka thënë se nëse nuk ka vendimmarrje deri në fund të këtij viti, atëherë liberalizimi i vizave mund të shtyhet deri më 2020-n.

Kryeziu: Hezitimi e ka ndalur procesin e vendimmarrjes

Drejtori i Bordit Ekzekutiv të institutit EPIK, Taulant Kryeziu, ka thënë se është e qartë se ka hezitim te disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket heqjes së regjimit të vizave.

“Për ta matur disponimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kemi pasur një votim në seancë plenare të Parlamentit Evropian, me anë të së cilës i është dhënë mandati komitetit LIBE për të filluar negociatat me vendet anëtare dhe në atë votim ne kemi parë që Gjermania po e zëmë ka pasur 21 vota kundër dhe 62 pro, Franca ka pasur 22 pro dhe 43 vota kundër, Holanda 5 vota pro dhe 13 kundër, Belgjika ka pasur 12 pro dhe 6 kundër. Nga kjo është konluduar se ka një hezitim te vendet e mëdha”, ka deklaruar Kryeziu.

Sipas tij, nëse këto shtete kanë hezitime për ta shtyrë përpara këtë proces dëshmohet se disponimi nuk është i kënaqshëm që dosja e Kosovës të shkojë deri te Këshilli i BE-së.

“Ne jemi në stadin e asaj që quhet trailog, dialogimi ndërinstitucional mes Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit. Ky trialogim duhet të sjellë një marrëveshje të përkohshme joformale. Kur të vijë kjo marrëveshje ajo duhet të kthehet për votim në Komitetin LIBE, në seancë plenare dhe të kulmojë në Këshill të BE-së. Derisa nuk po ec më tutje trialogu e ka këtë kuptim, nuk zhvillohet procesi derisa nuk ka një dakordancë në mes të trupave legjislativë që do të votojnë, Parlamenti dhe Këshilli”, ka sqaruar Kryeziu.

Më tej ai ka thënë se liberalizimi i vizave bëhet përmes vendimmarrjes politike, që mund të ndikohet prej shumë faktorëve e njëri ndër faktorët e brendshëm të BE-së, sipas tij, mund të jetë çështja e migrimit.

“Pastaj ne nuk mund ta mohojmë se zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë mund të ndikojnë te vendimi politik i vendeve anëtare. Nëse ne bëjmë linçime publike për individë brenda sistemit prokurorial, që ka ndodhur edhe nga deputetët brenda seancës së Kuvendit”, ka theksuar Kryeziu.

Në fund ai ka thënë se asnjë zyrtar i BE-së nuk ka dhënë afate kohore për heqjen e vizave, porse afate kanë dhënë zyrtarët e Kosovës, prandaj sipas tij për mosliberalizim këtë vit nuk mund të fajësohen zyrtarët e BE-së. /ZERI