PSD-ja fton në interpelancë ministrin Reçica

Aktuale October 26, 2018 - 14:20
Lexoni lajmet e fundit nga vendi, rajoni dhe bota

Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka ftuar në interpelancë, ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica , për arsyen e vdekjes së shumë punëtorëve në vendin e punës, raporton “Zëri.info”.

Ky është njoftimi i plotë i kësaj partie:

Në bazë të nenit 65.9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 44 paragrafi 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate thërret në interpelancë Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për çështjen në vijim:

Thirrjen në përgjegjësi të Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Skënder Reçica, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës.

A R S Y E T I M

Vetëm gjatë 19 viteve të fundit kanë humbur jetën në punë 93 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Në të dhënat e Agjencisë së statstikave ata nuk janë të regjistruar fare si kategori e veçantë. Thjesht ata nuk ekzistojnë as si numra.

93 punëtorë të vdekur në vendin e tyre të punës janë:

•           Jashtë rendit të ditës për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale,

•           Jashtë rendit të ditës për Inspektoriatin e Punës,

•           Jashtë rendit të ditës në Ligjin e Punës dhe janë,

•           Jashtë rendit të ditës në Ligjin për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë.

Jemi të vetëdishëm që ka pasë dhe do të ketë fatkeqësi në punë edhe nëse masat e sigurisë bëhen optimale, por jam gjithashtu jemi të sigurtë se numri i personave të vdekur nga fatkeqësitë në punë do të ishte shumë më i vogël.

Andaj, në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6.1 të Rregullores së Kuvendit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen plenare të mbajtur më ________ 2018, Kuvendi i Kosovës të miraton këto:

R e k o m a n d i m e

1.         Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave, në kuadër të Ligjit për Buxhetin vjetor të vitit vijues, në këtë rast për vitin 2019, të trefishojnë numrin e inspektorëve të punës, të cilët janë në kuadër të Inspektoratit të punës me numrin dhe shumën e përgjithshme si vijon:

Në Organizatën Buxhetore “Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale” me kod organizativ 209, me kod funksional 0412, numri i punëtorëve nga 70 të rritet në 210 punëtorë, dhe shuma e përgjithshme në euro të rritet në 1,865,721 euro.

2.         Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të krijojnë bazën Ligjore për Sigurimin e Fatkeqësisë në Punë. Krijimi i bazës ligjore do të mundësonte krijimin e një fondi të përbashkët të punëdhënësve dhe punëmarrësve  i cili do t’iu siguronte punëtorëve të Kosovës dhe familjeve një trajtim me dinjitet në rast fatkeqësie në punë.

3.         Kuvendi i Kosovës, kërkon nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të filloj, dhe nëse ka filluar t’i përshpejtoj  punët për ndryshimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Mbrojtjen dhe Sigurinë në Punë.

4.         Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i raporton Kuvendit brenda 30 ditëve për veprimet që i ka marrë për pikën 2 dhe 3 të kësaj rezolute. /ZERI