Dialogu i bllokuar, tre muaj nga takimi i fundit

Aktuale October 22, 2018 - 07:48
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Megjithëse të dyja palët ishin dakorduar që pas pushimeve të verës të ketë një intensifikim të takimeve në kuadër të dialogut të Brukselit kanë kaluar tre muaj prej herës së fundit kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq i kanë shtrënguar duart në kryeqendrën evropiane, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Faza finale e dialogut Kosovë - Serbi ka nisur qe katër muaj (24 qershor), por presidentët e këtyre dy shteteve, që njëherësh janë kryenegociatorë të këtij procesi, nuk janë takuar qe më shumë se tre muaj.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq për herë të fundit në kuadër të etapës përmbyllëse të dialogut kishin biseduar më 18 korrik, në takimin e dytë në Bruksel.

Porse Vuçiq nuk pranoi të ulet në tavolinë me homologun e tij nga Kosova në takimin e tretë, që ishte thirrur të mbahej para më shumë se një muaji, më 7 shtator.

Përkundrazi, të dy presidentët ishin takuar ndaras me përfaqësuesen e lartë të BE-së, ndërmjetësuesen e dialogut Frederika Mogerini.

E meqë ky takim i përbashkët kishte dështuar të mbahej, Mogerini kishte pohuar atë ditë se në fund të muajit shtator do të mbahej takimi i planifikuar. Porse një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndonëse tashmë kanë kaluar edhe tri javë të muajit tetor ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të zhvillohet ky takim.

 Përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se duhet të bëhet një analizë e detajuar rreth negociatave të deritanishme me Serbinë. Sipas tyre, presidenti Thaçi nuk është i autorizuar për ta drejtuar këtë proces.

Opozita, kundër Thaçit për kryenegociator

Partitë opozitare po vazhdojnë të mos e pranojnë presidentin e Kosovës si udhëheqës të negociatave me Serbinë. Megjithëkëtë ata mbeten “pro” arritjes së një konsensusi të gjerë nacional rreth çështjes së dialogut me Serbinë.  

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, thotë se asnjëra prej partive politike nuk po e mbështet idenë e presidentit për korrigjim të territoreve. Sipas tij, Thaçi nuk është kompetent për ta drejtuar procesin e negociatave me Serbinë.

“Së pari, të gjitha subjektet politike shqiptare janë kundër bisedimeve për territore, për ndryshim të kufijve. Presidenti i vendit është i vetmi që është i gatshëm të bisedojë edhe për diçka që është kundërkushtetuese dhe ai nuk e ka mandatin të bisedojë për këto çështje”, deklaroi ai.

Megjithëkëtë, Kurteshi pohon se të gjitha partitë politike pajtohen që dialogu mes Kosovës e Serbisë të zhvillohet, porse, siç ai është shprehur, fillimisht duhet të përmbushen disa kushte paraprakisht.

Në radhë të parë, siç ai konsideron, do të duhej t’i bëhej një analizë e mirëfilltë bisedimeve të deritanishme Kosovë - Serbi. Më tej Kurteshi thotë se do të duhet të  hartohet një platformë e përbashkët, pas së cilës do të duhej të bëhej edhe ekipi negociues.

Ndërkohë, procesin që po zhvillohet aktualisht Kurteshi e cilëson si një proces jo të ligjshëm.

“Procesi që po vazhdon është ilegal, sepse presidenti nuk e ka marrë miratimin e subjekteve politike. Ekziston një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, e cila e ka mandatuar Qeverinë për t’i mbajtur bisedimet. Ajo rezolutë ende është në fuqi dhe çdo gjë që veprohet në kundërshtim me rezolutën dhe në kundërshtim me vullnetin e subjekteve politike që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës në Kuvend është ilegale”, potencoi ai.

Moskoordinimi i spektrit politik

Ndërkaq pavarësisht që partitë politike po vazhdojnë ta kundërshtojnë presidentin në idenë e tij për korrigjim të kufirit me Serbinë, nuk po arrijnë ta krijojnë një konsensus të gjerë rreth këtij procesi.

Teksa flet rreth kësaj, deputeti i PSD-së Salih Salihu vlerëson se pala kosovare nuk ka një platformë të duhur lidhur me procesin e negociatave.

“Faktori shqiptar është komplet i pakoordinuar. Madje as Qeveria, pra as pozita, nuk është e koordinuar mirë rreth dialogut. Kjo pasi nuk ka një platformë të mirëfilltë, të qartë se për çka duhet të dialogohet”, deklaroi ai.

Sipas Salihut, Kuvendi duhet të jetë ai i cili do ta mbikëqyrte procesin e dialogut nëpërmjet një komisioni të caktuar pikërisht për këtë çështje. Pos kësaj, edhe kryenegociatori, thotë deputeti i PSD-së, duhet të vendoset nga Kuvendi me 2/3-at e votave të deputetëve.

Kurse gjersa flet rreth dështimit të takimit të kaluar në Bruksel dhe rreth faktit që ende nuk është thirrur takimi i radhës, Salihu thotë se Serbia bën presion për ta vazhduar dialogun vetëm atëherë kur asaj i nevojitet një gjë e tillë.

“Serbia i ka interesat e veta. Në momentin që i duhen shpejt negociatat ata veçse e ngutin procesin, por kjo nuk po varet prej neve në përgjithësi. Ju e shihni kur iu duhen ata ngarendin për t’i kryer punët, kur nuk iu duhet marrin kohë dhe heshtin”, u shpreh ai.

E Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, vlerëson se vonesa në mosthirrjen e takimit të radhës në Bruksel shkon në të mirë të Kosovës. “Kjo pasi që në Kosovë ende nuk është artikuluar një qëndrim nacional për këtë fazë të dialogut. Është mirë që Kosova para se t’i vazhdojë takimet në Bruksel së pari ta arrijë një dakordim të spektrit të gjerë politik në lidhje me kërkesat dhe me vijat e kuqe”, deklaroi ajo.

Gjithashtu, sipas saj, duhet të bëhet një analizë e procesit të dialogut deri më tani, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë tashmë.

“Kosova nuk duhet të ngutet për ta arritur edhe një marrëveshje me Serbinë. Çdo marrëveshje e arritur me nguti mund të sjellë pasoja për Kosovën, polarizim të skenës politike dhe kriza institucionale si në të kaluarën”, theksoi ajo.