Aktuale

Gjuriq: Paqen në rajon nuk e krijojnë vendimet e njëanshme, duhet kompromis Kosovë-Serbi

Gjuriq: Paqen në rajon nuk e krijojnë vendimet e njëanshme, duhet kompromis Kosovë-Serbi
17 tetor 2018 • 19 : 09

Lajmet e fundit nga vendi

Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se Beogradi është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën.

Gjuriq ka theksuar se paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin në rajon nuk mund ta krijojnë vendimet e njëanshme të cilat do të shpërfillinin plotësisht interesat e njërës prej palëve në dialog.

Për këtë arsye sipas tij, është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare t’i marrë parasysh qëllimet e sinqerta dhe të mira të Beogradit karshi dialogut me Prishtinën, transmeton lajmi.net.

LEXO EDHE: Kërcënon Vuçiq: Largimi i UNMIK-ut na detyron të mbrojmë njerëzit tanë në Kosovë

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duan të jenë në interes të të gjithë popujve në rajon për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte konfliktin e ngrirë në marrëdhëniet serbo-shqiptare pasi që vetëm një zgjidhje kompromisi mund të jetë garanci për marrëdhëniet e ardhshme koherente në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Gjuriq.

Ai ka shtuar se sulmet ndaj serbëve të Kosovës në periudhën e fundit kanë qenë një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve të Beogradit për paqe.

Pas takimit me zëvendësministrin e Jashtëm të Italisë, Gjuriq ka thënë se Italia mund të jap kontribut të madh për t’u gjetur një kompromis në mes Beogradit dhe Prishtinës.

© zëri.info