Hoxha: Skënderbeu, personifikim i unitetit dhe besnikërisë ndaj përkatësisë tonë evropiane

Aktuale October 16, 2018 - 14:32
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sot, me rastin e shënimit të Vitit të Skënderbeut, në shesh, ka thënë se “Skënderbeu, ishte personifikim i unitetit, besnikërisë ndaj përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, shëmbëllim i krenarisë tonë ndër shekuj”.

Hoxha përmes llogarisë së saj në “Facebook”, ka thënë se këtë vit jubilar jemi të përkushtuar për integrimet euro-atlantike, vlerat dhe mendësinë të cilës i kemi takuar dhe i takojmë përjetësisht.

Postimi i plotë i Hoxhës:

“Sot, në kryeqendrën e Kosovës, por sivjet edhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, në mënyra të ndryshme solemne, institucionet shtetërore dhe kulturore, kemi shënuar Vitin e Skënderbeut, me rastin e 550 vjetorit të kalimit të tij në përjetësi.

Nga ajo kohë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ishte personifikim i unitetit, besnikërisë ndaj përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, shëmbëllim i krenarisë tonë ndër shekuj. Vlera dhe veçantia e tij, i kishte kaluar kufijtë ballkanik, duke u bërë model për arritjen e lirisë, duke u përkujtuar nëpërmjet qindra veprave historike, letrare dhe artistike, në të gjitha pjesët e globit.

Në këtë vit jubilar, në Vitin e Skënderbeut, jemi më afër se kurrë, të përkushtuar për integrimet euro-atlantike, vlerat dhe mendësinë të cilës i kemi takuar dhe i takojmë përjetësisht.