Shtetet bllokuese të liberalizimit

Aktuale October 08, 2018 - 07:43
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Në kohën kur procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën po shkon drejt fundit disa shtete si Franca, Holanda, Gjermania e Spanja vazhdojnë të kenë hezitime. Ndërkohë që institucionet e Kosovës pritet të intensifikojnë lobimin për të siguruar mbështetjen e tyre, në të kundërtën këto shtete mund të bllokojnë heqjen e regjimit të vizave për kosovarët, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Derisa qytetarët e Kosovës janë në pritje të vendimit për liberalizimin e vizave me shtetet e zonës Schengen, disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian vazhdojnë të kenë hezitime sa i përket kësaj çështjeje.

Prandaj institucionet e Kosovës pritet të intensifikojnë lobimin për të siguruar përkrahjen e Francës, të Holandës, të Gjermanisë e të Spanjës, të cilat ende nuk kanë një qëndrim definitiv nëse duhet të votojnë pro heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.

Zyrtarët qeveritarë, por edhe përfaqësuesit e opozitës shprehen të bindur se Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian brenda këtij viti do të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se brenga e migrimit të paligjshëm është arsyeja kryesore pse shtetet si Franca e Holanda ende kanë mëdyshje për këtë vendim.

“Qytetarët tanë nuk do të bëjnë rrezik për migrim të paligjshëm. Kjo është brenga kryesore e Francës dhe e Holandës, jo brengë ndaj Kosovës, por janë këto partitë e ekstremit të djathtë në rritje e sipër dhe janë shtetet si Franca e Holanda që si themeluese të BE-së konsiderojnë se duhet ta bartin barrën që ta ndalin të djathtën ekstreme të përhapet”, ka deklaruar Hoxha në një intervistë për gazetën “Zëri”.

Hoxha po ashtu ka thënë se hezitimi i Gjermanisë lidhet me zgjedhjet që do të mbahen në Landin e Bavarisë.

“Gjermania gjithashtu i ka hezitimet e veta. I kanë zgjedhjet tani në Landin e Bavarisë dhe duke ditur që partia në pushtet CDU-CSU i ka zgjedhjet në atë land dhe ajo i ka ato implikimit e veta në procesin e vendimmarrjes, por presim që pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve edhe Gjermania shpresojmë se do të jetë përkrahëse e madhe dhe pastaj ajo e bart atë peshën e vet pastaj në votën te shtetet e tjera”, ka shtuar Hoxha.

Ndërsa nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk kanë njohur Kosovën, sipas ministres Hoxha, Spanja është më refuzuese ndaj kësaj çështjeje, duke i ditur edhe problemet e brendshme të saj. Pavarësisht këtyre, Hoxha është shprehur e bindur se vendimi për liberalizim do të merret brenda këtij viti.

Pajaziti: Presim që edhe procesi në vazhdim të jetë pro nesh

Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane e njëherësh deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, është shprehur optimist në mbështetjen e Kosovës nga shtetet e tjera në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai në një prononcim dhënë “Zërit” ka thënë se edhe pse do të ketë hezitime procesi do të vazhdojë.

“Ne presim ashtu siç ka shkuar votimi në Parlamentin Evropian, i cili ka qenë pro nesh, po besojmë që edhe procesi në vazhdim, që do të jetë i Këshillit të Ministrave, do të jetë pro nesh. Hezitime ka pasur edhe atëherë, mund të ketë edhe tani, por procesi do të ecën. Asgjë më nuk varet prej nesh. Ata kanë konkluduar se ne i kemi plotësuar kriteret, krejt çfarë mbetet tani është punë brenda politikave të shteteve”, ka thënë ai.

Pajaziti ka treguar se javëve në vijim do të fillojnë lobimin sa i përket liberalizimit të vizave.

“Ne punën tonë jemi duke e bërë. Ne si komision tani kemi marrë një vendim bashkë me kryetarin e Kuvendit, që javët dhe muajt në vijim t’i kemi për lobim. Kemi një agjendë të veçantë që kemi për të punuar për t’u shpjeguar edhe më shumë vendeve që kanë hezitim. Ne kemi një agjendë dhe shpresoj që nga java tjetër të kemi takimin e radhës vetëm për këtë punë, ku janë dakorduar të gjitha partitë politike. Po besoj që edhe ne kemi dhënë një kontribut sado modest në këtë drejtim”, ka shtuar ai.

Ismajl Kurteshi: Gjermania po heziton për shkak të idesë për shkëmbim të territoreve

Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për korrigjim të kufijve ka bërë që shteti gjerman të hezitojë sa i përket mbështetjes se Kosovës drejt liberalizimit të vizave.

Megjithatë, pavarësisht kësaj Kurteshi ka treguar se të gjithë anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane janë duke punuar në hartimin e një strategjie dhe janë angazhuar që të lobojnë drejt liberalizimit të vizave.

“Evropa ka deklaruar se të gjitha kriteret janë përmbushur dhe tani nëse ata fillojnë të shtrojnë kriter pas kriteri vërtet është e pakuptimtë. Duke u bazuar në atë që është dëgjuar si arsyetim, sidomos i gjermanëve, është se presidenti i Kosovës ka propozuar ndryshim të kufijve dhe kjo mund të sjellë një turbulencë, që është njëra nga arsyet se pse liberalizimi i vizave po shtyhet”, ka thënë ai.

Sipas tij, derisa qeveritarët po lëvizin lirshëm qytetarëve të Kosovës po u bëhet padrejtësi në mosliberalizimin e vizave.

“Evropa po e bën një padrejtësi të madhe ndaj qytetarëve të Kosovës me prolongimin e vizave. Në Kosovë po dënohen ata që nuk kanë aspak faj, pra qytetarët e Kosovës. I tërë spektri politik, pra shtresa e lartë politike ka gjithmonë viza dhe mund të udhëtojë lirshëm kudo që do”, ka theksuar ai.

Kryeziu: Franca, Holanda e Gjermania janë vendimtare

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë për gazetën “Zëri” se për të bindur më lehtë shtetet e tjera që të mbështesin Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave duhet të krijohet një sistem profesional i drejtësisë, si dhe të prodhohen lajme të mira në vend.

Sipas tij, hezitime drejt këtij procesi nga Gjermania, Holanda dhe Franca ka pasur edhe më herët.

“Hezitime kemi pasur edhe në votimin që ka ndodhur në Parlament, gjë që unë personalisht e kam elaboruar qe një kohë të gjatë, që Franca, Holanda dhe Gjermania i kanë disa hezitime. Procesi i vizave është proces teknik me vendimmarrje politike, çdo gjë do të varet nga vendimmarrja e shteteve të mëdha, sidomos e këtyre tri vendeve”, ka thënë ai.

Kryeziu ka treguar se Gjermania parasheh disa kritere në mënyrë që të ofrojë mbështetjen e saj rreth procesit të liberalizimit të vizave të ndonjë shteti.

“Gjermania e përkrah perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, por janë disa kushte dhe kritere që kërkon secili shtet që të adresohen, në mënyrë që ata të kenë sigurinë e tyre, sigurinë për qytetarët e tyre, të mos ketë keqpërdorim të këtij procesi, të punohet në çështjen e shqyrtimit dhe të informimit sa i përket kornizës legjislative për migrim. Gjermania ka një lloj hezitimi dhe ende nuk po shihet një qartësim i vendit tanimë kryesor, i Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.