Shala: Ushtria në nëntor, e votojnë mbi 100 deputetë

Aktuale October 06, 2018 - 07:54
DETAJET
Image

Haxhi Shala, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, në një intervistë për “Zërin” thotë se Ligji për Ushtrinë e Kosovës do të votohet muajin tjetër në Kuvend. Votat pro këtij Ligji, sipas tij, do t’i japin mbi 100 deputetë.

Gjatë muajit të ardhshëm (nëntor) do të kompletohet pjesa legjislative për ushtrinë e Kosovës. Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Zëri” Haxhi Shala, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, duke shtuar se Ligjin për Ushtrinë do ta votojnë mbi 100 deputetë në Kuvend.

Shala shprehet i bindur se edhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës e përkrahin formimin e ushtrisë së vendit nëpërmjet ligjit dhe këtë iniciativë nuk do të mundë ta bllokojë Lista Serbe.  “Lista Serbe nuk mund ta zvarrisë formimin e ushtrisë së Kosovës, sepse ky proces mund të votohet me shumicë të thjeshtë. Janë mbi 100 vota në Kuvend pro ushtrisë së Kosovës”, ka bërë të ditur Shala për “Zërin”.

Ai ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij, Nisma Socialdemokrate, kundër iniciativës së presidentit Thaçi për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë, duke e cilësuar si lojë të rrezikshme të të parit të vendit. Ndërsa sa i përket iniciativës së opozitës për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, Shala ka thënë se as LDK-ja e as LVV-ja ende nuk i kanë kërkuar votat e tyre për këtë çështje.


Mbi 100 deputetë e votojnë Ligjin për Ushtrinë


Zëri: Zotëri Shala, të mërkurën në Komisionin për Mbikëqyrjen e FSK-së u votuan tri projektligje, të cilat pritet të hapin rrugën e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. A vlerësoni që Kosova është afër krijimit të ushtrisë?

Shala:
Dua t’i falënderoj të gjitha grupet parlamentare, të cilat janë në Kuvendin e Kosovës, që i dhanë një mbështetje kësaj pakoje ligjesh të ardhur nga Qeveria e Kosovës për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Mund të themi që vendi është vonuar me krijimin e ushtrisë, sepse pa një ushtri nuk mund të themi se është e kompletuar arkitektura e sigurisë në vend. Tash me kalimin e projektligjeve në Kuvendin e Kosovës do të plotësohet edhe kjo zbrazëtirë që ka qenë në sigurinë e Kosovës dhe do ta kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës me mision dhe me kompetenca shtesë.

Zëri: Kur do të votohet ushtria e Kosovës në Parlament?


Shala: Komisioni për Punë të Brendshme, për Siguri dhe për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilin e udhëheq unë, e ka kryer misionin e vet të mërkurën, ku në lexim të parë e kanë dhënë votën e vet prej të gjitha grupeve parlamentare dhe tani këtë pako ligjesh e kemi dërguar në Kryesi të Kuvendit të Kosovës, ndërsa tani i mbetet vetëm Kryesisë që ta thërrasë seancën dhe t’i procedojë ato. Brenda 60 ditëve këto ligje duhet të kryhen, sepse ashtu e kërkon Rregullorja, por besoj që shumë shpejt do t’i kemi në seancë në lexim të parë, pastaj kthehen përsëri në Komision për t’i rishikuar mangësitë nëse ka në ligj. Do të merret opinioni i shoqërisë civile dhe i gjithë pjesëmarrësve në Kosovë dhe procedohen për lexim të dytë. Në momentin që Ligji për Ushtrinë kalon edhe në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës, atëherë brenda 8 ditëve hyn në fuqi ajo. Mund të themi që në muajin nëntor të këtij viti do ta kemi të kompletuar pjesën legjislative për ushtri.

 Lista Serbe nuk mund ta pengojë krijimin e ushtrisë

Zëri: Qëndrimi i Listës Serbe karshi formimit të ushtrisë së Kosovës është i qartë, pra e kundërshtojnë themelimin e saj. A do të mundë ky partneri juaj i koalicionit ta pengojë ushtrinë e Kosovës?


Shala: Jo, me plotësim-ndryshimin e ligjeve Lista Serbe nuk mund ta zvarrisë formimin e ushtrisë së Kosovës, sepse mundet që me shumicë të thjeshtë të votohet ky proces. Janë mbi 100 vota pro ushtrisë në Kuvendin e Kosovës nga të gjitha partitë politike që e mbështesin krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe Lista Serbe nuk mund ta pengojë kalimin e këtyre ligjeve.

Ushtria ka mandat të dalë edhe në veri

Zëri: A do të ketë ushtria e Kosovës mandat për të dalë edhe në veri të Kosovës?

Shala: Ushtria e Kosovës do të ketë një mandat në ruajtjen e territorit të Republikës së Kosovës dhe me këtë nënkupton gjithçka, pavarësisht se kur shkon. Kurdo që rrezikohet jeta e qytetarëve në atë pjesë, sigurisht që FSK-ja do të duhej të shkojë dhe të ndihmojë, varet se nga kush rrezikohet, por kurdo që është e nevojshme ajo duhet të shkojë aty në mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.

NATO-ja dhe SHBA-ja e përkrahin transformimin e FSK-së

Zëri: Sa parashihet të jetë periudha e transformimit prej FSK-së në ushtri të Kosovës?

Shala:
Pas kompletimit të legjislacionit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes duhet ta bëjnë një plan të transformimit, duke u bazuar në mundësitë buxhetore të vendit. Mbetet tash që Qeveria e Kosovës të shohë se sa ka mundësi të financojë formimin e ushtrisë dhe në bazë të financave që i ndan ajo ndahet në vite dhe besoj që për 10 vjet Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë e kompletuar. FSK-ja është edhe sot operative, por për të pasur standarde të NATO-s kostoja është shumë e lartë.

Zëri: A ekziston edhe përkrahja e NATO-s dhe e SHBA-së për transformimin e FSK-së nëpërmjet ligjit e jo nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, siç kishin kërkuar më herët?

Shala:
Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkrahur qysh nga dita e parë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ata e kanë krijuar deri këtu, ata e kanë mundësuar trajnimin dhe shkollimin e gjithë atij stafi, i cili sot mund të krenohet. Pra stafin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, sepse ata janë të barabartë me oficerët e të gjitha shteteve më të zhvilluara në tavolinën ku diskutohen planet e ushtrisë, pra pse të mos e përkrahin ata kur e kanë edhe si fëmijë të vet FSK-në dhe u nevojitet edhe atyre.

Zëri: Prokuroria e Kosovës po i heton listat e veteranëve, ku dyshohet se janë 20 mijë veteranë të rrejshëm. Si të veprohet me këtë proces, përkatësisht a duhet të ndalohet pagesa?
 

Shala: Unë besoj që kohëve të fundit është bërë një zhurmë jashtëzakonisht e madhe, e cila nuk është dashur të bëhej nga Prokuroria e vendit dhe ajo duhet që ta ndiejë veten si joprofesionale karshi veteranëve me bërjen publike të atyre listave sepse të gjithë ata mbi 80 për qind, 90 për qind kanë qenë veteranë të vërtetë, të cilët kanë reaguar jashtëzakonisht keq sepse u është bërë një shkelje e të drejtave të tyre si veteran. Mendoj që Prokuroria e ka bërë një punë jo të mirë deri këtu. Edhe pse është mirë që po hetohen këto lista sepse edhe veteranët e vërtetë janë të interesuar më shumë se çdokush që ata të cilët nuk janë veteranë të largohen nga listat dhe të mbesin vetëm veteranët e vërtetë. Por ja, këtë që e bëri Prokuroria është për të ardhur keq.

 Të mos ndalen pagesat e veteranëve deri të zbardhet e vërteta

Zëri: Por me pagesat si duhet të veprohet, a duhet që ato të ndalen deri të zbardhet rasti apo të vazhdojnë të jepen paratë?

Shala:
Qeveria e Republikës së Kosovës është e detyruar të respektojë ligjin sa i përket pagesave të veteranëve dhe duke e respektuar ligjin të gjithë veteranët duhet t’i marrin pagat e tyre. Ndërsa Prokuroria duhet ta kryejë punën e vet dhe të marrë një vendim që veteranët e rrejshëm kur të zbulohen t’i detyrojë shteti t’i rikthejnë paratë e marra. Por para kësaj nuk duhet t’u ndalet komplet pagesa gjithë veteranëve si dënim kolektiv, sepse një gjë e tillë nuk është mirë për shtetin e Kosovës.

Limaj ka kërkuar që ekipi negociator të votohet në Kuvend

Zëri: Partia juaj, Nisma Socialdemokrate, është shprehur kundër udhëheqjes së Thaçit me dialogun, mirëpo as lideri i partisë suaj, z. Fatmir Limaj, nuk është përkrahur nga partitë opozitare në Kuvend. A do të duhej sipas jush të formohej ekipi negociator për udhëheqjen e dialogut dhe a prisni të ndodhë një gjë e tillë?

Shala:
Ne kemi qenë prej fillimi kundër që një individ të shkojë të bisedojë për Kosovën, sepse Kosova ka institucionet e saj dhe këto institucione duhet t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë. Ekipi negociator që është propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesën e Fatmir Limajt për t’u votuar në Parlament nuk e ka marrë përkrahjen, pavarësisht se me ligj ekipi që caktohet nga Qeveria e Kosovës mund të vazhdojë dialogun, por Limaj ka kërkuar që të votohet edhe në Parlamentin e Kosovës ky ekip. Njëkohësisht ai është duke punuar me të gjitha partitë politike dhe besoj që shumë shpejt do ta marrë mbështetjen dhe do të kompletohet ekipi edhe me pjesën e opozitës. Ne kemi qenë kundër idesë së presidentit Thaçi dhe do të jemi çdoherë, sepse me kufijtë e Kosovës nuk guxojmë të luajmë për teke të individëve. Ekipi negociator do ta marrë përsipër se si do t’u qaset atyre, por e di që për idenë e Thaçit z. Limaj është kundër dhe e gjithë Nisma Socialdemokrate është çdoherë kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Zëri: Pra ju jeni kundër që një individ i vetëm ta udhëheqë dialogun apo kundër që z. Thaçi ta udhëheqë dialogun?

Shala:
Ne nuk jemi kundër individëve, por kundër ideve dhe ne mendojmë që nuk duhet t’i lihet në dorë një personi çështja e dialogut. Por jemi të gatshëm që një institucion t’i udhëheqë bisedimet e jo një individ ta bëjë atë. Edhe me Kushtetutë të Republikës së Kosovës z. Thaçit nuk i takon të jetë kryenegociator i bisedimeve me Serbinë. 

Nisma nuk i përkrah “lojërat e rrezikshme” të Thaçit

Zëri: A e përkrahni ju personalisht idenë për Bashkimin e Luginës me Kosovën dhe a mendoni që një gjë e tillë është e arritshme për Kosovën pa i dhënë asgjë në shkëmbim shtetit serb?

Shala:
Të gjithë shqiptarët e përkrahin bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, por problemi është si do të bëhet kjo gjë? Nëse ajo bëhet me ndërrimin e territoreve, atëherë ne nuk e përkrahim një gjë të tillë. Edhe ajo pjesë është jona dhe dalëngadalë do t’i vijë koha që edhe ajo pjesë t’i bashkohet Kosovës, por jo me shkëmbim territoresh me shtetin serb. Ende pa u njohur Kosova nga OKB-ja të fillojmë ne me këso lloj lojërash, që besoj se janë të rrezikshme dhe prandaj ne nuk i përkrahim.

Opozita s’ka kërkuar vota për rrëzimin e Qeverisë

Zëri: Në anën tjetër opozita e vendit është duke u përgatitur që t’i mbledhë numrat e nevojshëm për ngritjen e mocionit për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”. A ka mundësi që partia juaj t’ia sigurojë opozitës numrat për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”?

Shala:
Nuk e di ku ka kërkuar opozita numra për rrëzim të Qeverisë, sepse te ne nuk ka ardhur asgjë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës ose nga partitë tjera opozitare të vendit, që do të dëshmonte se është një iniciativë serioze në mbledhjen e numrave. Para se të kërkohen votat nga ne ose nënshkrimet tona për një gjë të tillë është një rrugë tjetër se duhet të bisedojnë liderët, të rregullohet një shkresë nga të gjitha partitë politike, pastaj të bisedohet individualisht edhe me deputetë, sepse ka deputetë brenda subjekteve politike që pavarësisht votës së partisë si tërësi ai mund të jetë kundër, sepse është votë e lirë për rrëzim të Qeverisë. Unë nuk kam parë një iniciativë serioze, vetëm kam dëgjuar nëpërmes lajmeve se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkojnë mocion, por asgjë zyrtare nuk kemi deri në këtë kohë.

Zëri: Nëse ju vjen kërkesa zyrtare, a jeni të gatshëm që t’i bashkëngjiteni iniciativës për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”?

Shala: Kur je pjesë e një subjekti politik atëherë aty ka organe, kryesi, këshill drejtues dhe duhet të diskutohet brenda partisë për vendimin që do të merret. Cilido vendim që të merret, ashtu edhe do të veproj.

Zëri: Ka tashmë disa muaj që Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionalizuar normalisht, pozitë dhe opozitë vazhdojnë të bllokojnë njëra-tjetrën në pika të caktuara në rend dite. Cila sipas jush është zgjidhja për këtë çështje?

Shala:
Jam duke e parë tashmë dy mandate që është një politikë jo e mirë duke u zhvilluar në Kuvendin e Kosovës. Ne kemi një praktikë deri më tash se si ka funksionuar Kuvendi dhe si kanë funksionuar partitë politike me çështjet nacionale dhe me çështjet tjera. Çdoherë kemi fituar duke i respektuar grupet e unitetit dhe besoj që partitë politike në Kuvendin e Kosovës duhet të funksionojnë si ekip në çështjet që po e presin Kosovën, sepse asnjëherë më parë nuk i është dashur Kosovës më shumë unitet sesa tani. Çdo ndarje, çdo bllokim i institucioneve të Republikës së Kosovës bën që të fitojë kundërshtari ynë, pra Serbia. Unë edhe përmes kësaj interviste u bëjë thirrje partive politike të Kuvendit që të ulen, të diskutojnë dhe të sillen konform situatës që po i kërkohet Kosovës.

Zëri: Pasi jeni anëtar i Komisionit Hetimor për Dëbimin e Gylenistëve si kanë shkuar punët deri më tani dhe a prisni që në fund të këtij procesi të kemi një raport të detajuar në atë se çfarë ka ndodhur? Çka u raportua në mbledhjen e sotme?

Shala:
Ne tashmë kemi filluar punën si Komision Hetimor me mandat nga Parlamenti i Kosovës. Kemi grumbulluar të gjitha materialet që janë marrë nga institucionet të cilat janë marrë me dëbimin e shtetasve turqve, tash pritet intervistimi i atyre personave që janë marrë me kompletimin e dokumentacionit të gjashtë shtetasve turq. Besoj që në fund do të jetë një raport i kompletuar me të gjitha të gjeturat që do t’i hasim ne si deputetë dhe do të kërkohet përgjegjësia dhe largimi i njerëzve nëse kanë shkelur ligjet.

Zëri: Flitet se liberalizimi i vizave me BE-në mund të mos ndodhë edhe një vit. Cilat janë informacionet tuaja për këtë çështje?

Shala:
Ne jemi duke punuar çdo ditë që në fund të këtij viti të kemi liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Deri më sot të gjitha kushtet që janë kërkuar Kosova i ka përmbushur dhe tashmë nuk është në duart tona më kjo çështje. Po të ishte në duart tona do të kishte dalë edhe ndonjë kusht, siç ka qenë ai për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, por nuk kanë arsye pse ta shtyjnë tutje këtë proces. Jam i bindur që janari, eventualisht marsi do të jetë koha kur Kosova do të marrë liberalizimin e vizave.